Nga “Kujtimet e një gazetari sporti” te “Kur ke çfarë të kujtosh”. “Nga një libër te tjetri”, si dikur para mikrofonit, një rikthim plot ritëm, emocion, me atë energji që transmetonte dhe e karakterizon, pasi i tillë ka mbetur Ahmet Shqarri.
Mjafton të lexosh botimin e tij të ri “Kur ke çfarë të thuash”, për ta kuptuar menjëherë, që bëhet fjalë për një personazh të njohur, publik, zëri kombëtar i radiokronikës sportive shqiptare, gazetarin Ahmet Shqarri. Ndonëse pas një kohe të gjatë, Shqarri na ofron një libër që nuk kërkon kohë për ta lexuar, përkundrazi, ndërsa e ke në dorë, faqet kalojnë me shpejtësi njëra pas tjetrës, pasi të tilla janë ato çfarë ai ka treguar.
Me një kujtesë brilante pa limite, nga kapitulli i parë, “Fëmijëria, shkolla dhe karriera”, tek i fundit “Nëpër botë”, merr një informacion të jashtëzakonshëm të një karrierë të gjatë, me ngjarje, histori dhe të një jete sa familjare, aq edhe profesionale. Dita e parë në një zyrë në “Radio Tirana”, ku e pret një mikrofon, një magnetofon “Uher”, si dhe puna shumëvjeçare në atë institucion. Emra pa fund, miq, shokë, kolegë, drejtues, marrëdhëniet me sportistë, artistë, takimet me figura të shquara botërore, gjithçka e lidhur me një përshkrim shoqërues tejet interesant.
Një libër që të tërheq, nisur edhe nga fakti siç shprehet Shqarri “që ka qenë një sfidë me vetveten, një mision i vështirë në pamjen e parë, pasi nuk ka tentuar të flasë dhe tregojë para një mikrofoni”, por në një rikthim edhe njëherë të të shkruarit, të lënë për shumë vite pas dore.
Një libër në formë autobiografie, por i konceptuar me një stil tjetër, modern, ndryshe nga ato tradicionalë. Një libër shkruar thjesht, jo lodhës nga një gazetar shumë dimensional, që i ngjan një testamenti të bukur që Ahmet Shqarri ka kërkuar t’ia lërë familjes, në veçanti gruas, siç shprehet vetë ai dhe vajzat e tij, Kleita dhe Marsi: “Faleminderit babi”! Si dukur kur drejtonte emisionin më popullor në Shqipëri, “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, me energjinë që nuk i shteron, Shqari nuk i ka rrëfyer të gjitha, sepse ka ende çfarë të kujtojë, të shkruajë dhe të tregojë.