Tuesday, November 26, 2024

Geralb Smajli: “Kalimi tek ekipi i parë i Vllaznisë dhe ftesa nga Kombëtarja janë arritjet më të mëdha për mua deri më tani”

Lexo

Në Shkodër je i “dënuar” të bëhesh futbollist. Ky qytet jeton me topkëmbën dhe i ka dhuruar vendit tonë shumë emra të mëdhenj të këtij sporti të bukur. Geralb Smajli është një nga të rinjtë e shumtë që dëshiron të bëjë hapa të mëdhenj si futbollist dhe fillimi për 20-vjeçarin është i mirë. Pjesë e Vllaznisë, titullar në shumë ndeshje këtë sezon, mbrojtësi i krahut të djathtë ka marrë edhe vëmendjen e trajnerit të Shqipërisë U21, Alban Bushi.

Smajli ka provuar të luajë me kuqezinjtë në miqësore deri më tani, madje edhe ka shënuar gol. I intervistuar për rubrikën “Talenti shqiptar”, i riu tregon hapat e parë në futboll dhe synimet që ka, veç ndjesisë që kishte kur mori ftesën nga Shqipëria U21 dhe kur shënoi ndaj San Marinos. Elseid Hysaj është shembulli i Geralbit, i cili nuk fluturon, por ia lë gjithçka kohës.

Geralb, si ka nisur për ju lidhja me futbollin? Kush është njeriu që ju ka shtyrë drejt këtij sporti?

E kam nisur me futbollin që në moshën 7-vjeçare. Dëshira ime ishte shumë e madhe për të luajtur, por edhe prindërit gjithashtu kishin dëshirë të merresha me sport. Fillimisht donin të isha një djalë i edukuar, por duke parë ecurinë time, të gjithë trajnerët më thonin të vazhdoja të punoja sepse mendonin se një ditë do arrija aty ku doja. Me besim dhe punë çdo gjë do bëhet realitet, kjo ishte ajo që më thonin. Nëse punon, më vonë do ia marrësh frytet këtij sporti.

Kush është personi që ju këshillon më së shumti në lidhje me futbollin dhe që ju qëndron më afër?

Babai është personi që më qëndron më afër dhe më këshillon për gjëra të mira, që kanë lidhje vetëm me futbollin.

Si jeni ndjerë kur morët për herë të parë ftesën nga Shqipëria U21?

Ishte një emocion i veçantë kur mora ftesën nga Shqipëria U21. Të gjithë e ëndërrojmë që një ditë ta veshim fanellën e kombëtares, por duhet shumë punë. Kam shënuar edhe gol ndaj San Marinos dhe ky ishte një emocion tjetër i veçantë. E kisha ëndërr që një ditë të debutoja dhe të shënoja gol.

Çfarë mund të veçoni deri më tani nga jeta juaj futbollistike? Ka një arritje për të cilën jeni krenar?

Jam krenar për çdo arritje që bëj, pasi e kam arritur me shumë vështirësi. Kalimi tek ekipi i parë i Vllaznisë dhe ftesa nga Kombëtarja janë arritjet më të mëdha për mua deri më tani.

Kush është lojtari shqiptar që ju motivon më së shumti, që e keni si shembull?

Mund të them që shembulli më i mirë për t’u ndjekur është kapiteni Kombëtares, Elseid hysaj. Ai është një shembull që duhet ndjekur.

A ju krahasojnë me ndonjë futbollist të njohur dhe pse?

Shokët e ekipit më krahasojnë me ish-lojtarin e Vllaznisë, Dritan Smajlin. Kjo për shkak të lojës që ai bënte, për atë çfarë jepte në fushë, për vullnetin dhe forcën që kishte.

Si ka qenë për ju të debutoni dhe te luani me Vllazninë, kur dihet si trajtohet dhe sa duhet futbolli në Shkodër?

Debutimi me Vllazninë ka qenë një ënderr që i vogël. Tani e arrita dhe jam shumë krenar për këtë dhe për çfarë kam dhënë deri më tani. Ky qytet, Shkodra, jeton çdo moment me këte emër të madh, Vllazninë.

Vetë ju personalisht, cilin keni synimin më të madh në futboll? Ka një futbollist në gjurmët e të cilit do të donit të ecnit?

Synimi im është të jap më të mirën për ekipin dhe çdo gjë do vijë me kohën. Gjithsesi një ditë shpresoj që të eci në gjurmët e kapitenit të Kombëtares, Elseid Hysajt.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img