Herceg Novi, ka qënë mikpritësi i Turneut prestigjioz “Mimoza Polino Cup 2022” që organizohet tradicionalisht në Mal të Zi. Aktivitet në cilin marrin pjesë ekipe nga të gjitha vendet e Rajonit, ndërkohë që për herë të parë është pjesëmarrës në këtë Turne edhe KF Shkodra me një ekip të përzgjedhur të kategorisë së moshës U-12 që drejtohej nga trajneri Rudi Piraniqi.
Të ndarë në 2 grupe nga 5 skuadra, ekipi i KF Shkodra bëri një paraqitje shumë të mirë në takimet kualifikuese të grupit. Pasi fitoi ndeshjen e parë me ekipin FK Pomorac me rezultatin 5 me 2, fiton edhe të dytin me Igalo, këtë radhë me rezultatin 2-0, fiton edhe ndeshjen tjetër gjysëmfinale duke u kualifikuar për në finale.
Gaucosi-KF Shkodra, ishte finalja e madhe e Turneut “Mimoza Polino Cup 2022”, e cila, siç u vlerësua edhe nga ana e specialistëve të futbollit pjesëmarrës në aktivitet, ishte e një niveli mjaft cilësor.
Futbollistët shkodranë të drejtuar nga trajneri Rudi Piraniqi kaluan të parët në avantazh me anë të golashënuesit të tyre kryesor, Erjon Vajushi. Ndërkohë, në vijim, futbollistët e skuadrës kundërshtare arritën të barazojnë rezultatin dhe më pas të shënojnë edhe golin e fitores duke u shpallur fitues të turneut.
Në këtë mënyrë, edhe pse debutues për herë të parë, KF Shkodra renditet i dyti duke u shpallur nënkampione i turneut në fjalë. Pozicion ky është vlerësuar në mënyrën më të mirë duke e quajtur KF Shkodra, si surprizën më të bukur të krejt Turneut.
Një gjë e tillë është parë qartë edhe në ceremoninë zyrtare të mbylljes së aktivitetit, ku KF Shkodra si ekip, trajneri Rudi Piraniqi, si dhe futbollistë të spikatur, janë vlerësuar me kupa dhe medalje përkatëse duke bërë që në podium të valvitet flamuri shqiptar.
Në prononcimin e dhënë për Veriu Sport, pas mbylljes së aktivitetit, trajneri Rudi Piraniqi shprehet i kënaqur për paraqitjen e ekipit të tij.”Ishte pjesëmarrja e parë në këtë turne për ekipin tonë, kur të gjitha shkollat dhe Akademitë e tjera të njohura për nivelin e zhvillimit të futbollit nga vende si Montenegro, Bosnia, Kroacia, Serbia, kishin vite që merrnin pjesë.”, thotë trajneri Piraniqi.
Më tej, ai bën të ditur se KF Shkodra merrtë pjesë me ekipin e datëlindjes 2010 (U-12) të cilët sterviten e drejtohen prej disa viteve nga vetë ai. Ekip ky që është pjesëmarrës për dy vite në Kategorine Superiore të futbollit Shqiptar.
“Duke e ditur nivelin e ekipit tonë, kishim besim për një paraqitje dinjitoze në këtë Turne. Por paraqitja e ekipit KF Shkodra i kaloj pritshmëritë duke bërë një prezantim të shkëlqyer. Me lojrat dhe rezultatet pozitive, futbollistët e KF Shkodra fituan duartrokitjet e të pranishmëve duke marrë vlerësimet më të mira të organizatorëve, menaxherëve e specialistëve të futbollit.”, shton më tej Piraniqi.
I pyetur për lojtarët më të spikatur të aktivitetit, trajneri Rudi Piraniqi, përgjigjet: “Duhet thënë fjalët më të mira për djemtë tanë: Kejvi Isufaj, Regis Sukaj, Ersil Isufi, Aron Sukaj, Erjon Vajushi, Omar Gucija, Rejan Muça, Ruben Narkaj, të cilët dhanë shumë emocione, duke shumë vlerësime dhe garanci të sigurtë për një të ardhme të sukseshme për të ecur në gjurmët e shumë futbollistëve cilësor që kanë dalë nga KF.Shkodra.”
Në ceremoninë përmbyllëse të aktivitetit, organizatorët e Turneut përcollën vlerësime shumë pozitive për sulmuesit Erjon Vajushi dhe Omar Gucija duke qënë dhe golëshënuesit më të mirë të Turneut, Regis Sukaj si mbrojtësi më i mirë, si dhe Aron Sukajn si mesfushori më i mirë, ndërkohë që një kupë personale meritoi edhe vetë trajneri Rudi Piraniqi.
Në mbyllje të prononcimit të tij, trajneri Piraniqi ka edhe një falenderim: “Falenderojmë organizatorët për pritjen e ngrohtë e kushtet e krijuara gjatë qëndrimit në Herceg Novi, në veçanti Igor Bozoviç, televizorin MNE SPORT TV të cilët transmetuan gjithë aktivitetin live. Një falenderim të veçantë për prindërit e këtyre djemeve qe beren te mundur realizimin e këtij turneu, por u bënë dhe pjesë e këtij eventi. “KF.Shkodra-Një Familje e Madhe”.