Ajo që është përfolur prej ditësh ka marrë sot formën zyrtare. Fernando Santos nuk është më trajner i Portugalisë. Kjo është bërë e ditur nga Federata Portugeze e Futbollit në një deklaratë që zyrtarizon përfundimin e marrëdhënies që skadon në vitin 2024. Pas tetë vitesh punë që kulmuan me fitoren e Kampionatit Evropian në 2016 dhe Ligës së Kombeve në 2018-2019, Santos largohet nga skuadra kombëtare. Vendimi për ndërprerjen konsensuale të marrëveshjes me Federatën Luzitane vjen pas disfatës ndaj Marokut në çerekfinale të Kupës së Botës në Katar dhe kritikave për kohën e kufizuar të lojës që i është dhënë Cristiano Ronaldos gjatë turneut.
Komunikata e FPF-së: “Federata Portugeze e Futbollit dhe Fernando Santos kanë rënë dakord për të përfunduar rrugëtimin shumë të suksesshëm që filloi në shtator 2014. Pas një prej pjesëmarrjeve më të mira ndonjëherë të ekipit kombëtar në fazat finale të Kupës së Botës, në Katar, FPF dhe Fernando Santos kuptojnë se tani është koha e duhur për të nisur një cikël të ri. Me Fernando Santos në krye të kombëtares, vendi ynë fitoi për herë të parë dy kompeticionet ndërkombëtare: Euro 2016-ën e paharruar, në Francë, dhe Ligën e Kombeve në 2019-ën. Përveç titujve të fituar, Fernando Santos u bë trajneri me më shumë ndeshje dhe më shumë fitore. Ishte një nder të kishim një trajner dhe një person si Fernando Santos në krye të ekipit kombëtar. FPF falënderon Fernando Santos dhe ekipin e tij për shërbimet e ofruara në tetë vite unike dhe beson se ky falënderim le të bëhet edhe në emër të të gjithë popullit portugez. Bordi i FPF-së tani do të nisë procesin e zgjedhjes së trajnerit të ardhshëm të kombëtares”.