Për të gjithë nostalgjikët vendimi i Këshillit Bashkiak i qytetit të Milanos ka qenë një goditje e fortë pasi mbrëmjen e kaluar “San Siro” dhe zona rreth tij i janë shitur Interit dhe Milanit për 197 milionë euro.
Klubet e Milanos kanë marrë miratimin nga ky ent, i cili hodhi në votim këtë propozim pas 20 orësh diskutimesh. Sipas medieve italiane në votim morën pjesë 44 prej 46 këshilltarëve. 24 prej tyre votuan për ta shitur impiantin, ndërsa 20 të tjerët ishin kundër.
Sipas planit të paraqitur nga dy ekipet mësohet se Milano do të ketë një stadium të ri brenda 2031-it. Ndërkohë, akti i shitjes duhet të përfundojë deri më 10 nëntor, datë në të cilën rrethi i dytë i impiantit do t’i nënshtrohet kufizimeve.



