Ish futbollisti dhe ish trajneri i Vllaznisë, i Kukësit dhe Laçit, sot trajner i Kombëtares U-19 e ndoqi ndeshjen e javës së 21-të të Superiores së futbollit shqiptar në tribunën e stadiumit “Loro Boriçi” nën shoqërinë e kolegut të tij, Auron Miloti. Pas ndeshjes, ai iu përgjigj pozitivisht portalit Veriu Sport për një intervistë.
Profesor Cungu, 1 me 2 sfida Vllaznia-Tirana, do të donim një opinion tuajin për këtë ndeshje.
Ishte një sfidë të cilën e pritnim me një ritëm tjetër të jem i sinqertë. Sigurisht edhe me një tjetër rezultat për Vllazninë, megjithatë futbolli i tillë është. Mendoj që pamvarësisht situatave në lojë, në përgjithësi Vllaznia, sidomos pjesën e parë, ishte më dominuese për sa i përket epërsisë territoriale dhe mbajtjes së topit, por nuk kishte cinizmin dhe rrezikshmërinë e duhur tek porta e Tiranës. Ndërsa Tirana shfrytëzoi dy gabimet tona me një goditje standarte që e ka meritë të jashtëzakonshme lojtari i Tiranës Batha dhe goli i dytë, sipas mendimit tim, erdhi edhe si pasojë e një gabimi në mbrotjen e Vllaznisë. Gjithsesi pritnim një reagim tjetër të Vllaznisë, një impuls tjetër pas këtij rezultati, sepse koha në dispozicion ishte pothuajse mbi 35 minuta, por përtej dëshirës mbeti vetëm në kuadrin e dëshirës dhe asgjë më tepër.
Vllaznia po lëshon pikë javë pas jave, pas kësaj humbje si e shikoni vazhdimësinë e saj?
Unë e kam theksuar që në fillimin e kampionatit që ekipet që kanë pasur problematika në startin e saj do të vijnë në formën e tyre më të mirë dhe do të jenë shumë kërcënuese. E kam thënë si ekipi i Laçit ashtu dhe i Partizanit, i kam theksuar këto ekipe në veçanti dhe e tillë është situata në këto momente që flasim. Vllaznia prej 5 javëve thuajse tregon dobësitë e veta, nuk është më ajo Vllazni e javëve të para dhe sigurisht ekipet kundërshtarë të cilat e ndjekun nga prapa kanë një marsh tjetër në këtë fazë që ne flasim. Kështuqë e shikoj shumë të vështirë vazhdimësinë. Gjithsesi kjo nuk do të thote asgjë, gjithçka mund të ndodhi në futboll. Nëse Vllaznia gjen qetësinë e duhur mund të jetë përsëri e denjë për titull.
Çfarë mendoni që duhet të ndryshojë skuadra kuq e blu për t’u rikthyer tek fitoret?
Për mendimin tim duhet ndryshuar aspekti psikologjik sepse e shikoj të goditur psikologjikisht prej pesë javëve të fundit ku nuk po kënaqen me lojë. Sikurse shikoj edhe mos freski për sa i përket gjendjes të përgjithshme fizike të ekipit. Nuk ka freskinë, luftën, impulsin e duhur gjë të cilën e shfaqi edhe sot me Tiranën. Kështuqë e rëndësishme është që duhet të jenë të qetë, të vazhdojnë të punojnë me qetësi sepse nervozizmi nuk të çon askund.