Monday, November 25, 2024

(Intervista) Armir Grima: Kjo Vllazni është për titull! Ish portjeri dhe kapiteni kuqeblu, flet me superlativa për trajnerin tetovar, Qatip Osmani

Lexo

Armir Grima, ish-kapiteni i Vllaznisë dhe ishdrejtues i klubit kuqeblu, flet me superlativa për skuadrën aktuale, drejtuesit dhe për tifozërinë shkodrane. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-portieri që tani drejton Kombëtaren e femrave në futboll, evidenton meritat e trajnerit Qatip Osmani në këtë ecuri fantastike të Vllaznisë. Grima shprehet se trajneri i ka kthyer fytyrën kësaj skuadre.

Grima, si do ta komentonit ecurinë e kësaj Vllaznie, e cila nuk po di të ndalet?

Mendoj se Vllaznia është një skuadër që po merr rezultate bindëse nga njëra ndeshje në tjetrën. Së fundi ka mundur një ekip në rritje, siç është Skënderbeu. Kjo tregon se Vllaznia ka qëndrueshmëri në rezultate, nuk është ajo Vllaznia e luhatjeve në rezultate.

Sipas jush, cili është çelësi i suksesit të kësaj skuadre?

“Çelësi” i suksesit për mua është trajneri Qatip Osmani, i cili futi qetësinë e nevojshme në skuadër. Duke e parë nga jashtë, mendoj se kjo gjë i ka munguar ekipit dhe për këtë duhet vlerësuar trajneri. Dhe po ashtu duhet lavdëruar presidenti për zgjedhjen e goditur që ka bërë me zgjedhjen e Osmanit. Gjithçka që reflektohet në lojë dhe në rezultate, mendoj se është merita e trajnerit.

A mund të quhet tani e kryer çështja e katërshes për Vllazninë?

Besoj që me këtë atmosferë që është krijuar rreth ekipit, me frymën brenda tij dhe afrimin e tifozërisë shkodrane, katërshja nuk mund të diskutohet. Por gjithmonë duhet ecur duke luftuar, siç po luftojnë djemtë në çdo ndeshje.

Megjithatë, te Vllaznia nuk duan që ta përmendin fjalën “titull”. A është e drejtë kjo strategji?

Unë mendoj që titulli kampion duhet të përmendet dhe fort madje, sepse të luftosh për titullin kampion është një motiv tepër i rëndësishëm. Të kesh në ekip lojtarin me të mirë të kampionatit, për mendimin tim, siç është Balaj, patjetër që duhet të luftosh për titull. Po ashtu, të kesh në ekip lojtarë me eksperiencë si Hakaj, Krymi, Mala, Gruda, apo dhe të tjerë si Qarri, Çoba, Alivoda, Boshnjaku e Smajli, pa nënvlerësuar pjesën tjetër të skuadrës, duhet të kërkosh më të mirën, sepse ke garanci. Edhe dy portierët e tjerë, Jukaj dhe Mehidri, kanë dhënë garanci. Te Vllaznia patjetër që duhet të pretendojnë fort titullin, nuk shikoj asnjë ekip më të fortë se ajo.

Vetëm dy pikë larg është Egnatia e vendit të parë. Mund ta kalojë Vllaznia?

Vllaznia po luan drejt, po vlerëson çdo ndeshje si finale dhe nuk sheh vetëm Egnatian. Dhe kështu duhet të vazhdojë. Dy pikë nuk janë asgjë, por po nuk u vlerësuan drejt ndeshjet, bëhen shumë pastaj.

Po për Kupën, ku shorti i gjysmëfinaleve i ka vënë kuqeblutë po kundër Egnatias, çfarë parashikimi keni?

Ndeshjet e Kupës kanë specifikë tjetër dhe kushdo nga ekipet që mund t’i binte Vllaznisë, do të ishte e vështirë. Do të jenë ndeshje të forta, por mendoj që ne jemi drejt formës maksimale. Nuk e shoh Egnatian për momentin në formën e saj më të mirë dhe ky mund të jetë një plus për Vllazninë.

Sipas jush, do të vijojë deri në fund kjo ecuri e Vllaznisë?

Kam shumë besim që ky grup lojtarësh, ky karakteri që po paraqesin në fushë, është një garanci e madhe se Vllaznia do të vazhdojë me këto rezultate. Ajo që me jep akoma më shumë shpresë është afrimi i tifozërisë në stadium. Nuk është më vetëm ajo pjesa “besnike”, siç janë “Vllaznit ultras”, por shkallet e stadiumit po fillojnë të mbushen për çdo ndeshje.

Kjo më jep më shumë besim, sepse këta djem kanë nevojë për mbështetjen e tifozërisë për të ndjekur rrugën e titullit kampion. Po të jenë grup të bashkuar, që nga presidenti që po e kryen me së miri punën e tij, drejtori dhe stafi teknik, do të vazhdojnë kështu. Meritojnë një bravo të madhe të gjithë. Besoj që Vllaznia do të vazhdojë me këto rezultate të mira.

Admir URUÇI

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img