Bekim Balaj ishte padyshim lojtari më i mirë i ndeshjes së djeshme, Vllaznia-Linfield, takim ky i luajtur mbrëmjen e djeshme në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës i mbyllur me rezultatin 1 me 0 në favor të kuqebluve.
Goli i fitores u shënua nga shtatlarti i sulmit shkodran, Bekim Balaj, ndërkohë që gjatë të gjithë ndeshjes ai ishte kërcënuesi kryesor i portës mike me disa raste të njëpasnjëshme që u bllokuan me vështirësi nga portjeri Kris Xhons.
Duke folur pas ndeshjes, Balaj shprehet i kënaqur me lojën e Vllaznisë, e cila sipas tij, e meritonte të kualifikohej, dhe ndër të tjera pengesë u bë edhe gjykimi i treshes azerbajxhanase duke mos akorduar dy penallti në favor të Vllaznisë.
“Jam i keqardhur për këtë eliminim. Mendoj se me lojën që bëmë, me atmosferën që krijuan, tifozët tanë të mrekullueshëm dhe me ato episode gati të pabesueshme që pati kjo ndeshje, realisht më vjen keq. Të shohësh ato episode është mëkat i madh. Na penalizuan shumë ato penallti të padhëna, por edhe raste të tjera. Të them të drejtën arbitri na penalizoi. Ne pamë videot më pas dhe mendoj se ishin dy penallti të pastra.
Por pati edhe momente të tjera gjatë lojës kur arbitri u bë protagonist dhe na krijoi probleme. Mungesa e VAR-it në këtë fazë është për të ardhur keq. U penalizuam ne në këtë rast, por mund të penalizohet edhe dikush tjetër. Është për të ardhur keq, sepse nuk mundet të shkojë kështu. Këto janë gabime që nuk kushtojnë vetëm në këtë ndeshje, por ndikojnë në klub për të ardhurat financiare, ndikojnë te skuadra në aspektin psikologjik, pasi lojtarët kështu ndihen të dëshpëruar dhe nuk kanë as ku të ankohen. Megjithatë, ky ekip tregoi se ka vlera, se ka personalitet dhe di të bëjë gjëra të mira në fushë. Ndoshta edhe fatin nuk e kishim me vete, por në futboll kështu është”, ka thënë fillimisht sulmuesi i Vllaznisë.”, tha fillimisht, Balaj.
Duke folur për vete, Balaj është i kënaqur me formën e tij sportive, duke garantuar se një gjë të tillë do ta bëjë edhe në kampionat. “Më vjen mirë që shënova dhe unë i di pritshmëritë e trajnerit. Ju siguroj se kam bërë gjithmonë më të mirën për këtë fanellë. Golat janë gjithmonë të rëndësishëm për sulmuesit, por ju thashë se sa herë zbres në fushë unë jap më të mirën time, pavarësisht nëse arrij të shënoj ose jo.”, u shprej Balaj.
Ndër të tjera, Balaj flet edhe për tifozërinë, e cila e mbështeti skuadrën gjatë të gjithë ndeshjes. “Më vjen keq, shumë keq. Dua të falënderoj tifozët që na mbështetën pa masë dhe kam besim se kjo skuadër do të bëjë gjëra të mira. Ky ekip ka cilësi dhe djem që të luajnë futboll të mirë. Dita-ditës do të lidhemi akoma më shumë me njëri-tjetrin dhe do të përpiqemi të realizojmë objektivat”.”
Në mbyllje, Bekim Balaj, rikonfirmoi se Vllaznia do të vijojë të jetë gjithmonë pretendente për titullin kampion, ku sipas tij, formula e re e miratuar nga FSHF e lë gjithçka të hapur luftën mes ekipeve pretendete deri në fund të kampionatit.