Sunday, May 5, 2024

(Intervista) Boks-Trajneri i kombëtares Zef Gjoni, vlerëson vendimin e qeverisë për trajtimin e sportistëve. Thirrje boksierëve shqiptarë që jetojnë jashtë, t’i bashkohen kombëtares kuqezi, pasi tani djersa e tyre nuk do të shkojë dëm!

Lexo

Boksi është një nga sportet që ka pasur progres cilësor gjatë dekadave të fundit, që prej hyrjes së demokracisë. Kjo falë punës së sportistëve e trajnerëve, por edhe dashurisë që kanë shqiptarët në tërësi për sportet e rënda, përfshi këtu edhe atë të dorezave të ringut. Pas një rënie të numrit të sportistëve në shumë sporte, edhe boksi ka pasur problemet e veta, por vendimi i fundit i qeverisë për të futur me gradë të lartë ushtarake ata që fitojnë medalje në Europianë e Botërorë është një hap që i jep shtysë rritjes së cilësisë sportive dhe i bën sportistët elitarë të lakmojnë medalje të rëndësishme ndërkombëtare. Trajneri i Kombëtares së Boksit, Zef Gjoni, e sheh këtë si një shtysë të madhe për të pasur sportistë që sigurojnë të ardhmen e tyre falë ligjit të ri. Sipas tij, boksi ka elementë mjaft cilësorë që mund të përfitojnë nga shpërblimet e qeverisë dhe pse jo të sigurojnë pensionin aq të kërkuar nga sportistët elitarë. Nga ana tjetër, në këtë intervistë për gazetën “SOT”, Gjoni vë në dukje objektivat që ka Kombëtarja në vazhdim, ku vëmendja kryesore është Kampionati Botëror në fillim të muajit maj.

– Boksi ka një kastë sportistësh cilësorë që mund të lakmojnë medalje ndërkombëtare e të përfitojnë nga vendimet e fundit të qeverisë për të marrë gradë madhore honorifike në ushtri, gjë që u mundëson atyre të marrin rrogë e pension të posaçëm. Për çfarë po përgatitet aktualisht Kombëtarja e Boksit?

– Ne po përgatitemi për Kampionatin Botëror i cili starton më 1 maj dhe do të zhvillohet në kryeqytetin e Uzbekistanit, Tashkent (nga 1 deri më 14 maj). Do të jenë pjesëmarrës 5 boksierë nga vendi ynë, nën udhëheqjen e dy trajnerëve. Natyrisht që presim shumë nga ekipi, të tregojmë vlerat tona e të kapim vende cilësore në garë, për të qenë afër podiumit. Ka diçka që na motivon, e lidhet me ligjin e ri për shpërblimet, ku sportistët që fitojnë medalje të rëndësishme botërore marrin rrogë e pensione të përhershme. Shembulli më i qartë është ai i boksierit Alban Beqiri, që mori medalje bronzi në Botëror dhe disa suksese të tjera e tani është përzgjedhur ndër sportistët e vlerësuar me gradën Kolonel. Ata që marrin këtë gradë si pasojë e sukseseve të tyre në sport, do të kenë mundësinë të përfitojnë pension të përhershëm. Pra edhe boksierë të tjerë mund të ndjekin këtë rrugë.

– Sa mendoni se do të ndikojë kjo lëvizje e qeverisë në rritjen e rezultateve sportive edhe në boks?

– Do të ndikojë shumë, patjetër, ne e kemi pritur madje këtë moment. E kemi kërkuar dhe e kemi pritur, sepse i jep një shans sportistit cilësor të vlerësohet financiarisht por edhe me tituj, gjë që për mendimin tim shënon një lëvizje mjaft pozitive të qeverisë në këtë drejtim. Vlerësimi do tu japë sportistëve shanse të reja dhe me ligjin e ri djersa e tyre nuk do të shkojë më dëm.

– Përveç Botërorit, çfarë aktivitetesh të tjera keni në projekt të merrni pjesë gjatë këtij viti?

– Botërori është aktiviteti madhor, për shkak edhe të përmasës dhe rëndësisë së tij, por do të jemi prezent edhe në kualifikueset e Europianit. Këto kualifikuese do të nisin në qershor. Edhe ky aktivitet ka vlerë kur është fjala për shpërblimin e sportistëve, pasi medalja të jep shpërblimin sipas ligjit, por njëherësh eliminatorët kanë edhe vlerë për pikët olimpike. Pra kanë vlerë kualifikuese në Olimpiadë. Për mua ka rëndësi fakti tani që çdo medalje e fituar kthehet në gradë dhe në rrogë. Botërori ka shpërblim deri tek vendi i katërt të cilin e akordon vetë federata botërore. Pra, një sportist që futet në zonën e medaljeve, merr shpërblim nga federata ndërkombëtare deri në 50 mijë dollarë, por merr shpërblim edhe nga Shqipëria sipas VKM-së përkatëse si dhe nga lehtësirat e tjera qeveritare për të cilat folëm më lart.

– Sporti i një vendi nuk janë vetëm garat ndërkombëtare, duhet vëmendje edhe ndaj kampionateve brenda vendit…

– Sigurisht që edhe ato kanë peshën dhe rëndësinë e tyre. Një aktivitet i veçantë do të jetë ai i qershorit të këtij viti, ku organizojmë Memorialin “Vllaznia”, me pjesëmarrjen e shumë shteteve. Me këtë rast ne do t’u bëjmë ftesë dhe do të dëshironim shumë që të bashkoheshin me ne edhe boksierë profesionistë që kanë një karrierë të spikatur si F. Marku etj, në mënyrë që të rritej audienca dhe cilësia, por edhe ata të kishin një shans më shumë për karrierën e tyre dhe shpërblimin e tyre. Do të jetë një aktivitet me pjesëmarrje të gjerë dhe unë do të dëshiroja që këta sportistë të merrnin pjesë. Ndër ta, ka që e kanë konfirmuar pjesëmarrjen si Xh.Vrenozi, R. Zeneli etj. Kushdo që e ndjen veten shqiptar le të vijë, madje do t’i përfshijmë edhe në ekipin kombëtar. Duhet të kuptojmë se me ligjin e ri të sportit, jepen shpërblime të majme dhe siguron pension të përjetshëm. Është një shans për sportistët, një shans që nuk duhet humbur.

– Ju folët për pjesëmarrje të Shqipërisë në Botëror me pesë boksierë. Kush janë ata?

– Do të jenë dy Zenelët, pra Krenari dhe vëllai i tij i cogël, Denis Nurja, Nelson Hysa dhe Arjon Kajoshi. Këtë herë mungon Beqiri, por ka një dakordësi mes sportistëve të Tiranës që garojnë në të njëjtën peshë që në këtë aktivitet të shkojë Nurja. Kurse Beqiri do të marrë pjesë në eliminatoret e Europianit në qershor.

– Cilët janë objektivat tuaja si staf i ekipit kombëtar për Botërorin e Uzbekistanit por edhe garat e tjera të mëdha?

– Nuk e fsheh dot që ne shkojmë për të bërë më të mirën dhe më e mira jonë është të futemi në zonën e medaljeve. A do t’ia dalim? Kjo do të varet nga shorti, nga gjendja e momentit e sportistëve, përgatitja jonë etj, por unë kam besim se do të paraqitemi mirë. Megjithatë, sekreti është përgatitja, e cila kërkon një grumbullim të paktën trejavor. Është e pamundur të shkosh në një Botëror, ku garojnë sportistët më të mirë të botës, dhe të pretendosh medalje, kur nuk je përgatitur në kushtet e grumbullimit serioz e je ballafaquar me rivalë të fortë. 20 ditë grumbullim janë minimumi, ndaj nuk e di a do të mund ta kemi këtë mundësi në ditët në vijim, pasi edhe koha nuk pret dhe ne duhet të rrisim ritmin stërvitor në këtë fazë. E keqja jonë është se ne nuk kemi mundësi të bëjmë as takime të përbashkëta me ndonjë vend tjetër apo grumbullime serioze. Kosova, të cilën po e marr si shembull, u siguron sportistëve të saj fazë përgatitore serioze. Kjo ndikon shumë në performancën e boksierëve dhe të vetë ekipit kombëtar.

– Grumbullimi mund të financohet edhe nga federata. Fundja prandaj janë buxhetet e tyre, apo fondet grant nga shteti, apo jo?

– Në parim jam dakord, por nuk ndodh kështu praktikisht, pasi buxhetet e federatave tona, sidomos asaj të boksit, janë mjerisht të pamjaftueshme për të mundësuar bërjen e kalendarit vjetor të garave e jo më të mbulojë edhe shpenzimet e grumbullimeve. Vetëm pjesëmarrja në Botërorin e Uzbekistanit, kërkon shumë shpenzime sa thuajse i krejt fondi i federatës shkon për pjesëmarrjen tonë atje. Vetëm udhëtimi i një sportisti shkon 1500 dollarë, llogaritë e tjera mund t’i bëni vetë sesa shpenzime ka e sa nevojë kemi për financim. Nga llogaritë tona, vetëm pjesëmarrja e ekipit përfaqësues në Botëror, ha deri në 60% të fondit grant të federatës. E megjithatë, duke sakrifikuar ne përpiqemi të bëjmë më të mirën tonë në këto aktivitete. Ajo që na jep besim është gjendja e sportistëve që kemi, të cilët janë me përvojë, të motivuar, të përgatitur. Prandaj them që jam optimist që mund t’i afrohemi zonës së medaljeve. Pse jo, të kthehemi me ndonjë medalje nga Tashkenti.

– Cilët janë trajnerët që do të drejtojnë ekipin?

– Përveç meje, si kryetrajner i përfaqësueses, do të jetë edhe Gëzim Zeneli i Flamurtarit.

– Kam një pyetje të fundit: Si e shihni të ardhmen e boksit në Shqipëri?

– Kam arsye të them që jam optimist. E bazoj në vendimet e fundit të qeverisë për shpërblimet e sportistëve elitarë dhe përfshirjen e tyre me rrogë e grada në ushtri. Është një lëvizje e zgjuar dhe mjaft pozitive, pasi u jep një shans të rinjve, përfshi këtu dhe boksierët cilësorë. Ne në boks kemi një grup sportistësh elitarë që shpresojnë medalje nga garat e mëdha, ndaj besoj se mund të përfitojnë nga ligji, sikurse përfitoi Alban Beqiri. Por kjo është e mirë dhe për vazhdimësinë, pasi sportistë të rinj të talentuar mund të nisin një karrierë në ring, sepse edhe sporti mund t’u krijojë atyre një të ardhme të sigurt, pra do t’i nxisë të përgatiten për të qenë cilësorë e kampionë të ardhshëm. Për këtë jam optimist dhe ndjej se diçka pozitive po merr udhë. Kuptohet, për një sport me të ardhme nuk mjafton vetëm shpërblimi, pasi duhen kushte, grumbullime, bazë materiale etj, pa harruar punën me klubet dhe seleksionimin e të rinjve. Por kur këto gjëra janë bërë edhe ekzistojnë, atëherë sportistët cilësorë (elitarë) e kanë të ardhmen të garantuar, sepse këtë të ardhme ua garanton ligji.

Intervistoi: Adriatik BALLA

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img