Tekniku i pankinës kuqeblu, gjermano-kroati, Thoas Brdariç, është bërë pjesë e rëndësishme e qytetit të Shkodrës. Puna e shkëlqyer që ai bëri sezonin e kaluar dhe që vazhdon të jetë e tillë edhe këtë sezon, ka bërë që ai të jetë i preferuari i tifozërisë shkodrane, dhe në tërësi i një komuniteti të një qyteti që sportin e ka primar në jeten e tij.
Serioz dhe këmbëngulës në proçesin stervitor, dhe po aq edhe në ndeshjet zyrtare, por i thjeshtë, i dashur dhe plot ngrohtësi jashtë fushës së blertë, me futbollistët, stafin dhe njerëzit që e rrethojnë, përfshirë edhe tifozët dhe qytetarët shkodranë, me të cilët përshëndetet gjatë ditës, duke përdorë jo pak edhe fjalë shqipe ku duket se po avancon në këtë drejtim. Shpesh herë shikohet të lëvizë në këmbë në pedonalen e qytetit, ndërkohë që përdor jo pak edhe biçikletën elektrike, sidomos kur shkon në stadium. Për të gjitha këto, përfshirë edhe korrektesën e marrëdhënieve financiare me presidencen, e kanë bërë atë të ndjehet mirë në Shkodër. Ofertat ndaj tij, të ardhura edhe nga ekipe me zë europiane nuk kanë munguar, por ai e ka thënë hapur që ka preferuar të qëndrojë në Shkodër duke deklaruar se ka një objektiv për të realizuar, fitimin e titullit kampion.
“Vllaznia është një klub me traditë të madhe në Shqipëri, ashtu si tri ekipet nga Tirana. Klubi ka luftuar në vitet e fundit për të shkuar sërish në majë të futbollit shqiptar. Kështu që më kontaktuan duke më pyetur nëse do të kisha dëshirë të isha pjesë e projektit të ringritjes së klubit. Ideja ishte interesante për mua dhe prej 15 muajsh ndodhem këtu. Në sezonin e kaluar ishim pranë titullit duke e humbur atë vetëm për çështje golash, por më pas fituam Kupën e Shqipërisë. Këtë sezon duam ta ndryshojmë këtë gjë.”, është shprehur Brdariç për median gjermane.
“Jam një njeri që më pëlqejnë sfidat. Të jesh i suksesshëm në rrethanat që ndodhem nuk është e lehtë. Tani kam një skuadër të mirë dhe tifozët në Shkodër janë shumë krenarë për ne. Është interesante këtu në Shqipëri, ndihem mirë dhe shkoj me shumë dëshirë në punë. Dua të punoj ngushtë me njerëzit e mi me qëllimin për të arritur gjëra të mëdha. Luftojmë së bashku për të bërë më të mirën në ndeshjet e fundjavës. Për momentin jam shumë i lumtur këtu. Nuk e di se ku mund të jetë destinacioni i ardhshëm. Pas sezonit të fundit të suksesshëm kisha mundësi të punoja në Europën Qendrore, por qëndrova në Ballkan, pasi ishim në Kupat e Europës. Për mua si trajner ishte një mundësi e madhe. Jam i hapur për shumë gjëra, por në radhë të parë për mua rëndësi ka Vllaznia. Kam ende shumë gjëra për të arritur këtu.”, ka vijuar tekniku i kuqebluve, Brdariç.
Ndërkohë, sa i përket çështjes së komunikimit, Brdariç thotë se nuk ka vështirësi, pasi përpos anglishtes, gjermanishtes dhe serbokroatishtes që ai i flet, ka filluar të mësojë edhe shqip.
“Këtu komunikoj me shumë njerëz që vijnë nga vende të ndryshme. Gjuha kryesore është anglishtja dhe serbokroatishtja, pasi shumë lojtarë që kemi janë nga vende ballkanike. Por, ka dhe nga ata që flasin gjermanisht. Përveç kësaj, jam duke mësuar përditë shqip. Këtu mbizotëron një kulturë e përzier dhe mundohem të marr çdo gjë me vete. Mund të mësosh shumë gjëra si trajner, është një sfidë interesante. E përsëris, është një sfidë shumë interesante.”, ka përfunduar prononcimin e tij dhënë për portalin gjerman, Wettbasis.com, tekniku kuqebluve, Thomas Brdariç.