Thursday, November 27, 2025

(Intervista) Dritan Smajli, analizon Partizani-Vllaznia: Çdo ekip mund të ketë momente ku mund të “çalojë” disi në lojë, por që nuk shikoj asgjë shqetësuese momentalisht në kampin shkodran. Pa panik, Vllaznia drejt titullit kampion!

Lexo

- Reklamë -spot_img

Dritan Smajli, ish-futbollisti i Vllaznisë ka dhënë së fundmi një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”. Trajneri aktual i Ilirisë është ndalur në veçanti te dueli i fundit i shkodranëve ndaj Partizanit. Duke gjykuar se rezultati ishte i drejtë për atë çfarë skuadrat paraqitën në fushë e po ashtu duke larguar çdo “dyshim” rreth kuqebluve. Teksa mbrojtësi thekson se çdo ekip mund të ketë momente ku mund të “çalojë” disi në lojë, por që nuk shikon asgjë shqetësuese momentalisht në kampin shkodran. Po ashtu lezhjani ndalet edhe te shpresat që ka për rikthimin e titullit kampion në Shkodër dhe dueli i radhës në kampionat i Vllaznisë ndaj Teutës.

Smajli, një barazim i Vllaznisë në ndeshjen e fundit ndaj Partizanit. Duhet të jenë të kënaqur kuqeblutë?

Nuk besoj se ka vend aspak për panik pas këtij rezultati, që në fund them se ishte i drejtë. E rëndësishme është që Vllaznia vijon me rezultatet pozitive dhe nuk pëson humbje. Ka ndeshje ku nuk je në ditën tënde dhe nuk shprehesh siç duhet në fushën e lojës, por skuadra sërish nuk pësoi disfatë. Dhe kjo tregon që Vllaznia ka kapacitet t’i përballojë kundërshtarët edhe kur nuk luan ashtu siç jemi mësuar ta shohim.

Ndikuan ndoshta mungesat apo forma jo e mirë fizike e disa futbollistëve në këtë performancë të fundit?

Në një kampionat kaq të gjatë siç është ai shqiptar, një skuadër formohet me 25 futbollistë dhe të gjithë do të kenë momentin e tyre për të ndihmuar skuadrën. Të gjithë futbollistët që janë pjesë e Vllaznisë duhet të japin maksimumin dhe jo skuadra të mos funksionojë kur mungojnë 2-3 lojtarë. Nuk fitohet kampionati vetëm me 11 futbollistë dhe të gjithë duhet të jenë të aftë për të dhënë kontributin kur iu kërkohet.

Mund të interpretohej ndryshe në mënyrë e lojës ndeshja ndaj të kuqve?

Te kjo pjesë nuk dua të hyj, pasi mendoj se trajneri Martini e ka studiuar mirë kundërshtarin dhe jo çdo herë del ashtu siç e mendon ti. Kështu që kjo është një kompetencë e trajnerit dhe duhet ta respektojmë këtë fakt. Në fund fare po luan me Partizanin dhe ata kanë treguar progres në ndeshjet e fundit. Tani tifozët mërziten disi ngaqë ekipi doli barazim në Tiranë, por kjo është pozitive sepse tregon se sa shumë presin nga ky ekip.

Pse ky moment “jo” i Vllaznisë nëse mund ta quajmë të tillë?

Çdo skuadër e kalon një moment “jo” gjatë edicionit, por skuadër e fortë është ajo që rikthehet. Dhe unë kam besim absolut te Vllaznia që shumë shpejt do të rikthehet te fitoret e te vazhdimësia e lojërave pozitive.

Janë ndeshjet në transfertë një pikë e “dobët” e skuadrës?

Rezultatet na japin të drejtë të mendojmë kështu, por kur sheh disa ndeshje besoj se Vllaznia ka merituar diçka më shumë nga pikët që ka marrë. Kjo nga loja dhe niveli që ka shfaqur në fushën e lojës. Megjithatë e them sërish që s’ka aspak vend për panik dhe situata duhet të jetë totalisht e qetë, ashtu siç duket në fakt edhe nga jashtë.

Si ish-kapiten i skuadrës, cila do të ishte këshilla juaj për futbollistët?

Tani pritshmëritë janë shumë të mëdha dhe asnjë prej tyre nuk duhet të mendojë për titullin, por të mendojnë se duhet t’i fitojnë ndeshjet një e nga një. Nuk mund të kesh mendjen tek titulli sepse ka ende shumë ndeshje dhe kohë përpara. Duke vlerësuar çdo ndeshje dhe duke fituar ndeshje, vetëm kështu shkon te titulli. Në asnjë moment të mos e ndjesh presionin apo stresin sepse këto të frenojnë. Sa më shumë stërvitje dhe kokën ulur pas çdo fitoreje, duke qëndruar me këmbë në tokë.

Sa keni besim personalisht që ky është sezoni i Vllaznisë për të rikthyer titullin?

Unë personalisht siç e kam thënë edhe herë të tjera e dua me gjithë zemër një titull të Vllaznisë. E meriton skuadra dhe qyteti, ky mund të jetë sezoni i duhur, por gjithmonë duke shkuar aty hap pas hapi. Besoj se këtë e dinë mirë edhe në Shkodër e nuk po “nxitohen” e po marrin gjithçka ndeshje pas ndeshjeje.

Në Shkodër shkon Teuta të premten, si e analizon dhe parashikon këtë ndeshje të radhës në kampionat për Vllazninë?

Kundërshtar jashtëzakonisht i fortë që po bën mjaft mirë këtë sezon. Në Superiore nuk ka ndeshje të lehta dhe çdo duel ka vështirësitë e saj, brenda apo jashtë fushës. Por, tani ke mundësi të studiosh çdo kundërshtar nga informacioni i madh që ke për secilin. Teuta ka pika të forta të cilat Vllaznia duhet t’i marrë masat për t’i neutralizuar. Unë i uroj suksese në këtë ndeshje dhe besoj se do t’ia dalë mbanë. Por, gjithashtu shpresoj që në muajin maj të kem një tjetër urim për kuqeblutë.

Endri ÇINARI

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img