Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, në një prononcim enkas për “Panorama Sport” pas ndeshjes, u ndal te barazimi me Dinamon. Sipas tij, skuadra pati mundësi për ta fituar ndeshjen, por ashtu si shkoi, edhe barazimi është i pranueshëm, ndaj tani do të shohin përpara.
“Humbëm disa raste që duhet të ishin shënuar dhe meritonim plotësisht fitoren. Më pas, mënyra sesi rrodhi loja, me nëntë lojtarë u bë më e vështirë për ne. Ndaj, duhet të jemi të kënaqur dhe të shohim përpara për të arritur objektivat që kemi”, u shpreh fillimisht Xhaferi.
ARBITRIMI – Kreu i presidencës shkodrane nuk preferon të merret me gjykimin, edhe pse mendon se kartoni i dytë i kuq për skuadrën e tij mund të evitohej. “Nuk merremi me arbitrat, pasi janë vendimet e tyre. Por mendoj se mund të ishte kursyer kartoni i dytë i kuq, sepse edhe ndeshja do të bëhej më e bukur.
Nuk kishte arsye ndoshta pse ta fuste ndeshjen në ngërç në pjesën e dytë. Mund ta kursente. Ndërsa pjesa tjetër më pas ishte korrekte”, vijoi më tej presidenti kuqeblu.
KREU – Edhe pse lanë dy pikë në krahasim me Egnatian, e cila tani është larguar me katër pikë mbi ta, për Xhaferin ka ende kohë për të rikuperuar. “Ka ende shumë ndeshje, janë edhe 12-të javë dhe asgjë nuk është zgjidhur. Të gjitha skuadrat shohin për objektivat e tyre dhe na duhet të shohim vetëm ndeshjen e radhës”, u shpreh Xhaferi.
VAZHDIMËSIA – Ndeshjet e radhës të Vllaznisë janë të dyja me Elbasanin. Fillimisht në kampionat dhe më pas në Kupë. Xhaferi pret një mbështetje nga tifozeria vendase dhe kërkon që t’i kthejnë në festë këto dy takime.
“Si në çdo ndeshje tjetër, presim të fitojmë. Presim që të bëjmë lojëra të bukura në ‘Loro Boriçi’, të kemi tifozë dhe të festojmë bashkë”, mbylli prononcimin e tij për gazetën presidenti i Vllaznisë. Skuadra gjatë këtij sezoni ka pasur luhatje, por vitin 2025 e ka nisur në mënyrën e duhur, duke grumbulluar 13 pikë në gjashtë javë të luajtura që nga janari.
Vladimir MEMA