Thursday, April 25, 2024

(Intervista) EKSKLUZIVE/ Sylvinho në të gjithë fushën: Nga jeta e re në Tiranë, tek objektivat kuqezi

Lexo

Trajneri i Kombëtares, Sylvinho në një intervistë ekskluzive për RTSH Sport me gazetarin Olsi Karagjozi

Kombëtarja shqiptare rinis këtë muaj një rrugëtim interesant me një emër të ri në stol. Kulturë futbollistike braziliane, stil europian dhe dalëngadalë mentalitet shqiptar. Sylvinho rrëfen në një intervistë ekskluzive për RTSH Sport me gazetarin Olsi Karagjozi, jetën e tij të re në Tiranë mes shqiptarëve, në një ambjent të panjohur por interesant.

Mister, faleminderit që pranove ftesën për të dhënë një intervistë shumë të veçantë. Dua të ndalem fillimisht tek jeta juaj këtu në Tiranë ku po jetoni prej dy muajsh e gjysmë. A jeni ambjentuar me qytetin, me njerëzit e këtij qyteti, me vendin tonë?

“Faleminderit juve për ftesën që më bëtë. Është e vërtetë, jetoj prej dy muajsh këtu në Tiranë. Jetohet mirë këtu dhe kjo është përshtypja ime e parë. Hahet mirë dhe më ka bërë përshtypje mishi, peshku, makaronat, keni pjata interesante dhe të shijshme. Pastaj njerëzit, janë shumë miqësorë. Shpesh herë ata janë shumë bujarë. Ka një kulturë të hapur, nuk mund të bëjmë krahasime me Brazilin apo me vende të tjera sepse është shumë ndryshe. Jetohet shumë mirë këtu”.

Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje nga vendi jonë?

“Përshtypja është ajo që thashë pak më lart. Ushqimi është i mirë dhe njerëzit janë shumë të dashur.  Njerëzit janë të hapur, të shikojnë, të përshëndesin dhe kjo është disi e ngjashme me njerëzit në Brazil edhe pse nuk mund të bëj krahasime. Më ka bërë përshtypje fakti që njerëzit kërkojnë të të ndihmojnë dhe të të qëndrojnë pranë”.

A keni një ushqim të preferuar në këto dy muaj e gjysmë të qëndrimit  tuaj këtu në Shqipëri?

“Unë ha gjithçka, por mishi, mishi shqiptar është shumë i mirë. Unë mendoja se argjentinasit kishin  mishin më të mire, madje ndihmësit tim Zabaleta i thashë: shiko, mishi argjentinas është shumë i mirë, por ai shqiptar edhe më i mirë dhe ai qeshi. Edhe peshku është super këtu në Shqipëri, ndërsa makaronat mendoj se i gatuani mirë sepse jeni shumë pranë Italisë dhe kur shikoj që këtu shumë njerëz flasin italisht, mendoj se influenca është e madhe dhe ka ndoshta një lidhje të afërt me italianët edhe në gatim”.

Po familja juaj çfarë mendon për këtë ndalesë të çuditshme në Shqipëri, them të çuditshme duke patur parasysh ndalesat e rëndësishme që keni patur në karrierë dhe tashmë vjen një ftesë nga një vend jo shumë i madh, një vend që familja juaj dhe ju personalisht nuk e njihnit kaq shumë. Çfarë mendojnë ata?

“Shqipëria është ndoshta një vend i çuditshëm në këtë moment të rrugëtimit të karrierës time. Unë jam një djalë, le të themi një burrë tashmë sepse jam në kufirin e 50 viteve. Në moshën 16 vjeçare jetoja në San Paolo ku edhe kam lindur dhe mendoja se duhej të provoja diçka të re e më pas Zoti më dha mundësinë të shëtis nëpër botë. E kam nisur në Angli e më pas në Spanjë e sërish në Angli, Itali, Francë, Brazil dhe tani jam në Tiranë. Jam një brazilian disi atipik. Njerëzit më pyesin: a je 100 % brazilian? Unë u them: Jo, kam lindur në Brazil por kam edhe pasaportë sanjolle e kam jetuar në Itali dhe Angli. Kam marrë pak nga gjithçka dhe më pëlqen kjo që po bëj në futboll. Dua të zhvilloj idetë e mija dhe konceptin që kam për këtë lojë. kam kaluar shumë eksperienca në jetën profesionale me emra të mëdhenj si Ëenger, Guardiola dhe më pas me Mancinin apo Titen në kombëtaren e Brazilit në Rusi 2018. Këto eksperienca më kanë ndihmuar shumë.  Shqiptarët luajnë shumë mirë futboll, kanë aftësi të mëdha teknike. Unë kam punuar me Rey Manaj në vitin 2014 te Interi dhe mbaj mend që ai ishte shumë i ri dhe më bëri përshtypje. Kemi lojtarë shumë të mirë, me cilësi të mëdha”.

Keni deklaruar se dëshironi të shikoni një skuadër të bashkuar, e cila lufton për flamurin, lufton për të njëjtat ngjyra, çfarë mendoni për këtë pjesë?

“Shpirti i një skuadre kombëtare është shumë i ndryshëm nga ai i një klubi. Ashtu siç e thashë edhe më lart, unë kam pasur mundësinë të punoj si zv/trajner për Brazilin në një botëror, asnjëherë si lojtar për fat të keq. Kombëtarja është e njerëzve dhe mendoj se mbi çdo gjë duhet të vendosim zemrën, shpirtin dhe dhe më pas vjen gjithçka tjetër, organizimi, pjesa teknike e taktike. Është logjike që të ketë një diferencë të madhe me klubet sepse në një klub shkon dhe luan e paguhesh, por në kombëtrare duhet të dominojë një frymë tjetër sepse lojtarët luajnë për njerëzit, familjen dhe fanellën.  Është pikërisht fanella që ka një domethënie të ndryshme prandaj edhe unë kam vendosur të jetoj këtu në Tiranë,  të takoj njerëzit, të kuptoj mentalitetin e tyre  sepse lidhja shpirtërore duhet të jetë e shenjtë për një kombëtare”.

E di që nuk mund të na jepni emra, por minimalisht mund të na konfirmoni: a do ketë risi në grumbullimin e muajit mars, për ndeshjen me Poloninë?

“Po, po do të ketë emra të rinj. Unë thashë dy herë po por ndoshta duhej të thoja edhe më shumë. Kam parë disa ndeshje edhe këtu në Shqipëri. Mund të them që lojtarë të mirë ka gjithandej por nuk dua të përmend emra. Është një lojtar te Partizani që më pëlqen shumë. E kam ndjekur dia herë dhe mendoj se teknikisht mund të zhvillohet më shumë. Te Partizani ka luajtur edhe Skuka që tashmë ka shkuar jashtë. Po, gjithmonë ka lojtarë, ne duhet të shkojmë ti shikojmë . Prandaj unë vendosa gjithashtu të jetoja këtu. E falënderova presidentin Duka për besimin që më dha dhe unë mendova që punën duhej ta zhvilloja këtu. Kemi një zyrë e staf të rëndësishëm me bashkëpunëtorë, trajnerë, analistë të ndeshjeve. Puna nis nga këtej dhe e theksoj që kam evidentuar dy apo tre lojtarë këtu që ndoshta në të ardhmen mund të zhvillohen dhe të bëhen të rëndësishëm”.

Tashmë është e konfirmuar që nuk do të zhvilloni ndeshje miqësore para sfidës me Poloninë me 27 mars, si ndjeheni për këtë fakt?

“Gjithmonë është e vështirë. E vështirë është ta nisësh punën fillimisht sepse unë kam udhëtuar shumë, kam takuar lojtarë, kam parë video, ndeshje jashtë dhe këtu në Shqipëri. Më pas nis një tjetër fazë sepse në mars do të zhvillojmë seancat e para dhe i ndjek nga afër lojtarët, i studion, mendon se si mund të punosh me ta që të përmirësohen dhe kjo është pjesa më e rëndësishme. Sipas meje një miqësore edhe mund të na ndihmonte por edhe jo ndonjjëherë sepse nuk është e lehtë të menaxhosh një miqësore përpara në ndeshjeje zyrtare si ajo që do të kemi me Poloninë. Ndoshta nuk e shikon lojtarin se si sillet në një miqësore por nuk ka problem sepse ke përpara gjithë javën për ta stërvitur dhe të bëshk një punë të mire”.

Në eliminatoret e fundit kemi patur shumë luhatje, shumë ulje e ngritje. Çfarë nuk ju ka pëlqyer nga ajo skuadër?  

“Shikoni, unë e kam thënë që herën e parë kur ishim të gjithë bashkë në konferencën e prezantimit. Unë mendoj që futbolli i jep të gjithëve mundësinë dhe çdokush ka periudhën e tij në një skuadër. Unë jam shumë i bindur se çdo trajner punon shumë për të përmirësuar cilësinë e lojtarëve dhe skuadrës dhe sipas meje ne jemi në rrugën e duhur dhe kur them ne e kam fjalën për skuadrën, federatën, njerëzit dhe të gjithë ambjentin. Unë tani duhet të punoj me stafin tim për ta përmirësuar skuadrën por ky është një proces dhe ne duhet të rritemi. Të gjitha periudhat e tjera me trajnerët paraardhës kanë qenë të rëndësishme. Për fat të keq, ndonjëherë nuk arrihen objektivat por është kështu. Ne kemi një skuadër të fortë me emra të rëndësishëm që luajnë në nivele të larta. Duhet të vazhdojmë rrugën e nisur dhe ndoshta, e theksoj, ndoshta mund të arrijmë objektivin tonë që është kualifikimi në Europian”.

Të gjithë flasin për mungesa dhe në fakt ato janë shumë për skuadrën kuqezi. A mendoni se jemi në një situatë emergjence?

“Për fat të keq, dëmtime në futboll ka shumë dhe këto janë momente shumë të vështira për një futbollist. Në fakt kur nisa punën rreth dy muaj më parë, mendova të bëja një udhëtim të gjatë për të takuar disa lojtarë të shpërndarë nëpër Europë, të tjerë i kam kontaktuar me telefon. Unë mendoja se në dy apo tre raste duhej të shkoja dhe ti takoja e të flisja nga afër me ta sepse  është shumë e rëndësishme tu tregioj rëndësinë që kanë për ne edhe pse nuk do të jenë në listë. Dëshiroja ti përqafoja sepse unë personalisht e di shumë mirë që një lojtar i cili qëndron dy apo tre muaj jashtë, e ka shumë të vështirë”.

Dua tju pyes veçanërisht për Brojën, a keni kontaktuar me të, a e keni vizituar në Londër dhe gjithashtu dua të ndalemi dhe tek Uzuni, i cili po zhvillon një sezon fantastic tek Granada në Spanjë, a keni kontaktuar?

“Armando Broja ishte një nga lojtarët që unë kam takuar. Sigurisht nuk është në listë dhe nuk është ende në gjendje të luajë, por si ai ka edhe disa të tjerë. Kam qenë në Portugali gjithashtu për të takuar një lojtar. Kam biseduar gjatë me ta dhe mund të them se e vetmja që mund të them është se ju kemi dhënë forcë e i kemi siguruar se kanë gjithë mbështetjen tonë e të federatës për ti kaluar këto momente. Nuk është aspak e lehtë. Nuk i kam takuar lojtarët për të folur për çështje teknike apo taktike apo gjëra të tilla, por thjesht për ti përshendetur dhe për tu prezantuar.  Kam folur edhe me Uzunin si me shumë të tjerë. Ai po kalon një moment shumë të mirë por ne kemi shumë lojtarë të tjerë të fortë që mund të bëjnë mirë dhe këtë e them me bindje. Duhet të bëj një sforcim për ti parë nga afër të gjithë. Shqiptarët ka në të gjithë botën. Nuk jam aspak i habitur që shqiptarët janë gjithandej. Kam shfletuar pak edhe historinë e vendit tuaj dhe kam mësuar që keni më shumë shqiptarë jashtë kufijve se sa këtu në Shqipëri. Keni gjithashtu shumë lojtarë të fortë në Itali, Spanjë, Angli e vende të tjera”.

Të gjithë kujtojnë me nostalgji Europianin e 2016-ës, skuadrën shqiptare të atij Europiani nga e cila kemi trashëguar tre lojtarë. Çfarë mendoni se duhe ti marrim tjetër asaj skuadre për të nisur një tjetër rrugëtim të suksesshëm në prag të kualifikueseve të Euro 2024? 

“Nuk është veçori vetëm e Shqipërisë, por e gjthë futbollit. Unë kujtoj që e kam nisur rrugëtimin tim 15 apo 16 vjeç dhe kam luajtur në skuadra të ndryshme, që nga më të voglat dhe deri tek më të rëndësishëmet e kam mësuar që për të arritur një objektiv duhet të mos fokusohemi te cilësitë teknike apo taktike ekskluzivisht. E theksoj, një skuadër duhet të ketë zemër.  Ajo skuadër e vitit 2016 me siguri e ka pasur këtë cilësi sepse të gjitha skuadrat që arrijnë objektivat, e kanë. Shikoni Marokun në Kupën e Botës. Bënë një rrugëtim fantastik dhe le të mos mendojmë për cilësitë e lojtarëve marokenë, që janë të mëdha sigurisht, por ishte një skuadër me zemër dhe shpirt e organizim. Unë dua të marr një shembull tjetër. Kur luaja për Barcelonën, sa herë që nuk arrinim një objkektiv të rëndësishëm,  skuadra nuk kishte shpirtin e duhur, por kur arrinim objektivat e ndieja që ishim një skuadër e bashkuar dhe e organizuar e me këtë detaj duhet të punosh shumë në futboll”.

Besoj I keni studiuar të dyja ndeshjet që kemi për fazën kualifikuese të Kupës së Botës, sin ë Varshavë ashtu dhe në Tiranë dhe ndoshta keni mbajtur shënimet tuaja. Mendoni se duhet të nisemi nga ajo ndeshje positive e zhvilluar në Tiranë, pavarësisht disfatës 0-1 që na largoi përfundimisht nga ëndrra e Kupës së Botës 2022?

“Duhet të vazhdojmë punën e nisur dhe të përmirësohemi sa më shumë duke respektuar do etapë dhe çdo periudhë që kanë kaluar trajnerë apo lojtarë të ndryshëm. Çdo ndeshje është e ndryshme dhe ka një histori ndryshe e kush thotë të kundërtën, gënjen. E vetmja gjë e njëjtë janë tri pikët. Ne do të shkojmë në Poloni dhe ndeshja e parë nuk është aspak e lehtë. Do të luajmë kundër një skuadre të fortë që ka marrë pjesë ne Europian e më pas në botëror por futbolli luhet në fushën e lojës. Sigurisht që i kam analizuar të dyja ndeshjet qe kemi luajtur me Poloninë.  Le të shkojmë e të luajmë me shpirtin e duhur. E ritheksoj që kjo ndeshje nuk ka asgjë të ngjashme me ato që kanë kaluar, përveç faktit që si atëherë, në lojë janë tri pikët. Ne duhet të punojmë nga minuta e parë në të fundit. Minuta e parë nis në Varshavë, e fundit?  Të shikojmë e të presim për ta mësuar. Duhet të shkojmë e të luftojmë deri në minutën e fundit”.

Le ta mbyllim me një batutë, Xhani De Biazi pasi kualifikoi Shqipërinë në Europianin 2016 u pajis dhe me pasaportë shqiptare. Shpresoni të ndiqni të njëjtin rrugëtim me trajnerin italian?

“Ndoshta mund të shkojmë përara e të kualifikohemi për në europian. Për këtë kam ardhur këtu, siç e thashë edhe pak më parë, duhet të luftojmë nga minuta e parë tek e fundi.  Sigurisht që më pas mund të marr edhe pasaportën. Faleminderit!”.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img