Burreli i këtij sezoni futbollistik është padyshim surpriza më e bukur e Kampionatit Kombëtar të kategorisë së parë. Ka bërë mjaft mirë në fazën e parë, teksa ka dhuruar spektakël në përballjet direkte me rivalet që synojnë Superioren. Me të njëjtën mënyrë e ka nisur edhe fazën e dytë, që edhe pse luante në transfertë, arriti të shpartallojë Veleçikun duke e mundur me rezultatin e thellë 0 me 4. Krahas të tjerave, e gjitha kjo përformacë pozitive ka një emër, dhe ai quhet Samuel Nikaj. Shkodrani, me një përvojë të madhe në kampionatin shqiptar, por sidomos edhe në atë kosovar ku ka arritur suksese të mëdha, ka ditur të formojë dhe të menaxhojë mjaft mirë Burrelin, që as më të voglin dyshim, është pretendenti kryesor në grupin A për kalimin në Superiore.
Profesor Nikaj, Veleçiku-Burreli 0-4, një rezultat që në një farë mënyre nuk pritej, të paktën nga skuadra vendase.
Po, ashtu është. Edhe ne realisht e kishim menduar disi më të vështirë këtë ndeshje, pasi e kemi vlerësuar jo pak Veleçikun, në gjirin e të cilit ka lojtarë të Akademisë Vllaznia, dhe lojtarë që dijnë ta qarkullojnë topin mirë. Megjithatë, goli i shpejtë për ne e hapi lojën dhe na dha më shumë besim, luajtëm një futboll të bukur, ofensiv, dhe e përmbyllëm me një fitore shumë të bukur dhe të pastër 4 me 0. Kështu që, është një motiv më tepër për ne për vazhdimësinë, për synimet tona të kalimit në Superligë. Gjë, që mendoj se është e mundshme me këtë grup të mirë lojtarësh që kemi në dispozicion.
Një Burrel, që duhet pranuar se i ka befasuar të gjithë me këtë paraqitje shumë të mirë, ku patjetër që ka brenda edhe pjesën tuaj të trajnimit professional. Sa i kënaqur jeni me ecurinë e skuadrës dhe sa i vlerësuar ndjeheni nga matjanët për këtë ecuri fantastike të skuadrës?
Të them të drejtën, në Burrel ndjehem shumë i vlerësuar, sepse kam edhe një histori edhe më përpara me këtë skuadër, qoftë si lojtar në Superligë, dhe si drejtor teknik. Megjithatë, unë ndihem shumë i respektuar dhe i vlerësuar, por unë nga ana e ime i respektoj dhe vlerësoj shumë, sidomos drejtuesit me në krye kryetarin e Bashkisë, i cili na ka bërë të mundur ndërtimin e këtij ekipi model, mendoj për Superligën. Gjithësesi, ne nuk kemi asnjë lloj presioni nga drejtuesit. Thjesht, ato dojnë që të bëjmë një ekip që t’i zbardhim faqen qytetit, t’i bëjmë tifozët të ëndërrojnë dhe të bëjmë një futboll të bukur. Prandaj, shumë ekipe vijnë në Burrel, na provokojnë, sepse mendojnë se është Burreli i dikurshëm, por ne jemi një ekip shumë profesionist.
Profesor Nikaj, shumë rival në grupin tuaj për kalimin në Superiore.
Unë së bashku me lojtarët, sidomos ato më me shumë përvojë, i kemi vënë një qëllim vetes do të bëjmë të pamundurën që të dalim në Superiore. Sepse i kemi mundësitë, i shikojmë edhe pozicionet e ekipeve të tjera, e shohim që kemi potencial. Megjithatë, kampiponati është i gjatë, është e nënta ndeshje që e bëjmë pa humbje, gjë që është diçka pozitive. Pamvarësisht pretendimeve të Dinamos, që në fund të fundit është ekipi 18 herë kampion i Shqipërisë dhe kemi respekt për të, por ne jemi në konkurencë direkte dhe të fortë për daljen në Superligë.
Javën e ardhshme, luani në shtëpi Vorën, si e parashikoni?
Ia kam thënë edhe djemtë të skuadrës, që çdo ndeshje duhet ta trajtojmë si finale, vetëm atëherë mundemi me realizu diçka madhore që i kemi vënë vetes qëllim. Vora, pamvarësisht pikëve që ka në tabelë, është ekip që ka potencial, sepse ndodhet shumë afër kryeqytetit dhe ka lojtarë tiranas në skuadër nga shumë akademi që punojnë shumë mirë në Tiranë. Normalisht që kanë ekip serioz dhe duhet vlerësu maksimalisht, sepse është një ndeshje që vlen 3 pikë.