Thursday, October 24, 2024

(Intervista) Flet ish trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz: Klubi u vonua, Memelli duhej larguar më parë, Osmanit i duhet kohë dhe mbështetje

Lexo

Trajnerët e huaj kanë hasur gjithnjë vësh tirësi në drejtimin e klubeve shqiptare. Aktualisht Vllaznia i ka besuar Qatip Osmanit nga Tetova, i cili ka qenë i suksesshëm në Maqedoninë e Veriut. Duke parë momentin e vështirë që po kalon skuadra shkodrane dhe faktin që nga vendi fqinj më parë e ka drejtuar Mirsad Jonuz, “Panorama Sport” vendosi të kontaktojë këtë të fundit.

Jonuz e njeh mirë ambientin në Shkodër dhe bëri apel që klubi i Vllaznisë dhe tifozët kuqeblu duhet të mbështesin Osmanin, pasi vetëm kështu mund ta kalojnë këtë situatë.

Zoti Mirsad, dimë që e ndiqni rregullisht Vllazninë. Si e keni parë ecurinë e saj?

Nuk ka ndryshuar asgjë për mirë që nga hera e fundit që kam folur në “Panorama Sport”. Rezultatet jo të kënaqshme sollën probleme dhe këtë renditje që ka aktualisht ekipi.

OK, por klubi vendosi të ndryshojë trajnerin pas këtyre rezultateve…

Nuk do të thotë se çdo herë ndryshimi i trajnerit sjell një situatë pozitive. Por, është ende herët që të flitet në këtë drejtim. Në një kohë shumë të shkurtër nuk mund të presësh ndryshime. Drejtuesit e klubit duhet ta kishin ndërruar trajnerin më herët. Nuk them se ka gabuar kolegu im Memelli, por kur nuk ka rezultate, të parët që e pësojnë janë trajnerët. Për mua Memelli nuk është trajner i keq, por duhet të kuptojmë se klubi shkodran është një mjedis i vështirë.

Çfarë mund të bëjë në këtë situatë Qatip Osmani?

Trajneri Osmani erdhi në një moment të keq, por i duhet kohë dhe mbështetje nga klubi dhe tifozët. Qatipi është një trajner i mirë dhe i suksesshëm në Maqedoninë e Veriut.

Ju keni qenë vetë trajner në Shkodër, çfarë i këshilloni Osmanit?

Nuk di të jap këshilla tani. Në përgjithësi shikoj që afrimet e lojtarëve nuk janë të duhurat, por Osmani duhet të mbështetet fort tek ekipi dhe ambienti. Nuk është e lehtë të jesh i huaj te Vllaznia.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Mendoj se nuk i takon Osmanit që të mbajë barrën e dështimit, kur klubi nuk po shkon mirë. Sigurisht që do t’i duhet shumë punë për të arritur atë që të gjithë presin në Shkodër. Është gjynah që klubi është në një pozitë kaq të keqe në tabelën e klasifikimit. Tani Osmani duhet që të ndikoj te lojtarët në aspektin psikologjik dhe të nxisë dëshirën e tyre për të dhënë më të mirën në fushë.

E shikoni Vllazninë te katërshja e parë në fund të këtij sezoni?

Është herët të flitet, por janë shumë pikë në lojë. Dy fitore radhazi ndryshojnë situatën. Për mua ndeshja radhës është një shans për një fillim të ri. Besoj se Vllaznia do të bëjë kthesën me Laçin.

Admir URUÇI

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img