Vllaznia dhe Murlani në futboll femra u ndeshën në fushën e Kompleksit Sportiv “Zmijani” për turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Skuadra kuqeblu e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka fitoi thellësisht me rezultatin 7-0 duke treguar edhe një herë superioritetin që ka ndaj skuadrave rivale. Pas ndeshjes, trajneri kuqeblu, Nikolin Leka, shprehet i kënaqur me skuadrën e tij, ndërkohë që premton që edhe këtë sezon, Vllaznia do t’i fitojë të dy trofetë, Kupën dhe Kampionatin.
Prosefor Leka, fituat derbin shkodran të futbollit femra 7-0. Një ndeshje më e lehtë nga sa e menduat?
Normalisht që menduam që do të ishte një ndeshje më e fortë, por nuk rezultoi ashtu. Ekipi im tregoi gjithçka në fushë pavarësisht terrenit të vështirë që ishte. Unë jam shumë i kënaqur jo vetëm me rezultatin, por edhe me lojën e vajzave plot grint dhe dëshirë.
Murlani është përforcuar me elementë nga Brazili, e shikoni si një skuadër pretendente në vazhdimësi?
Ashtu menduam në fillim duke marrur parasysh përforcimet, por nuk rezultoi ashtu. Nuk e di si do të shkojë në vijim, por nuk shikova diçka që mund të kthehet në pengesë për Vllazninë.
Objektivi i radhës është kalimi në finale të Kupës?
Padiskutim, është objektivi i dytë brenda aktiviteteve kombëtare kshtuqë normalisht që Vllaznia është e përgatitur për të dy aktivitetet si fitimin e Kampionatit dhe Kupës.
Ndërkohë është kohë merkatoje, mendoni që do të keni të tjera përforcime?
Merkatoja është akoma e hapur, ne kemi afruar portjeren e kombëtares Rexhepin dhe presidenti nuk do ta lejë me kaq dhe jemi duke shikuar ku mund të plotësojmë ndonjë vend, por në përgjithësi ekipi është i kompletuar dhe nuk kemi probleme. Edhe sot aktivizuam dy vajza 16 vjeçare dhe paraqiten një nivel shumë të mirë. Ato treguan çdo gjë në fushën e lojës dhe dëshmuan që Vllaznia është ekip me pretendime, jo vetëm tani por edhe në të ardhmen.
Ju pengoi terreni i dëmtuar, sidomos në pjesën e dytë?
Padiskutim, sepse ne do të kishim pasur një performancë edhe më të mirë në fushë, por shpresojmë që fusha “Reshit Rusi” të përfundojë këtë javë dhe ti zhvillojmë ndeshjet aty.