Wednesday, May 1, 2024

(Intervista) Gersi Arbri, trajneri që po shkëlqen në Arabinë Saudite. Al-Batin Club i drejtuar nga beratasi e mbylli fazën e parë si kryesues i kampionatit

Lexo

Gersi Arbri është një nga emrat e njohur të futbollit shqiptar, ku fillimisht karriera e tij ka spikatur me suksese të vazhdueshme në ekipe me emër të kampionatit elitar, por edhe të niveleve më të ulta, ndërkohë që më pas, vijoi me të njëjtin sukses edhe në pozicionin e trajnerit.

Skuadrat dhe klubet ku ai punoi si trajner e kanë vlerësuar maksimalisht për cilësitë e tij të trajnimit, ndërkohë që analistët dhe specialistët e futbollit, nuk kanë hezituar ta vlerësojnë dhe konsiderojnë si një ndër trajnerët e perspektives së futbollit shqiptar.

Pikërisht, falë këtyre vlerave që disponon, Gersi Arbri, sot është shumë i vlerësuar dhe i respektuar në krye të ekipit Al-Batin Club të Arabisë Saudite, një përvojë e re që ka arshur për të në kohën dhe momentin më të duhur.

Në një prononcim ekskluziv për Veriu Sport, Gersi Arbri bën të ditur nga Arabia Saudite se gjithçka po shkon shumë mirë. “Të dyja palët jemi të kënaqur. Jam në rrugë të mbarë me punën që po bëjmë. Këtu më janë plotësuar të gjitha kushtet dhe besoj se kam bërë një punë pozitive dhe po bëjmë progress çdo ditë e më tepër. Këtë e tregojnë më së miri rezultatet dhe vendi ku ndodhet ekipi.”, shprehet Gersi duke nënvizuar se fazën e parë ekipi që ai drejton, Al-Batin Club, e mbylli në vend të parë si kryesues, fazën e parë të kampionatit.

Ndër të tjera, trajneri nga Berati vlerëson edhe punën dhe përkushtimin që po bëhet gjatë viteve të fundit në Arabinë Saudite për zhvillimin e futbollit. “Këtu po i jepet shumë prioritet futbollit dhe po ecet me ritme shumë të shpejta, janë duke bërë progres çdo ditë e më shumë. Janë në detaj të gjitha kushtet për një futboll profesional dhe europian. Po afrojnë trajner nga Europa dhe një prej tyre jam dhe unë që përfaqsoj vendlindjen time dhe është një dritë jeshile edhe për koleget e mi që unë po hap këtu”, shprehet ai.

I pyetur në lidhje me interesimin që ka shfaqur ndaj tij Apolonia pak ditë më parë për të marrë drejtimin e skuadrës, Gersi Arbri, e pranon një gjë të tillë, madje falenderon klubin fierak, por nga ana tjetër sqaron se nuk mund t’i përgjigjet pozitivisht, pasi i duhet të vijoj punën e nisur në klubin saudit.

“Kam pasur këto ditë bisedime me drejtuesit e Apolonisë, por kam vendosur që të respektoj kontraten e firmosur këtu në Arabinë Saudi me Al-Batin Club. Bisedimet me Apoloninë i kam ndërprerë për momentin. Nuk e shikoj që jemi në kohë, kemi lënë opsion për sezonin tjetër të ardhshëm, i uroj shumë suksese Apolonisë.”, përfundon për Veriu Sport, trajneri Gersi Arbri.

Gaspër MARKU

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img