Saturday, May 4, 2024

(Intervista) Ish kapiteni kuqeblu, Elvin Beqiri: Vllaznia duhet ta kishte bërë me kohë këtë projekt me të rinj

Lexo

Ish-kapiteni i Vllaznisë, Elvin Beqiri, mendon se klubi shkodran duhet të kishte besuar me kohë te projekti që ka nisur këtë sezon me lojtarë të rinj dhe duke i dhënë prioritet akademisë.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi i Kombëtares, që punon prej kohësh si drejtor teknik në nga akademitë më të mëdha në Toronto të Kanadasë, i ka bërë një analizë situatës te shkodranët në prag të kampionatit.

Elvin, jeni shpërngulur prej kohësh në Kanada. Vazhdoni të jeni pjesë e futbollit edhe aty?
Po, padyshim. Kam afro një vit që jam drejtor teknik në një nga tri akademitë më të mëdha këtu në Toronto. Jam te akademia CB Toronto dhe ndihem shumë mirë aty. Për asnjë moment nuk dua që të ndahem nga ky sport. Është jo vetëm puna ime, por edhe pasioni im.

I keni ndjekur zhvillimet në futbollin shqiptar, atë që ka ndodhur te Vllaznia?
Shkodra dhe Vllaznia janë gjithçka për mua, kjo as që nuk diskutohet. Kam ndjekur dy ndeshjet në Ligën e Konferencës, ku Vllaznia kishte tablo të ndryshme. Në ndeshjen e parë pashë një ekip të ngurtë dhe pa iniciativë, ndërsa në Shkodër ishte komplet tjetër. Ishte një Vllazni më e lirshme në fushë, e cila e kontrolloi lojën gjatë gjithë kohës. Sigurisht që të vjen keq që nuk kaloi në turin, sepse i kishte mundësitë. Mendoj që ndikoi edhe arbitri, i cili në dy raste nuk akordoi penallti. Gjithsesi, Vllaznia duhet të kishte bërë më mirë në ndeshjen e parë, që të mos e kishte të vështirë në kthim.

Çfarë ju bëri më tepër përshtypje në lojën e Vllaznisë?
Në Shkodër luajti mirë, por kuptohet që ndeshjet e Europës janë të ndryshme nga ato të kampionatit, për vetë specifiken e tyre. Shpresoj që ekipi të ketë atë rritëm dhe entuziazëm që kishte në sfidën e dytë.

Deri ku mund të shkojë ky ekip në sezonin e ri?
Ajo që kemi shikuar me lëvizjet e shumta që janë bërë në ekip, duket që do të kemi një Vllazni ndryshe në këtë kampionat. Mendoj që klubi po fokusohet më shumë t’i japë prioritet lojtarëve të akademisë, duke e kombinuar me ata më me eksperiencë. Kjo është diçka e mirë dhe duhej të kishte filluar me kohë një projekt i tillë. Nëse do të dinë të menaxhojnë si duhet këtë projekt, ekipin do ta shohim përsëri që mund të jetë mes atyre që do të marrin pjesë në Kupat e Europës.

Në skuadër është rikthyer edhe Ardit Krymi…
Patjetër që është shumë pozitive, sepse rikthehet në ekip një nga lojtarët më të mirë për Vllazninë në dekadën e fundit. Krymi do t’i japi më shumë stabilitet repartit të mesfushës dhe ekipit në përgjithësi.

Në syrin tuaj, çfarë i mungon Vllaznisë për ta korrigjuar në merkato?
Nuk mendoj që ekipi ka nevojë për afrime të tjera, gjithmonë nëse klubi do të zbatojë projektin që ka shfaqur në opinion. Thjesht, duhet një menaxhim i mirë mes lojtarëve me eksperiencë dhe atyre te rinj. Grinta dhe përgjegjësia për atë fanellë që mbajnë veshur duhet t’i ndjekë gjatë gjithë sezonit. Unë kam besim që stafi i ri me në krye Migen Memellin, do të dijë të japin idetë dhe mënyrën e duhur se si skuadra do të performojë në fushë.

Cili është komenti juaj për formulën e re të kampionatit?
Është diçka e re për kampionatin kjo formulë dhe nuk mund të jap një opinion të qartë nëse do të jetë pozitive apo negative për Vllazninë.

ADMIR URUÇI  

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img