Thursday, April 18, 2024

(Intervista) Miloti: Vllaznia e denjë për të dy trofetë. Ish futbollisti dhe ish trajneri i kuqebluve, komplimenton trajnerin Osmani për punën e mirë që po bën me skuadrën

Lexo

Auron Miloti ish-sulmues i Vllaznisë, i cili vitin e shkuar u vendos përkohësisht edhe në rolin e trajnerit të kuqebluve, në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, analizon ecurinë e skuadrës deri më tani.

Miloti shprehet se Vllazninë e ka konsideruar që në startin e kampionatit si favorite për në katërshen e parë, pavarësisht luhatjeve të sezonit. Ai ka besim të plotë te grupi, teksa shprehet në mënyrë pozitive për stafin teknik dhe trajnerin Osmani, i cili sipas tij, i ka gjetur “ilaçin” e duhur këtij grupi lojtarësh.

A mendonit në fillim të sezonit se Vllaznia do të vinte në këtë pikë, duke luftuar për Kupën dhe titullin?

Me nisjen e sezonit e mendoja që me lojtarët që kishte në dispozicion, do të luftonte për t’u renditur në katërshen e parë. Vllaznia ruajti boshtin e skuadrës, përmend këtu emra si Balaj, Hakaj, Mala, Smajli dhe Boshnjaku. Nga ana tjetër, ardhja e Krymit i dha një forcë më shumë. Pikësynimi i klubit dhe skuadrës mendoj se ka qenë renditja në katër vendet e para, sepse edhe kështu shkohet te titulli me këtë formulë.

Çfarë ndryshoi trajneri Osmani që skuadra u transformua?

Ardhja e trajnerit Osmani u bë në momente të vështira për Vllazninë. Qetësinë dhe zgjuarsinë që e karakterizon, ai i përcolli edhe në skuadër dhe te lojtarët.

Sa e ndihmon dhe sa e penalizon Vllazninë formula e “Final 4”?

Nuk mund të them që e ndihmon ose e penalizon Vllazninë kjo formulë. Kjo formulë të jep shansin që edhe vendi i katërt mund të dalë kampion. Në fund do të shohim nëse e ka favorizuar apo penalizuar.

Sa shanse ka Vllaznia që të fitojë titullin kampion?

E thashë edhe më lart se kjo formulë bën që edhe vendi i katërt të ketë shanse që ta fitojë titull kampion. I ka të gjitha mundësitë dhe aftësitë për të dalë kampion.

Drejtuesit e klubit janë të matur në këtë drejtim, mos ndoshta kujtojnë eksperiencën e pak viteve më parë?

Si drejtuesit, ashtu edhe lojtarët, duhet të jenë të qetë në këtë drejtim. Ka edhe tetë javë kampionat dhe rruga drejt fundit bëhet edhe më e vështirë. Drejtuesit e kanë eksperiencën e duhur për të menaxhuar dhe për t’u artikuluar si duhet në këto situata.

Cili mendoni se është rivali më i fortë i Vllaznisë?

Ka ekipe që synojnë “Final 4”. Rivaliteti në këto javët e fundit bëhet edhe më i fortë. Për mendimin tim, rivali më i fortë i Vllaznisë në këto momente është vetvetja

A e shikoni Vllazninë si fituese në dy fronte, kampionat dhe Kupë?

Nëse Vllaznia arrin që të mbajë këtë ritëm dhe nuk ka dëmtime, unë e shikoj të denjë për të dyja frontet, si në Kupë, ashtu edhe në kampionat.

Si e shikoni skuadrën në tetë javët e mbetura?

Tani skuadra është në fazën e fundit të kampionatit. Skuadra duhet të jetë në çdo ndeshje e fokusuar për të dhënë gjithçka në çdo ndeshje që në fund të kampionatit të dalë kampion. Nuk është e lehtë, por mendoj se trajneri Osmani ka gjetur “ilaçin” e duhur për sportistët që ata të japin maksimumin në çdo ndeshje.

Admir URUÇI

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img