Saturday, May 18, 2024

(Intervista) Miloti: Vllaznia, për fitore ndaj Partizanit. Një fitore për Mondin, tifozin e zjarrtë, ndarë nga jeta pak ditë më parë! Drejtori sportiv i kuqebluve, analizon ecurinë e kuqebluve

Lexo

Drejtori sportiv i Vllaznisë, Auron Miloti, mendon se skuadra kuqeblu duhet ta luajë çdo ndeshje të mbetur të këtij kampionati si një finale. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai ka analizuar 15 javët e para, ndërsa ka folur edhe për merkaton e janarit, ku deri më tani te Vllaznia nuk ka pasur ende asnjë afrim apo largim. Ndërkohë, duke folur konkretisht për ndeshjen e nesërme me Partizanin, Miloti thekson se ndër të tjera, fitorja që është në objektivin e skuadrës kuqeblu në këtë është detyrim edhe për tifozin e zjarrtë, Edmond Spatari, ndarë nga jeta pak ditë më parë.

Auron, pas 15 javësh kampionat Vllaznia është larg objektivit. Si ju është dukur skuadra?
Vllaznia e 15 javëve të para nuk ishte brenda pritshmërive tona. Kemi lënë shumë pikë me ekipet që kanë qenë dhe janë poshtë nesh në renditje. Me disa skuadra pritshmëritë tona nuk u realizuan dhe prandaj renditja ku jemi tani, nuk është ajo që në dëshirojmë.

Çfarë nuk ka shkuar sipas jush, pse skuadra nuk ka dhënë atë që pritej?
Ne e kemi analizuar këtë, pra se çfarë nuk kemi bërë mirë. E përsëris, kemi lënë pikë me skuadra ku pritshmëritë tona ishin të mëdha, por ne tashmë duhet të luftojmë dhe të japim maksimumin tonë në çdo ndeshje. Kjo është pika ku ne duhet që të punojmë fort.

Nuk keni zyrtarizuar ende asnjë afrim, cili është plani juaj për merkaton?
Ne nuk po qëndrojmë ulur dhe po numërojmë yjet. Merkatoja në dimër nuk është e lehtë, sepse ka pak lojtarë cilësorë në treg dhe kjo na vështirëson shumë punën për të afruar ata që kërkojmë.

Cili është pozicioni i lojtarit që kërkoni të forconi skuadrën?
Ne kemi hyrë në merkaton e janarit për një sulmues. Pra, një sulmues i cili do të ndihmojë skuadrën për objektivin që ne kemi. Shpresojmë dhe besojmë se do t’ia arrijmë.

Viti 2023 nis me një ndeshje ndaj Partizanit në transfertë, si e parashikoni këtë përballje?
Kemi përballë skuadrën që kryeson klasifikimin. Ne e dimë forcën që Partizani, ka sepse këtë e tregon edhe renditja. Është ndeshja e parë për këtë vit dhe duhet të tregojmë vlerat tona si skuadër.

Objektivi i Vllaznisë është fitorja për t’u afruar sa më shumë me kreun apo do t’ju kënaqte edhe një pikë në kryeqytet?
Objektivi ynë është që të japim maksimumin në çdo ndeshje, në mënyrë që në fund të kënaqim tifozërinë e mrekullueshme, që është si oksigjen për ne. Është një ndeshje që ne po e luajmë edhe pa tifozin tonë të dashur, Mondin (Edmond Spathari), i cili është ndarë nga jeta. Kjo është një ndeshje që do ta luajmë për ta fituar edhe për Mondin.

Mungesa në mbrojtje, por jo vetëm. Sa e penalizon kjo situatë ekipin?
Kemi tri mungesa kryesore. Megjithatë, ekipi e ka forcën që t’i kompensojë këto mungesa dhe të marrë atë që duhet nga kjo përballje.

Çfarë do të presim nga kjo Vllazni deri në fund të këtij sezoni?
Thjesht, deri në fund të sezonit ne duhet të japim maksimumin tonë. Duhet të luajmë çdo ndeshje si një finale. Lojtarët janë gati, shpresojmë që në fund të arrijmë objektivin që kemi.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img