Friday, April 26, 2024

(Intervista) Nikolin Pali, “Mjeshtër i Madh”. Veterani i basketbollit shkodran, rrëfen karrieren e tij me Vllazninë, Partizanin dhe kombëtaren e Shqipërisë

Lexo

Ish basketbollisti kampion i Vllaznisë, Nikolin Pali, është dekoruar me titullin e lartë Mjeshtër i Madh,  akorduar nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Shkodrani i mirënjohur që krahas  Vllazninë, ka luajtur me shumë sukses edhe me Partizanin dhe Kombëtaren e Shqipërisë Nikolin Pali, jeton prej shumë vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por lidhjet me Shqipërinë, Shkodrën, si dhe basketbollin, pasionin e tij të rinisë, vazhdojnë të jenë të pranishme edhe sot kur mosha e tij është disi e thyer. Falë vlerave të paraqitura në karrieren e tij të pasur sportive, erdhi edhe nderimi nga institucioni i Presidencës duke i akorduar titullin e lartë, Mjeshtër i Madh. Në bisedën që Veriu Sport, realizoi me veteranin e nderuar të basketbollit shkodran, Nikolin Pali, rrëfen plot emocione jetën e tij sportive, që kur e nisi në moshë të vogël në Shkodër, sukseset e vazhdueshme me Vllazninë, Partizanin dhe kombëtaren, traditën e familjes sportive Pali, ku përpos tij, spikasin edhe mostra Luçi, si dhe Bep Pali, sij mbrojtësi shtalartë i Vllaznisë kampione vite më parë.

Urime për titullin, Nikolin!

Ju faleminderit ju dhe të gjithë shokëve shkodran.

Ju keni vite që jetoni në Amerikë, por ky rikthim në Shqipëri për këtë titull patjetër është një shpërblim i karrierës tuaj sportive në vite.

Patjetër, u jam shumë mirënjohës tifozëve shkodran dhe të gjithë drejtuesëve që më kujtuan në këtë moshë për këtë titull nderi. Jam shumë i nderuar.

Në karrierën tuaj sportive, keni filluar herët me ekipin e të rinjve të Vllaznisë dhe shumë shpejt kaluat me të rriturit ku u shpallët kampion i Shqipërisë dhe më pas u bëtë pjesë e Partizanit ku karriera e Nikolin Palit u pasurua më shumë u pasurua edhe më shumë. Çfarë kujtoni nga fillimet tuaja me ekipin e të rinjve?

Fillimisht kemi pasur një trajner shumë të mirë, Muhamet Sokoli. Ai sot është në moshë të vjetër, por është i nderuar dhe i respektuar. Ai ka ditur shumë mirë t’i grumbullojë talentet e rinj të basketbollit dhe të gjithë nga ekipi i të rinjve të tij kanë kaluar me të rriturit si Asllan Gjyrezi, Petrit Osmani, Angjelin Shiroka, unë etj. Filip Guraziu dhe Renato Radoja kanë ardhur të përgatitur nga Tirana pasi kanë qenë atje me shkollë. Të gjithë ndihmuam të dalim kampion, të marrim dy kupa të Republikës. Menjëherë pas të rinjve tek të rriturit me trajner Esat Haxhi, fituam dy Kupa. Në ekip kishim Luan Shatkun, Skënder Osmanin, Petritin Osmanin, Asllan Gjyrezin, Roland Kokën, që ka qenë organizator, e shumë e shumë të tjerë. Nuk mund të veçoj askënd, secili ka vendin e vet dhe secili ka kontribuar për ekipin e Vllaznisë që të shkojë lart e më lart.

Një ansambël shumë simpatik që patjetër keni nostalgji për atë brez.

Ato shokë janë për t’u respektuar sepse e kanë avancuar Shkodrën si figurë sportive, pavarësisht se futbolli ishte i pari, por me punën tonë kemi bërë që edhe basketbolli të shkojë krahas futbollit.

Keni ndonjë ndeshje interesante që ju ka mbetur në kujtesë nga ato vite?

Unë kujtoj që ndeshjet kanë qenë shumë luftarake dhe me shumë interesim. Gjithmonë ndeshjet e rëndësishme dhe me shumë konkurencë kanë qenë ndaj 17 Nëntorit dhe Partizanit. Pastaj doli në skenë Vllaznia me Refik Vorfën, Kotrrin, Llazanin dhe shumë të tjerë. Duhet të përmenden gjithmonë ndeshjet ndërkombëtare në fillimet tona me Partizanin kundër Oransodës. Barazimi i parë me to 73-73 ishte një sukses shumë i madh për të gjithë basketbollin shqiptar në Europë. Në atë ndeshje kam luajtur gati gjithë ndeshjen.

Në Shkodër ndeshjet i keni zhvilluar në këndin e vjetër sportiv “Spartak” apo jo?

Po, atje i kemi zhvilluar. Shumë nostalgji dhe interesim të madh. Në fillim kemi zhvilluar një ndeshje ndërkombëtare me ekipin rumun, e kemi zhvilluar në fushën pas portës te stadiumi “Vojo Kushi” në mënyrë që të mbledhim sa më shumë tifozë, sepse këndi “Spartak” nuk kishte shumë kapacitet për tifozët.

Më pas nga Vllaznia kaluat te Partizani ku edhe aty morët shumë trofe. Disa nga bashkëkohësit tuaj që gjetët atje?

Aty kam filluar me basketbollistin më të mirënjohur Agim Fagun. Ai ka qenë një basketbollist shumë i talentuar dhe ai ka punuar jo vetëm për vete por edhe për basketbollin në përgjithësi me talentet e reja. Ishte shumë i dhënë pas Avenir Kalasë, Robert Kuqos e shumë të tjerë qe ishin brezi i ardhshëm i basketbollit. Ai gjithmonë u mundonte t’i ndihmojë me këshilla.

Krahas të tjerave Nikolin Pali ka spikatur për shtatëlartësinë e tij që ka dominuar në fushën e lojës.

Unë kam qenë 1.96 dhe të gjithë më thonin rritu dhe pak që të bëhesh 2 metër. Më pas erdhi Avenir Kalaja, ai ishte 2-metroshi i parë i Shqipërisë.

Sa vite luajtët me Partizanin dhe kur e mbyllët karrierën sportive?

Kam luajtur deri ne vitin 1975. Në atë vit, pas grupeve puçiste. Petrit Dume, Beqir Balluku e te tjerë që ishin aty më eliminuan mua sepse unë e kisha biografinë e “keqe” pasi një xhaxha e kisha të arratisur. Kur xhaxhai u pushkatua, më eleminuan dhe nuk pyste kush çfarë shkalle je ose sa i mirë je në sport. Ka qenë një fatkeqësi e madhe.

Ndërkohë, në familjen Pali përpos jush është veçuar në historinë e sportit shkodranë edhe motra juaj Luçi në atletikë  dhe Bepin Pali në futboll, gjiganti i mbrojtjes së Vllaznisë. Një traditë familjare në familjen Pali.

Po e vërtetë, nje familje sportive. Të tre në sporte të ndryshmë dhe tre talente. Faktikisht, Bepi ka qenë basketbollist shumë i mirë. E ka filluar me basketboll dhe ka luajtur 1 vit pastaj trajneri i futbollit Medin Zhega, e kishte shikuar dhe i thoshte që ke me shumë talent në futboll se në basketboll. Ndërkohë Luçi në atletikë me trajner shumë të nderuar Fehti Dizdari. Për mua, profesit Feti, është një ndër figurat më të nderuara në atletikën e qytetit të Shkodrës por edhe Shqipërisë.

Prej sa vitesh jetoni në Amerikë, sa ju mungon Shkodra?

Jetoj prej 25 vitesh në Amerikë. Na mungon shumë sepse kemi ikur në një moshë të rritur dhe kam gjithmonë nostalgji dhe respect për qytetin e Shkodrës.

Keni takuar miqt tuaj gjatë qëndrimit në Shqipëri?

Kam takuar shumë pak. Vetëm Renato Radojen, Avenir Kalanë, Petrit Osmanin të tjerët nuk janë në Shqipëri ose nuk kanë mundësi.

Kanë tentuar brezat e tjerë të familjes tuaj, që të vazhdojnë traditën e familjes Pali në sport?

Nuk e kanë pasur me shumë qejf, i janë përkushtuar shkollës dhe kanë studiuar. Vajza është e apasionuar pas basketbollit, ka luajtur në Shkodër me ekipet pionere, që kanë qenë shkollat e basketbollit, dhe më pas edhe në Amerikë pati një farë karriere.

Gjatë qëndrimi në SHBA, sportin shqiptar, në veçanti basketbollin e ndiqni?

Po, e ndjek shumë. Më bën përshtypje që nuk ka më aq shumë talente. Shof Vllazninë dhe ka shumë pak shkodran dhe shumica të huaj. Por megjithatë është duke përparuar basketbolli. E ndjek që Vllaznia luajti mirë në ndeshjet e fundit dhe ishte  pretendente për kampione.

Jemi në mbyllje të kësaj bisede, keni ndonjë gjë për të shtuar?

Dua t’i jap një mesazh brezit të ri. Mos e harroni kurrë Shkodrën, ndiqeni sportin sepse është një gjë shumë e mirë për zhvillimin trupor dhe mendor, sidomos basketbolli.

Nikolin Pali, ishte kënaqësi realizimi i kësaj inter viste me ju. Urime edhe një herë për titullin, Mjeshtër i Madh dhe jetë sa më të gjatë!

Faleminderit ju!

Intervistoi: Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img