(Intervista) Presidenti Duka në Klan News: Nuk ka ndeshje të lehta, duhet përqendrim maksimal ndaj Finlandës

Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, ishte i ftuar në një lidhje live në Klan News, ku zhvilloi një bisedë me gazetarin Besart Jacaj, në prag të ndeshjes Shqipëri – Finlandë.

Gjatë intervistës, Presidenti Duka foli për rëndësinë e sfidës ndaj Finlandës, atmosferën dhe interesin e lartë të tifozëve, ecurinë e Kombëtares dhe objektivin për të mbyllur në vendin e parë grupin. Ai komentoi gjithashtu zgjedhjet e trajnerit Maran, mungesën e Armando Brojës, rikthimin e Etrit Berishës dhe çështjen e portierit Elia Caprile.

Në fokus të bisedës ishin edhe ligji i sponsorizimit, kostot e organizimit të Kombëtares dhe roli i ekipeve kombëtare në zhvillimin dhe promovimin e futbollistëve shqiptarë.

Intervista e Presidentit Duka në Klan News.

Ndeshja ndaj Finlandës? – Në përgjithësi, ndeshjet e ekipit Kombëtar janë gjithmonë të rëndësishme dhe ajo atmosfera para ndeshjes është e njëjtë. Përqendrimi maksimal, tashmë jemi futur në 48 orët e fundit dhe çdo gjë mendohet vetëm për fushën, për atë që duhet të bëjmë. Askush nuk mund ta mendojë se si do të jetë rezultati i ndeshjes, por ajo që mendojnë të gjithë futbollistët është që të japin maksimumin, të jenë një grup harmonik në fushën e lojës dhe pastaj urojmë që të vijë dhe rezultati.

Ke komunikuar me trajnerin Maran, a ka ai ndonjë shqetësim? – Padyshim që kam komunikuar me trajnerin, me stafin dhe të gjithë futbollistët. Kam qenë gjatë gjithë kohës me ta, edhe në stërvitje dhe e kam ndjekur atmosferën pozitive hap pas hapi. Padyshim që trajneri është një nga ata që ka më shumë dhimbje koke para ndeshjes, sepse duhet të mendojë si ta zgjedhë ndeshjen, futbollistët që duhet të hedhë në fushë, si të luajë dhe si duhet të sillet me kundërshtarin. Dhimbjet e kokës së tij, jo vetëm para fillimit të ndeshjes, por edhe gjatë ndeshjes janë goxha të mëdha. Por, duke qenë një trajner me eksperiencë, nuk është hera e parë që jeton me ndeshjen, nën presionin e rezultatit, apo të vazhdimësisë së rezultateve pozitive për realizimin e objektivit për të qenë të parët e grupit. Me eksperiencën që ka, di se si ta menaxhojë situatën.

Janë shitur të gjitha biletat për ndeshjen, kaq i lartë ishte interesi për këtë sfidë? – Tashmë Kombëtarja është e ndjekur në të gjitha ndeshjet e saj. Ndaj San Marinos e pamë, asnjëherë nuk kishte ndodhur të kishte 17 mijë tifozë në stadium, ishte rekord. Në të gjitha ndeshjet stadiumi është plot. Njerëzit e duan Kombëtaren, duan ta mbështesin atë, duan që të jetojnë në atmosferë dhe pse jo të kalojnë dy orë të bukura dhe të presin një rezultat pozitiv live në stadium. Nuk mendoj se ka lidhje me asgjë tjetër, përveç dëshirës për të ndjekur dhe mbështetur skuadrën në stadium.

Diskutimi i çmimeve padiskutim që është diskutim i drejtë nga të gjitha këndvështrimet, që çmimet të jenë sa më të lira. Ekipi, organizimi, gjithçka janë kosto. Ky është një produkt me kosto shumë të larta dhe nëse do ta shisnim produktin me kostot që ka, çmimi mbase mund të ishte dhe 10 herë më shumë. Nuk është llogaritur kostoja, por është përshtatur niveli ekonomik i vendit. Është e shtrenjtë Kombëtarja, organizimi i saj dhe detyrimisht FSHF detyrohet të vendosë disa çmime që të sigurojë një të ardhur minimale për këto shpenzime.

Mungesa e Armando Brojës? – Zgjedhjet janë subjektive. Si vendos një trajner, nuk vendos një tjetër. Por një gjë është e sigurt, çdo trajner bën atë që është e sigurt dhe në këtë moment trajneri Maran ka menduar që kjo është zgjedhja më e mirë për këta futbollistë. Me dëshirë ai mund të ftojë dhe më shumë, por këto janë rregullat e futbollit. Nëse ka menduar që Manaj, Daku dhe Shpendi janë në një formë më të mirë dhe ka vendosur që t’i thërrasë. Kjo nuk do të thotë që Broja nuk është një futbollist i ekipit Kombëtar. Ai është një talent, akoma i ri dhe ka akoma shumë për të dhënë. Padyshim që jam shumë i sigurt që do të jetë pjesë e ekipit Kombëtar dhe do të ketë minutat e veta. Unë besoj që ne të gjithë jemi në një mendim që Armando Broja është një nga talentet më të mëdha sot dhe mbase të të gjithë historisë së saj. As ai vetë, apo ne nuk e kemi marrë atë talent që ai ka, akoma nuk e kemi marrë atë që ka Armando Broja. Padyshim që ka kontribuar. Askush nga ne nuk mund t’i harrojë golat kundër Hungarisë, pavarësisht se ka kaluar një lloj kohe dhe paraqitje të tjera të tij pozitive. Edhe nëse mendohet që është një moment jo për të, sepse dëmtimet nuk e kanë lejuar që të jetë në formën e tij më të mirë. Të kalojë dëmtimet, të ketë më shumë minuta dhe jam i sigurt që do ta ndihmojë akoma më shumë ekipin Kombëtar.

Etrit Berisha? – Pavarësisht një ndërprerjeje dyvjeçare, në momentin që u ftua ishte gati për ekipin Kombëtar. Ka dhënë më të mirën e vet, pavarësisht se fati nuk e ndihmoi në ndeshjen e Finlandës. E rëndësishme është që ne e kemi Etritin në Kombëtare dhe do të marrim kontributin e tij edhe në dy ndeshjet e ardhshme dhe pse jo në vazhdim.
Caprile ka marrë pasaportën shqiptare, ka diçka të vërtetë? – Ka diçka të vërtetë. Caprile është pajisur me pasaportë shqiptare me objektivin për të qenë pjesë e Kombëtares shqiptare. Por kjo është një procedurë e cila duhet të ndiqet nga ne. Ka shumë kualitet për ta ndihmuar Kombëtaren. Është në moshë relativisht të re, nëse llogarisim sa vite luajnë portierët. Nuk është një rrufe në qiell të hapur sepse ka një lloj lidhjeje me Shqipërinë, nuk është se e ka marrë kot pasaportën. Nëse do ta kemi në ekipin Kombëtar do të jetë vlerë e shtuar. Nuk është një gjë që mund të ndodhë sot.

Finlanda na mundi, si e shikoni ecurinë e Kombëtares deri tani dhe cila është për ju ndeshja më e vështirë? – Aq eksperiencë sa kam unë, është gabim i madh nëse do të them kush është më e rëndësishme, apo më pak e rëndësishme. Kemi një të kaluar të afërt të ndeshjes së fundit me San Marinon. Askush nuk e kishte menduar se do të shkonte ashtu, rezultoi shumë e vështirë për ne dhe fituam në limitet e kohës. Unë mendoj që nuk ka qenë përqendrimi maksimal i futbollistëve dhe sipas meje ky është ndryshimi i ekipeve që quhen të mëdha dhe të vogla, sepse nuk arrijnë të vetëpërqendrohen maksimalisht kundër kundërshtarëve që i mendojnë në letër më të vegjël. Por, realisht sot nuk ka më kundërshtarë të dobët, të gjithë janë të fortë. Nuk ekzistojnë më ndeshje të lehta. Ndeshjet janë të gjitha të vështira. Vetëm ti me impenjimin tënd, apo me frymën e skuadrës mund ta bësh atë të lehtë, por nëse mendon që është e lehtë, atëherë ke gabuar akoma më rëndë, siç ishte rasti i San Marinos. Finlanda është një kundërshtar i një niveli sportiv, sipas mendimit tim, ne mund të jemi pak më mirë se Finlanda. Por futbolli nuk është shkencë ekzakte, duhet ta tregosh në fushë këtë gjë. Nuk fiton gjithmonë ai që mendon që është pak më i mirë, apo që ka vlerë më të madhe të ekipit në treg. Pikërisht për këtë futbolli është dhe më i bukur, sepse ka surpriza. Unë uroj që të mos ndodhë asnjë nga këto surpriza në ndeshjen tonë. Ia kam kërkuar edhe skuadrës dhe stafit, që vlerësimi të jetë maksimal për ndeshjen e parë, fillimisht ndaj Finlandës, dhe ta fitojmë atë ndeshje.

Krahasimi i Rolando Maran me Sylvinho? –  Këtë pyetje ma kanë bërë edhe më parë për trajnerë të tjerë dhe kam dhënë pothuajse të njëjtën përgjigje: Ai i cili është trajner i ekipit kombëtar shqiptar sot!

Pse Kombëtarja është më e varur nga lojtarët që luajnë në ligat europiane dhe ku është prodhimi i akademive në Shqipëri apo Kategorisë Superiore? – Futbollisti më i suksesshëm apo më në formë i momentit i ekipit Kombëtar është Ernest Muçi, një prodhim i akademive shqiptare dhe i klubeve shqiptare. Kemi disa që kanë dalë nga klubet shqiptare. Së fundmi janë edhe katër të ftuar nga Abissnet Superiore. Kështu që nuk është e vërtetë që nuk ka futbollistë nga akademitë apo klubet shqiptare. Ramadani ka ardhur po ashtu nga klubet shqiptare, ashtu si Muçi e emra të tjerë. Së fundmi është ftuar edhe Ismaili. Ka shumë lojtarë që kanë dalë nga klubet shqiptare. Pa dyshim që çdo trajner mundohet të përzgjedhë më të mirët, si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë.

Mendoni se në të ardhmen Shqipëria mund të ketë një trajner shqiptar? – Ne kemi trajnerë shumë të mirë, si ata që punojnë në Abissnet Superiore, ashtu edhe ata që punojnë jashtë Shqipërisë, në Kosovë apo në vendet e tjera. Por një trajner i huaj ka disa karakteristika që mund ta ndihmojnë më mirë ekipin. Edhe shkëmbimi i eksperiencave ndikon. Nuk mund të themi kurrë që ka ardhur koha apo ka ikur koha. Në çdo kohë mund të bësh një zgjedhje ndryshe, shqiptar apo jo shqiptar.

Keni reaguar për tifozin Erjon Vishkulli, i cili u plagos në protestat e studentëve. Ju personalisht keni komunikuar me të? Cila ka qenë ndihma që FSHF-ja i është gjendur? – Unë personalisht nuk kam komunikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me djalin, pasi, siç dihet, është në Itali dhe nuk kam njohje personale. Di që ka qenë dhe është pjesë e tifozëve të ekipit Kombëtar, pjesë e grupimit Tifozët Kuq e Zi. Jo vetëm publikisht, por edhe përmes njerëzve, i kam dërguar disponibilitetin jo vetëm të FSHF-së, por edhe timin personal, për ta ndihmuar në çdo gjë që ai të ketë nevojë. Nuk ka ndodhur ndonjë ndihmë konkrete deri në këto momente. Ai është në Itali duke u kuruar dhe unë uroj që ai të dalë sa më mirë. Në momentin e parë që do të na jepet mundësia, pa dyshim që do t’i ofrojmë atë që i duhet.

Mund të ndikojnë protestat në Tiranë te ndeshja e së shtunës? Keni kërkuar këtë herë masa shtesë nga ana e policisë? – Ne gjithmonë kërkojmë që të kemi rregull në stadium dhe unë i ftoj tifozët që ta mbështesin ekipin Kombëtar ashtu siç e meriton Kombëtarja e Shqipërisë, sportivisht. Pastaj, jashtë stadiumit të bëjnë si mendojnë vetë. Në stadium le të jemi sportivë.

Sa i takon ligjit të sponsorizimit, cili është këndvështrimi juaj për këtë çështje dhe çfarë po humb vendi me moskalimin e këtij ligji? – Ky është një diskutim shumë i gjatë. Ka shumë vite që e diskutojmë dhe na premtohet që do të bëhet. Unë tashmë nuk mund të them me siguri, pavarësisht sigurisë që më japin autoritetet politike të vendit, te kryeministri, sigurisht që kjo do të bëhet këtë vit. Kemi bërë takime pa fund, propozime, shkëmbime mendimesh, premtime, por ende nuk është konkretizuar asgjë. Është bërë temë diskutimi në qeveri, ka pasur kundërshtime nga Ministria e Financave, por përfundimisht dhe shprehimisht nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe nga ministri i Sporteve më është thënë shkurt që do të bëhet brenda këtij viti. Unë uroj që kjo të jetë e vërtetë dhe të bëhet brenda këtij viti. Nëse do të miratohet një ligj ashtu siç ne e kemi diskutuar, siç e kemi premtuar dhe ashtu siç i shërben zhvillimit të sportit në Shqipëri, do ta shohim në ditët në vijim të këtij viti.

Është folur për një konkurrencë me Federatën e Futbollit të Kosovës, sidomos kur u vendos që ata të kishin Kombëtaren e tyre. E keni ndjerë këtë konkurrencë apo është më shumë bashkëpunim sesa konkurrencë? – Ne kemi pasur luksin të kishim në dispozicion të gjithë shqiptarët e kudondodhur që luanin futboll. Kosovë, Maqedoni apo rajone të tjera jashtë vendit. Me krijimin e Kombëtares së Kosovës, një lloj cenimi është, sepse disa futbollistë, apo shumë futbollistë, zgjedhin që të luajnë me Kosovën dhe bëjnë shumë mirë.

Në atë kohë, në vitin 2015, kur diskutohej për anëtarësimin, ne lobuam për anëtarësimin e Kosovës, edhe pse dikush më tha: Pse ti lobon kaq shumë, sepse futbollistët do të ikin në Kosovë? Unë jam i lumtur që kam lobuar dhe do ta ribëja sërish të njëjtën gjë, sepse edhe fëmijët e Kosovës kanë të drejtën të luajnë futboll e të kenë përfaqësuesen e tyre. Nuk ka asnjë problem nëse zgjedhin të luajnë për Kosovën, edhe pse do të isha i lumtur nëse do të zgjidhnin Shqipërinë.

Disa tifozë thonë që kur fiton Kombëtarja, nxitojnë të gjithë për të dalë në deklarata, ama kur humbet skuadra, largohen të gjithë. E keni ndjerë këtë kërkesë llogarie? – Unë jam këtu si kur fitojmë, ashtu edhe kur humbasim, në shi apo në diell, së bashku me djemtë, për të festuar apo edhe për t’u hidhëruar bashkë.

 

- Reklamë -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Reklamë -spot_img

Video

Lexo edhe