Monday, November 25, 2024

(Intervista) Presidenti i Vllaznisë volejboll femra, Florian Zekja, analizon pjesën e parë të sezonit, largimin e lojtareve të huaja, rikthimin e shkodraneve në ekip si dhe objektivat për të ardhmen

Lexo

Zoti Zekja, fillimi i sezonit nisi me prezantimin e tre volejbollisteve të huaja, Aramchyk, Kniazeva e Ljubov, si dhe objektiva madhore për fitimin e titullit kampion. Por, gjysma e sezonit ju gjen në vendin e katërt në kampionat dhe të kualifikuar në gjysëmfinalet e Kupës së Shqipërisë.

Kronologjia që bëni për fazën e parë është shumë e saktë. Ne si staf e filluam me shumë ambicie fazën përgatitore duke afruar pranë ekipit trajnerin Besnik Lisha me emër në gjithë ambientin e volejbollit, po ashtu me ndihmën e familjes së tij u arrit një partneritet për të ndihmuar ekipin e Vllaznisë me një fond që mund të siguronte afrimin e 3 lojtareve me eksperiencë Aramchyk, Kniazeva e Ljubov. Këtyre lojtareve ju bashkangjit dhe ekipi i U20 fitues i të gjitha trofeve kombëtare. Në letër dukej se do ishte një skuadër pretendente për të gjitha kompeticionet. Pavarësisht fazës përgatitore të filluar që në muajin gusht të drejtuar nga Lisha e Tafa si dhe 2 trajnerë për përgatitjen fiziko-atletike, fillimi i kampionatit nuk dha frytet që prisnim. Kësaj situate ju bashkua dhe mosmarrëveshjet me lojtaret bazë të ekipit Zhivani dhe Kuçi .

Në mbyllje të vitit larguat volejbollistet e huaja, çfar nuk shkoi me to që nuk arritën të japin efektin e duhur në radhët e Vllaznisë?

Ajo që mendoj unë se nuk shkoi, ishte mungesa e eksperiencës së disa lojtareve shqiptare , por dhe mungesa e impenjimit të lojtareve të huaja. Nuk u arrit të kishte harmoni mes grupit shqiptar dhe atij të huaj ku filloi dhe “xhelozia” mes grupeve, si për aktivizimin, po ashtu dhe për kontributin. Për fatin e keq ky është një sport kolektiv dhe nqs nuk funksionon, rezultatet nuk janë ato të duhurat përballë ekipeve më të stabilizuara si Partizani, Skënderbeu apo Tirana.

Si janë marrëdhëniet me trajnerin e parë Besnik Lisha dhe stafin e tij teknik, i kënaqur me punën e tyre?

Marrëdhëniet me trajnerin Lisha, po ashtu me tre tajnerët e tjerë Bardeli,Tafa dhe Haxhagiq janë shumë të mira dhe mund të them se të gjitha vendimet merren me kolegjialitet dhe në dakortësi mes njëri – tjetrit.

Largimi i volejbollisteve të huaja është shoqëruar me rikthimin në skuadër të volejbollisteve shkodrane, të larguara përkohësisht nga skuadra për arsye të ndryshme.

Rikthimi i lojtareve  shkodrane nuk ka lidhje me largimin e lojtareve të huaja. Daniela Kodra mbaroi fazën e parë të studimeve në Itali dhe u rikthye pranë ekipit për të zhvilluar fazën e dytë. Zhivani dhe Kuçi u rikthyen mbas shumë bisedash me profesor Besën dhe zgjidhjen e “mosmarrëveshjeve “. Mendoj se kontributi i tyre do jetë i vlefshëm dhe do ndihmojë ekipin për të ecur përpara.

Tashmë jeni një skuadër me përbërje Bio shkodrane, duke iu rikthyer një preference tuajën qw e keni deklaruar në fillimet e presidences kuqeblu të volejbollit femra.

Vllaznia ka nevojë për afrimin e të gjitha vajzave shkodrane që militojnë në skuadrat shqiptare apo të huaja. Përpjekja ime ka qënë dhe do intensifikohet për t’i bindur vajzat që Vllaznia nuk është e imja apo e stafit, ajo është e të gjithë shkodranwve dhe duhet kontributi i të gjithëve që qyteti i Shkodrës të ketë një titull kampion dhe të ngrihet në nivelet ku i takon.

Largimi në fillim të sezonit i 16 vjeçares së talentuar, Adma Mikopula nga Vllaznia tek Skënderbeu kampion në fuqi u shoqërua me komente të shumta mediatike, por edhe me reagime nga babai i saj, ish volejbollisti dhe ish trajneri i Vllaznisë, Adrian Mikopula. Vazhdojnë të jenë të ngrira marrëdhëniet me këtë volejbolliste, apo mund të ketë ndonjë vendim për rikthim, ashtu si edhe për koleget e saj?

Përsa i përket lojtares së talentuar Adma Mikopula, unë i qëndroj të njëjtit mendim. Ajo duhet të jetë kapitene dhe baza e ekipit të moshës që i përket. Në këtë mënyrë ka mundësi aktivizimi më të madhe si dhe mund të jetë lojtare kyç e kombëtares U19.  Dera e ekipit është e hapur për çdo vajzë shkodrane, por mbetet në vlerësimin e familjes së Admës për të vendosur se ku duhet të aktivizohet. Nuk diskutohet që me praninë e saj në ekipin U18 rezultatet do ishin më të mira

Së fundmi, diçka për objektivat e pjesës së dytë të sezonit. Deri ku mund të shkojë Vllaznia me përbërjen që ka në dispozicion? Jeni në garë në tre fronte, Kampionat, Kupa e Shqipërisë dhe Liga “Gjergj Kastrioti”, cilat janë pritshmëritë për skuadrën që financoni?

Unë jam i prirur që situatën ta shoh pozitivisht. Vajzat e reja kanë avancuar shumë në krahasim me fillimin e fazës së parë. Kompletimi i skuadrës me rikthimet e vajzave shkodrane do japi efektin e duhur.

Normale që pretendimet nuk janë ato të fillimit me ” kontributin” e lojtareve të huaja, por mendoj se nqs stërvitemi rregullisht dhe do kemi një grup kompakt, do kemi mundësi ti nxjerrim mjaft probleme ekipeve elitare, por ajo që është më e rëndësishmja do vendosim një “tullë të rëndësishme” në rikthimin në majë të volejbollit shqiptar. Pastaj Ju e dini që unë jam një fans për të pasë një ekip “Bio” me vajza shkodrane.

Faleminderit dhe një vit sa më të suksesshëm për Veriu Sport

Intervistoi: Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img