Friday, November 22, 2024

(Intervista) Sejdini: Vllaznia favorite për titullin kampion. Ish futbollisti dhe ish trajneri dinamovit e vlerëson Egnatian si skuadrën më të mirë por duket e ngopur, ndërsa Dinano e prishi vetë

Lexo

Kur flet një usta i futbollit, si Faruk Sej dini, që në karrierë i ka provuar të gjitha, duhet të mbash shënime me kujdes. Ish-lojtari dhe i ish-trajneri i Dinamos, në një intervistë për “Panorama Sport”, flet për gjendjen e bluve, të skuadrave të tjera të kryeqytetit dhe garën e titullit tani që jemi në momentin final të sezonit. “Xhaxhi” përsërit me forcë se formula e këtij sezoni është një gabim i madh. Ai e sheh Dinamon ende në lojë për 4-shen e parë, kurse për çështjen e titullit gjykon se do të ndahet mes Egnatias dhe Vllaznisë.

Profesor Sejdini, kemi hyrë tashmë në momentin final të këtij sezoni. Le ta fillojmë me Dinamon, që sikur ka rrëshqitur pak këto ndeshjet e fundit…

Jo pak, por shumë. Nuk e di pse kështu, por më vjen shumë keq, sepse kishte arritur në një moment shumë të bukur, që sikur e prishi vetë dhe tani ka arritur në një pikë, ku duhet të fitojë medoemos dy-tre ndeshjet e radhës, që të kthehet në shina.

Për herë të tretë këtë sezon humbi me rezultatin 3- 2 me Tiranën. Si shpjegohet?

Po, kanë qenë si humbje të stampuara për Dinamon kundër Tiranës. Dhe kur të ndodh e njëjta gjë disa herë, do të thotë se aty ka një problem të madh psikologjik, që lojtarët nuk po arrijnë ta kalojnë dot. Më duket se mungon lojtari, apo lojtarët lider në skuadër. Jo në kuptimin negative, që t’u kërkojnë llogari të tjerëve, por të dinë ta orientojnë skuadrën në momente të rëndësishme të ndeshjes. Duhet të ketë “violina të para”, që Dinamo nuk i ka aktualisht. Denison për shembull, është një lojtar me cilësi, por duhet të shënojë dhe të ndihmojë më shumë ekipin, jo ta mbyllë aksionin jo thjesht duke e pasur topin dhe duke marrë sërish vetë….

Megjithatë, matematikisht është ende në lojë për 4- shen e parë. Sa mundësi ka që të jetë aty në fund të sezonit?

Patjetër që është në lojë, por ia ka vështirësuar punën vetes. Ka ndeshjen me Skënderbeun dhe atë të prapambeturën me Teutën, që duhet t’i fitojë patjetër, sepse po nuk e bëri do të përfundojë duke luftuar për mbijetesë.

Nëse fiton, shkon prapë aty ku ishte dhe shton shanset e saj për të shkuar në 4-she. E Skënderbeun, që ka gjendje të mirë, si dhe me Teutën, që javët e fundit ka bërë progres, kurse Dinamo ka bërë regres, prandaj dhe them se e prishi vetë në një farë mënyre. E kam thënë edhe më parë për gazetën tuaj se Dinamo është si ai nxënësi që çuditet kur merr 10. Por unë besoj se do të rifutet në lojë, duke marrë dy fitore që i ka të domosdoshme në këtë moment.

Çfarë mendimi keni për garën e titullit, kur po i afrohemi fundit të kampionatit dhe “Final 4”-it?

Për mendimin tim, Egnatia është skuadra më e mirë e këtij kampionatit në gjithë komponentët e futbollit. Por më duket si një solucion i ngopur. Më duket sikur e ka arritur atë pikën më të lartë të kurbës së saj dhe tani ka filluar atë rënien e lirë. Ka qenë deri në 11 pikë përpara dhe tani është vetëm 2 pikë përpara vendit të dytë.

E kërcënon tashmë Vllaznia, sa mundësi ka kjo skuadër për ta fituar titullin?

Mendoj se është rreziku kryesor për Egnatian. Vllaznia ka treguar më shumë stabilitet në gjithë këto javë, e ka nisur nga poshtë dhe ka ardhur në rritje. Kjo është shumë pozitive. Tani, atë që më parë Vllaznia e shihte si një ëndërr, e sheh si një realitet të prekshëm. Ka mundësi reale për të fituar titullin.

Po fakti që ndeshjet e “Final 4” luhen në Tiranë, sa i penalizon shkodranët?

Shumë, besoj i penalizon shumë. Sepse ne flasim gjithë kohën për faktin që na mungojnë tifozët, që skuadrat kanë nevojë për atë lojtarin e 12-të, të cilin Vllaznisë ia heqim. Pse? Për çfarë arsye? Ndoshta tifozët shkodranë do të vijnë të shumtë dhe në Tiranë, por nuk është njësoj si në Shkodër, sepse u duhet kohë dhe kanë shpenzime, faktorë që ndikojnë në jetën shqiptare.

Partizani dhe Tirana përjashtohen nga gara e titullit?

Jo nuk përjashtohen, por nuk janë favorite, të paktën në këtë moment. Nuk kanë pasur vazhdimësi. Partizani ka pasur luhatje, me trajnerin e ri ende nuk ka krijuar atë fizionominë e vet. Tirana pastaj me shumë mungesa gjithmonë dhe gjendja e saj reflektohet në tabelën e renditjes, ku është edhe jashtë 4-shes. Nëse mbetet kështu, do të jetë një goditje e madhe për të.

Një gjykim më të saktë për formulën e sezonit mund të jepet në fund të tij, por ju gjithmonë keni qenë kundër. A ka ndonjë dobi të vazhdojmë kështu edhe sezonin tjetër?

Jo vetëm unë. Me të gjithë që kam folur, specialistë, ishlojtarë, ish-trajnerë e tifozë, të gjithë janë kundër. Nuk besoj se që të gjithë këta njerëz janë çmendur dhe ai që vendosi për këtë formulë është në rregull. Kur bën një gabim, është e pranueshme, por kur vazhdon ta bësh këtë gabim, pastaj është faj. Nuk ka kuptim të vazhdohet, sepse nuk sjell asnjë të mirë.

Të shkosh 11 pikë para në kampionat dhe pastaj ta nisësh nga e para, nuk ka logjikë. Kampion shpallesh pas 36 javësh dhe kur nuk je i pari pas këtyre 36 javëve, nuk bëhesh kampion me dy ndeshje. Gjeli nuk shëndoshet ditën e Vitit të Ri… Futbolli dihet pastaj që është i paparashikueshëm, mund të mungojnë dy-tre lojtarët kryesorë, apo nuk janë në formë. Nuk mund të zhvlerësohet djersa e derdhur një sezon të tëra, nuk mund të barazohet djersa me hiçin.

Fatjon RUPI

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img