Ndonëse u aktivizua si zëvendësues në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Flamurtarit për Kupë, me pasin e saktë që i dha Aralicës në golin e dytë, dhe më pas vetë autor i golit të tretë, Arsid Kruja ishte përcaktues në kualifikimin e Vllaznisë në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë. Kjo përformacë e tij, shërben si mesazh në drejtim të teknikut Josa për një vend në formacion. Në proncimin dhënë gazetarit të Panorama Sport për Shkodrën, Admir Uruçi, Kruja flet për ndeshjen e Kupës me vlonjatët, hapësirat e tij në formacion, pragndeshjen me Laçin, si dhe optimizmin e tij dhe të skuadrës si pretendente për titull.
Një kualifikim i mundimshëm ndaj Flamurtarit e prisnit të ishte i tillë?
Normalisht që e prisnim të ishte një kualifikim i mundimshëm. Kupa është një ndër objektivat kryesore të klubit dhe duhet të vlerësojmë çdo ndeshje dhe të kalojmë në turin tjetër. Nuk ka ndeshje dhe kualifikime të lehta kur luan, për më tepër me ekipe me emër siç është Flamurtari.
Kontribuat me asist e gol në këtë përballje?
Një kënaqësi e veçantë. Pasi ishte një gol qetësie. Po ashtu edhe asisti për Aralicën që shënoi golin që na jepte kualifikimin.
Pas këtij goli në Kupë pret Kruja më shumë hapësirë?
Unë jam i gatshëm kurdoherë, por rëndësi ka të fitojmë dhe të gëzojmë të gjithë bashkë. Dihet se dëshira është të jem në fushën e lojës në çdo takim e të ndihmoj me aq sa kam mundësi, por kjo nuk është në dorën time. Unë jam i gatshëm në çdo moment.
A do të jetë Vllaznia sërish edhe këtë sezon në luftë për Kupën?
Kupa është një kompeticion, i cili mund të jetë siç ka qenë një mundësi e mirë për të kapur Europën dhe sigurisht që Vllaznia është në luftë për ta fituar sërish këtë trofe.
Në kampionat duket se gjërat nuk po shkojnë siç duhet, çfarë nuk po shkon?
Me punë dhe me seriozitet mund t’ia dalim. Grupi është shumë i mirë dhe lojëra shumë të mirë dhe me eksperiencë. Besoj që në ndeshjet e ardhshme do të bëjmë më të mirën.
Sa po ndikojnë dëmtimet?
Dëmtimet kanë qenë të shumta dhe shumë herë na kanë penalizuar, por shumë shpejt grupi do të jetë i plotë dhe do të kthehemi te rezultatet pozitive dhe të ngrihemi sa më lart në klasifikim.
Në fundjavë, Laçi pret që Vllaznia të arrijë një fitore, apo do t’ju kënaqte edhe një barazim?
Unë di të them që do të shkojmë të japim maksimumin dhe të marrim rezultat pozitiv, ky është objektivi për çdo ndeshje dhe ky do të vazhdojë të jetë.
Si e shikoni ecurinë e Vllaznisë në kampionat, do të jetë në listën e pretendentëve?
Padiskutim që do të jemi pretendentë, sepse me përbërjen që kemi me organikën që kemi duhet të jemi në ekipet pretendente.