Për Ermir Vajushin, shkodranin që jeton prej shumë vitesh në Gjermnai, kemi folur edhe më herët. Si një ish futbollist me ekipet zinxhir të Shkodrës, pasionin për futbollin ai e vazhdoi edhe në Gjermani. Por, më së shumtmi, gjatë viteve të fundit, emri i Ermir Vajushit ka spikatur edhe si njëri prej organizatorëve të tifozëve kuqeblu në mbështetje të ekipit të zemrës Vllaznia. E veçantë ishte sidomos nisma për realizimin e emisionit online “Rubrika Sportive”me tifozët kuqeblu.
Por, këtë radhë, Portali, “Veriu Sport”është ndalur në një element tjetër të shkodranit, Ermir Vajushi, atë të detyrës së trajnerit të futbollit, të cilën po e kryen në mënyrën më të mirë në Gjermani, atje ku jeton me familjen e tij. Detaje më të hollësishme tregon vetë Ermiri, në intervistën dhënë për Portalin tonë.
Urime Ermir! Lajmi për detyrën tuaj të re, si trajner futbolli në Gjermani, po komentohet shumë pozitivisht në Shkodër dhe më gjërë. Diçka më shumë, ju lutem për angazhimin tuaj të ri?
Klubi ku unë bëj pjesë quhet Sport Club Uelzen dhe është pjesë në kategorive inferiore të Gjermanisë, me 2 skuadra. U afrova pranë klubit në Shtator të 2021, nëpërmjet një lojtari që e njihja më parë. Fillova si ndihmës trajner në Ekipin e dytë të klubit, por pas 3 javës duhej të drejtoja skuadrën i vetëm, pasi Trajneri dhe përgatitësi atletik ishin me Covid-19.
Padyshim, debutimi si trajner në ndeshje zyrtare, është pritur me emocion nga ana e juaj?
Debutimi si trajner ishte me datën 10.10.2021 me fitore (5-1) ç’ka ishte edhe fitorja më e thellë që nga 2011. “Rekord” që u thye pak javë më pas (6-1). Pas fitores së parë, punës në stërvitje dhe barazimit jasht fushe me ekipin kryesues, që më pas doli edhe kampion, drejtuesit vendosën të më zyrtarizonin si trajner i parë i ekipit të dytë.
Si ishte bilanci i sezonit të Ermir Vajushit si trajner futbolli?
Morëm rezultate pozitive gjatë sezonit dhe ajo që kishte më shumë rëndësi ishte loja që skuadra filloi të bënte. U shndërrua nga një skuadër mbrojtëse në skuadër totalisht offensive. Sezonin e përfunduam në vëndin e 4, çka në vetvete ishte sukses për klubin që objektiv kishte mos rënien nga kategoria.
Me sa dimë, puna e juaj si trajner futbolli është shoqëruar edhe me liçensimin zyrtar si trajner.
Po, ëështë e vertetë. Me fillimin e vitit 2022 u regjistrova në kursin e trajnerave të futbollit ku në Dhjetor 2022 mora Liçencën e Trajnerit pranë Federatës Gjermane të Futbollit. Pas liçencimit, u ulëm me Presidentin dhe Drejtuesit e Klubit, ku ato më shprehën dëshirën që të merrja përsipër drejtimin e ekipit të parë, duke më dhanë besimin maksimal për projektin që klubi ka për vazhdimësinë.
Një ecuri shumë pozive e shoqëruar edhe me vlerësime nga drejtuesit e futbollit gjerman. Aktualisht, ku vazhdon të trajnojë, Ermir Vajushi?
Tashmë jam Trajneri i ekipit të pare, ku kemi filluar punën dhe jemi në fazë përgatitore për përgatitjen e skuadrës për vazhdimin e sezonit. Kemi bërë 2 ndeshje miqësore deri tani. Në ndeshjen e parë, që ishte edhe debutimi im me ekipin e parë, arritëm një fitore 3-5 ndaj një kundërshtari të fortë (ndodhet 9 pikë përpara në renditje dhe 1 ndeshje më pak), por mbi të gjitha loja që zhvilluam dhe rastet e shumta të krijuara, habitën të gjithë të pranishmit. Ndeshjen e dytë, pasi u anullua një ndeshje që ishte e planifikuar, vendosëm të bënim një test brënda familjes duke u ndeshur me ekipin tonë të dytë (ish ekipin tim) duke e fituar 19-5. Këtë të dielë do zhvillojmë edhe ndeshjen e tretë që është edhe e fundit para rifillimit të sezonit me 05.03.2023 në transfertë. Skuadra që drejtoj ra nga kategoria vitin e kaluar dhe aktualisht pozicionohet në vëndin e 7 me 13 pikë diferencë nga vëndi i parë dhe 11 pikë nga vendi i dytë. Dy vëndet që të ngjisin një kategori më lart. Sa për info, Klubi SC Uelzen është ndër klubet ma të vjetra të zonës së Niedersachsen. Maksimumi i Kategorisë ka qënë Bundesliga 3.
Cilat janë disa nga objektivat tuaja si trajner?
Objektivi jonë si staf teknik që unë e drejtoj, është që të ndërtojmë një skuadër të fortë për vitin e ardhshëm, ku do të synojmë të rikthehemi sërish një kategori më lart. Unë personalisht si trajner e mendoj, besoj dhe do e synoj ngjitjen që këtë sezon, pavarësisht diferencës së madhe. Jam duku u munduar që në skuadër të ndryshoj jo vetëm filozofinë e lojës, por mbi të gjitha të transmetoj mentalitetin fitues, që për mua është shumë i rëndësishëm. Deri tani punët duken në rrugë të mbarë dhe klima është shumë pozitive, por do të jetë vazhdimësia e sezonit që do ta vërtetojë.
Bashkëpunimi i Ermir Vajushit me sportin shkodran dhe kryesisht me KF Vllaznia ka qënë i vazhdueshëm. Por, natyrisht që tashmë në profiling e trajnerit të futbollit, patjetër që do të vijojnë të jenë prezente.
Si trajner, unë jam në fillimet e mia dhe nuk dua të shikoj shumë larg. Dëshiroj të bëj hapa të sigurt, dhe ti marr gjërat një e nga një. Pastaj, do të jetë koha ajo që do japin vlerësimin e saj. Padyshim, që ëndërroj që një ditë të jem Trajner i Vllaznisë dhe besoj se këtë mund ta marrin me mend çdo kush që më njeh sado pak, por nëse ajo ditë një ditë do të vijë, atëherë do të jetë kur UNË TË JEM GATI PËR TI DHËNË VLLAZNISË dhe jo vetëm për të marrë nga ajo!”
Suksese në misionin tuaj si trajner futbolli në Gjermani, Ermir!
Ju falenderoj shumë për intervisten, suksese edhe futbollit shkodran, me një Vllaznia kampione këtë sezon futbollistik.
Intervistoi: Gaspër MARKU