Thursday, March 28, 2024

(Intervista) Sukaj: Vllaznia-Partizani, ndeshje e barabartë. Kualifikimi vendoset në ndeshjen e kthimit në Tiranë!

Lexo

Xhevahir Sukaj është një nga lojtarët më të mirë të dy dekadave të fundit që ka luajtur me Vllazninë dhe Partizanin. Ish-sulmuesi, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, tregon rreth eksperiencave më të dyja klubet dhe asaj që dy skuadrat kanë treguar këtë sezon. Sipas tij, Vllaznia luan një futboll të bukur pavarësisht luhatjeve, ndërsa Partizani është dobësuar me largimin e Skukës dhe Bitrit. Nuk mund të mungonte një “thumb” i shkodranit ndaj Tiranës, të cilën e ka pasur një nga “pretë” e preferuara të tij.

Keni luajtur me të dyja klubet, me cilën mes Vllaznisë dhe Partizanit keni ruajtur kujtimet më të mëdha?

Jam krenar që kam veshur këto dy fanella. Kujtimet më të mëdha i kam kaluar në ekipin ku u rrita, Vllaznia. Nuk diskutohet kjo, pasi ai është ekipi “mëmë”, që më mësoi të luaj futboll. Me Partizanin gjithashtu kam kaluar një eksperiencë shumë të bukur dhe kam përjetuar momente shumë të veçanta, të cilat i kuptojnë vetëm ata që e kanë veshur atë fanellë.

Cila ka qenë një skuadër, së cilës keni dashur më së shumti t’i shënonit?

Një sulmues nuk bën dallime, kërkon t’u shënojë të gjitha skuadrave dhe të ndihmojë ekipin e tij të marrë pikët apo të kalojë në raundin tjetër të një kompeticioni. Por ekipit që i shënoja sa herë të doja ishte Tirana.

Cili ju duket më i favorizuar për ta fituar çerekfinalen e parë të Kupës?

Kam besim se do të jetë një duel shumë i bukur. Në Shkodër jam i bindur se tifozët do të jenë të shumtë në numër. Gjithsesi, e shoh ndeshje të barabartë. Skuadra që do të bëjë më pak gabime në të gjitha elementet e lojës, do të shkojë në gjysmëfinale. Por me siguri gjithçka do të jetë e mbyllur dhe do të vendoset në sfidën e dytë.

Partizanit i janë larguar Bitri dhe Skuka, dy lojtarë kryesorë. Mendoni se janë ende të aftë “demat” për të sulmuar titullin?

Nuk di të them, sepse janë dy lojtarë, të cilët me atë që jepnin në fushën e lojës ishin sa gjysma e ekipit. Nuk zëvendësohen kollaj dy liderë të tillë të ekipit. Ky proces kërkon kohë dhe kjo e fundit nuk është në favor të Partizanit.

Vllaznia ruajti grupin dhe solli Balajn, por ka pasur sërish luhatje…

Rikthimi i Bekim Balajt pa diskutim që është shumë pozitiv dhe do ta ndihmojë Vllazninë. Është e vërtetë që kanë pasur luhatje në rezultate, por ajo që më ngroh më së shumti është se për mendimin tim Vllaznia ka bërë futbollin më të mirë në këtë sezon në Superiore.

Përse nuk po prodhon Shkodra më sulmues “pykë” si ju apo të tjerë?

Nuk është se lojtarë të këtij roli po i mungojnë vetëm Shkodrës, pasi qendërsulmuesit tipikë gjenden me “pikatore” edhe në ekipet më të mira në Europë. Gjithsesi, kam besim se pas 2-3 viteve do të vijë një brez, që Shkodrës i ka munguar prej kohësh. Të paktën mbi informacionet, të cilat kam unë për elementët që po rriten në Shkodër.

Vllaznia e ka fituar Kupën në dy edicionet e fundit. Mendoni se do ta lënë në plan të dytë këtë trofe sivjet?

Vllaznia çdo vit ka luftuar më së shumti për kampionatin, por rrjedha e ngjarjeve nuk ka qenë në favor të tyre. Humbja e fundit ndaj Kastriotit bëri që të humbej një shans shumë i rëndësishëm për t’u afruar dhe them se do ta penalizojë jo pak në vazhdim. Gjithsesi, ka ende kohë për korrigjime.

Partizani ka thuajse dy dekada pa fituar Kupën e Shqipërisë. Mendoni se ky është viti i duhur për t’i shkuar deri në fund?

Partizani gjithnjë ndërtohet për të fituar titullin kampion dhe Kupën, por kjo e fundit kërkon edhe fatin me vete. Mundësitë për ta fituar Kupën në këtë sezon i ka të mëdha.

Përse jeni distancuar nga futbolli dhe a do ta mendonit rolin e trajnerit apo drejtorit sportiv nëse do t’ju jepej?

Unë po merrem me punët dhe bizneset që kam. Për momentin më mjaftojnë këto, më marrin mjaftueshëm kohë (qesh).

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img