Vllaznia regjistroi fitoren e pestë radhazi në kampionat, pasi mposhti të shtunën Erzenin në stadiumin e Rrogozhinës. Ky sukses i ngjiti shkodranët në vendin e tretë, duke konfirmuar momentin fantastik që po kalojnë.
Në prag është ndeshja me Partizanin kampion në fuqi, që do të luhet të dielën, në orën 17:00, në stadiumin “Loro Boriçi”, por fillimisht kuqeblutë janë të angazhuar në Kupë kundër Flamurtarit, pikërisht nesër, në 17:00, në Shkodër. Besimi në ekip është për një vazhdimësi pozitive dhe këtë e konfirmon në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, kapiteni Bekim Balaj. Sulmuesi që ka shënuar 10 herë deri më tani, ka bërë edhe një apel për tifozët shkodranë, teksa kërkon ta shohë stadiumin plot të dielën kundër të kuqve. Ai ëndërron që të fitojë titullin kampion me skuadrën e zemrës këtë sezon.
Bekim, morët tri pikë kundër Erzenit dhe u ngjitët në vendin e tretë. Ishte kjo fitore e pestë radhazi më e vështira për Vllazninë?
Po, ishte një duel i vështirë dhe ne e dinim këtë. Erzeni është një ekip solid që na ka krijuar probleme edhe në dy ndeshjet e kaluara. Ishim përgatitur mirë gjatë javës dhe u futëm në fushë për të fituar. Rëndësi ka që ia dolëm dhe tani duam të vazhdojmë kështu.
A është ky maksimumi i Vllaznisë apo prisni që skuadra të ketë rritje në lojë dhe rezultate më bindëse?
Skuadra ka bërë mirë, por kjo nuk do të thotë që ky është maksimumi ynë. Shifrat janë aty dhe tregojnë për një moment pozitiv tonin, që dëshmon se kemi funksionuar në të dyja fazat e lojës, mbrojtje dhe sulm. Dëshiroj të vijojmë kështu dhe ta shfrytëzojmë këtë moment pa eufori, pasi Vllaznia është ndërtuar për të qenë lart në tabelën e klasifikimit.
E ka grupin Vllaznia për të luftuar për titullin kampion deri në fund?
Është herët për të folur për titullin, pasi janë 36 javë kampionat dhe më pas “Final 4”. Ne duam pikë së pari të jemi mes 4 ekipeve më të mira dhe më pas të shikojmë se çfarë mund të bëjmë. Shkodra e meriton të rikthehet në majën e futbollit shqiptar. Skuadra i ka mundësitë dhe kapacitetin të tentojë gjithçka, por kjo arrihet duke i marrë maksimumin vetes në çdo takim.
Cilin shikoni si rivalin kryesor për titull këtë sezon?
Në këndvështrimin tim Egnatia dhe Partizani kanë diçka më shumë dhe këtë e dëshmojnë edhe pikët. Ne jemi aty afër, por duhet të punojmë ende për të qenë më kompetitivë me rivalët. Jemi në rrugën e duhur për të lumturuar tifozët, ashtu siç kemi bërë së fundmi. Duhet të marrim mësim nga e shkuara, për të mos bërë gabimet e fillimit të sezonit. Tashmë, ekipi ka krijuar identitet dhe bashkë me trajnerin po ndërtojmë profilin tonë të lojës.
Luani me Partizanin rival direkt të dielën në Shkodër. Çfarë prisni nga ky duel?
Do të jetë një ndeshje e fortë, ashtu sikurse ka ndodhur gjithmonë në përballjet tona. Uroj dhe shpresoj ta shoh stadiumin “Loro Boriçi” të tejmbushur si në kohët e vjetra, sepse me ndihmën e tifozëve jam i bindur që do të dalim me kokën lart nga fusha e lojës. Në Shkodër futbolli është shumëçka, pasi flitet në çdo moment për Vllazninë. Më kujtohen emocionet që kam përjetuar si fëmijë kur u shpallëm kampion, se si buçiste stadiumi. Kam qenë i vogël, por ndieja festë në çdo rrugë të qytetit. Dua me zemër të bëj krenar veten, familjen dhe çdo shkodran me një fitore kundër Partizanit.
Isa HALILI