Shkodranja e talentuar e tenisit shqiptar, Gresi Bajri ka regjitruar suksesin ne radhës. Bajri është shpallur kampione e Kampionatit Evropian U-16, “Tennis Europe”. Aktiviteti në fjalë është zhvilluar fundjavën e kaluar në mjediset e “National Sport Park”, të Tiranës me pjesëmarrjen e tenistëve nga vendet e rajonit.
Pasi ka kaluar me sukses ndeshjet eleminatore, Gresi ka mbërritur në finale për t’u ndeshur me tenisten e përgatitur italiane, Giorgia Patti. Një finale kjo që falë spektaklit të dhuruar nga tenistja shkodrane që në këtë rast përfaqësonte Shqipërinë, e gjithë ndeshja ka përfunduar me fitoren e Bajrit me rezultatin 2-1 me sete.
Urime për trofeun e fituar, Gresi! E patët të vështiorë arritjen e këtij suksesi?
Faleminderit! Ishte një finale e gjatë dhe kaloi me tri sete. Ishte emocionuese, setin e parë e fitova me lehtësi. Në setin e dytë, sikur situata më doli nga dora, ndërsa në setin e tretë arrita të mbledh forcat dhe fitova.
E keni filluar vitin 2022 me trofe të rëndësishëm ndërkombëtar
Është thjesht një fillim i mirë i vitit, është një nga kampionatet e para që kam bërë këtë vit. Është për motivim dhe për të dhënë shpresë për vazhdimin e vitit.
Cila do të jetë e ardhmja e Gresi Bajrit në sportin e tenisit?
Do të vijoj të luaj përsëri në kampionate të ndryshme, edhe më të mëdhaja të rangut ndërkombëtar dhe shpresoj të kemë rezultate më të mira.