Pas 3 humbjesh radhazi, Skënderbeu është rikthyer te suksesi në kampionat, teksa mundi 1-2 Erzenin në Rrogozhinë. Pas ndeshjes, trajneri Alfred Deliallisi u shpreh për MCN TV:
“Ne kishim dominim total në çdo aspekt të lojës. Por më shumë ishte lojë e ndaluar, inaktive, jo lojtarë të Skënderbeut të shtrirë, jo gjyqtari që kërkonte verifikim nga VAR-i, pasiguri totale gjithë kohës. Jo për t’u justifikuar por përveç këtyre dy episodeve, çdo gjë tjetër ishte në zotërimin tonë dhe e kishim nën kontroll gjatë gjithë kohës ndeshjen.
U mundova që të neutralizoja kundërshtarin, me Mihanën që të shkonte te qendrat e tyre. Përveç episodeve, kishte vetëm top të gjatë prej tyre pa rrezik, ishte pjesa tjetër e lojës që foli për ekipin tonë.
Ne kërkonim të kapnim kundërshtarët në cepat e zonës, në hapësirat mes goditjes së këndit kornes dhe cepat e zonës, që mendonim se ishin zona me probleme e kundërshtarit. Ne nuk është se nuk kishim rastet tona, disa momente i kishim, por mungonte pasimi final në metrat e fundit.”
Nga ana tjetër, trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenovic, u shpreh për MCN TV, pas fitores që skuadra e tij mori ndaj Erzenit:
“E uroj ekipin e Erzenit, është një ekip shumë i fortë dhe luajtën shumë mirë. Për ne ishte shumë e rëndësishme fitorja pasi ishim në një moment shumë të vështirë, pas tre humbjeve radhazi. E merituam fitoren, bravo çunave. Skemi eksperiencë ende në Superligë, sot ishte një reagim i mirë dhe jam më i qetë. Kemi një listë për gjuajtjen e penalltive, Liço ishte i pari dhe i dyti Nikaj për të goditur, ishte gabimi im që goditi vetëm Liço. E ndërrova skemën në krahasim me ndeshjen ndaj Kukësit, sot ishim më të motivuar ishim përgatitur edhe më mirë.”