Egnatia thyen për herë të parë këtë sezon Skënderbeun me rezultatin minimal 1-0, sfidë e vlefshme për javën e 19-të të “Abissnet Superiore”. Pas kësaj sfide për MCN TV foli trajneri i Egnatias, Edlir Tetova.
“Ndeshje me të vërtetë e vështirë. E kishim përgatitur më së miri me kontigjentin që kishim. Kishim largime, afrime dhe karton të kuq. Këto ditë i kam mësuar ekipit që të fitojë edhe keq, pa luajtur futboll. Sot nuk kishte as manovër asgjë, por t’i kënaqemi 3 pikëshit”, u shpreh fillimisht Tetova.
Ndryshimi i skemës në minutën e 30-të? Ju përgjigjëm Skënderbeut. Dulisse ishte debutues sot në qendrën e mbrojtjes duke zëvendësuar Malotën. Ndërsa në mesfushë i kërkova Mëllugjës që të markonte dy sulmuesit e Skënderbeut dhe shumë shpesh të ishte një mbrojtës i tretë.
Sa kohë mendon se iu duhet të përshtaten lojtarët? Duhet edhe 3-4 javë. Lojtarët duhet të përshtaten me ekipin dhe qytetin. Armiku më i madh që kam unë është koha.
Me atë cilësi që kishte fusha sot, sa ju mërziti ty dhe lojtarët? Fusha nuk është në gjendjen më të mirë. Nuk është mirë që ne të luajmë në këto lloji terrenesh, por mos të bëjmë alibi dhe t’i përshtatemi”.
Shumë largime, kanë ndryshuar gjë objektivat në klub? Në klub nuk ka ndryshuar asgjë. Nëse ka të ardhura në klub unë do të përshtatem. Megjithatë jam i kënaqur me atë që dhanë çunat e rinj. Nuk kanë shumë minutazh në këmbë, por do të përshtatemi. Mua më duhet vetëm koha. Unë kam detyrën të stërvis lojtarët që kam në ekip.
Të fitosh keq? Sa garanci të jep kjo? Normalisht nuk është e thënë se unë duhet të lë pikë. Lojtarët do të bëjën maksimumin. Kemi rotacion që mos t’i bjerë barra të gjithë lojtarëve. Jemi komodë, por nuk do të futemi në fushë për të humbur. Faza difensive nuk më shqetëson. Kishim mungesa, por 1 apo 2 ndeshje nuk ngjajnë me njëra-tjetrën. Edhe me Tiranën kishim mungesa si në ndeshjen e sotme. Këto janë situata që ndodhin në lojë. Mundoheshim që me lojtarët që futëm t’i kishim nënkontroll. Por me punë mendoj se do ta kthejmë situatën e lojës siç dua unë.
Merkato? Jemi në bisedime për një sulmues krahu. Por mund të largohet edhe një lojtar nga ekipi. Zejnullai? Nuk e di (qesh).
Nga ana tjetër, trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenovic u shpreh pas ndeshjes:
“Sot vendosi një detaj i vogël, një gabim, një penallti. Loja ishte e barabartë, patëm 3-4 raste për gol si ajo me Rashicën ku ishte vetëm me portierin dhe kushedi si do shkonte loja. Një gabim brenda zonës është fatale, penalltia vendosi.
Nuk jam i kënaqur me rezultatin, por mendojmë për javën tjetër dhe ka shumë ndeshje përpara. Kemi mungesa, Rami dhe Rabiu, Frashëri është sëmurë. Do të shikojmë opsionet, kemi lojtarë dhe do të shikojmë.
Qëllimi ishte të mbanim Egnatian larg zonës tonë. Ishim në ekuilibër në të dy pjesët dhe vetëm një herë ishte ajo humbje përqëndrimi ku erdhi goli me penallti që vendosi ndeshjen.
Mendojmë për javën tjetër, kemi bërë gabime individuale që rregullohen me eksperiencë. Është moment i vështirë por do ta kalojmë sepse kemi shumë ndeshje para. Tani filloi faza e tretë dhe kemi pak presion për pikët. Shohim para pasi nuk kemi tjetë opsion.
Futja e Pecanit i dha impuls skuadrës? Ndoshta mund t’i bënim më shpejt zëvëndësimet. Lojtarët e pankinës bënë shumë mirë sot. Mund të barazonim dhe ishim afër golit, ndoshta do të bëjmë më shpejtë zëvëndësimet.
Skema apo lojtarët ndryshuan lojën? Filluam me 3-5-2 dhe nuk ishim keq, pastaj ndërruam dhe shkuam me 3-4 lojtarë të freskët dhe ofensiv. Me 4-3-3 ishim afër portës dhe mund të barazonim.
Për momentin kam një grup të fortë, do të shikojmë si është situata për merkato. Skënderbeu është i madh dhe ka nevojë gjithmonë për përmirësim. Kemi nevojë për pikë dhe nuk jemi komod. Mirëpo, nuk është se jemi keq dhe do të luftojmë deri në fund”.