Sara Hasku, numri 2 e Vllaznisë, ishte ndër volejbollistet e spikatura të skuadrës kuqeblu në ndeshjen e luajtur pasditen e së premtes në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, ku Vllaznia mundi pastër Barletin Volej me rezultatin 3 me 0. E veçanta e Sarës është se ajo sezonin e kaluar ishte pjesë e skuadrës kampione, Partizani, ndërkohë, për këtë sezon iu përgjigj pozitivisht ftesës së presidentit të Vllaznisë, Florian Zekja për t’u bërë skuadrës kueblu. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes për Veriu Sport, Hasku u shpreh se ndjehej e kënaqur dhe e respektuar në kampin kuqeblu, ndërkohë që dëshiron që këtë sezon të shpallet kampione me Vllazninë.
Hasku urime për fitoren. E kënaqur për lojën që zhvilloi skuadra dhe për lojën tuaj idividuale?
Faleminderit shumë. Mund të them që asnjëherë nuk jam e kënaqur sepse e mira nuk ka fund, por si ndeshje e parë e kampionatit zhvilluam një lojë të bukur që u arrit edhe me fitore.
Sara Hasku ka qenë pjesë e Partizanit, skuadrës kampione të vitit të kaluar dhe tashmë keni kaluar tek Vllaznia, tek një skuadër me pretendimet e kampiones.
Unë kam ardhur nga një skuadër kampione, por pse mos ta bëjmë edhe Vllazninë kampione, kështuqë ne po punojmë për këtë gjë, po mundohemi çdo ditë me dy seanca stërvitore dhe shpresoj që në fund do të na shpërblehet.
Si iu ka pritur skuadra, ambjenti kuqeblu?
Në radhë të parë për këtë pjesë i jam shumë falenderuese trajnerëve si dhe president Florit sepse çdo ditë kam një mbështetjë shumë të madhe nga ato në të mirë dhe në të keq, ato janë një shtysë shumë e madhe për ne.
Fillim i mirë është gjysma e punës. Kjo fitore ndaj Barletit është një motivim më tepër për të vijuar në këtë rrugë?
Pos ashtu është, fillimi i parë gjysma e punës. Ne jemi duke punuar çdo ditë për këtë gjë, përkushtimi është në maksimum dhe shpresojmë më të mirën sepse kampionati është i gjatë. Çdo javë kemi ndeshje dhe çdo javë do të shfaqim atë për çfarë stërvitemi.
Po rikthehet tifozëria në shkallët e pallatit të sportit, janë ato një motiv më tepër për ju?
Sigurisht, si i thojnë ndryshe tifozëria është një lojtar plus në fushë. Më kishte munguar shumë kjo gjë dhe këtu në ekipin e Shkodrës kam shikuar që është një mikpritje shumë e mirë nga publiku dhe vërtetë që jam shumë e kënaqur për këtë sepse kam bërë shumë ndeshje dhe finale por kanë munguar pjesa e publikut por tek Vllaznia nuk mungon.
Sara Hasku faleminderit për intervistën dhe suksese në javët e ardhshme!
Faleminderit shumë!