Friday, March 29, 2024

Futboll Moshat-Gilman Lika shijon fitoren e parë si trajner. Goli i Orges Spahisë i jep fitoren Basanias në transferten durrsake ndaj “ Akademisë Shqiponja”…historia vazhdon…

Lexo

Ka shijuar suksese të shumta në karrierën e tij të pasur si futbollist, por duket se fitorja e parë si trajner i ka shijuar jo pak Gilman Likës. Kjo ka ndodhur sot, kur Lika, në cilësinë e trajnerit të ekipit Basania U-15, kategoria Superiore, ka mposhtur në transfertë ekipin durrsak, “Akademia Shqiponja”.

Këtë sukses, Basanias, dhe posaçërisht trajnerit Gilman Lika ia ka dhënë Orges Spahija, një talent ky i futbollit shkodran, i cili me të dhënat që disponon pritet të ecë me mjaft sukses në gjurmët e trajnerit të tij. Spahija i vogël, pasi Spahija tjetër, vëllai i tij më i madh, Flori, luan me Akademinë Vllaznia U-19-të dhe kombëtaren e Shqipërisë, ka qënë spektakolar kur ka interpretuar në mënyrën më të mirë një aksion të Basanias në startin e pjesës së dytë, duke e dërguar topin në formë parabole direkt në rrjetën durrsake të “Akademisë Shqiponja”. Gol ky, që duke shtuar edhe pritjen e një penalltie nga portjeri Glejdis Zhejani akorduar në dëm të Basanias në minutën e fundit, qëndron në fuqi duke i dhënë fitoren skuadrës bushatase të Basanias.

Historia vazhdon…., jo vetëm për Gilman Likën që tashmë ka nisur një kapitull të ri si trajner moshash, për të bërë të njëjtën karrierë suksesi ashtu si futbollist. Por, në të njëjtën, historia vazhdon edhe për klubin më të ri të futbollit me emrin simbolik, por edhe historik “Basania” me drejtues Ermir Shimajn, që kërkon t’i japë emër zonës së Bushatit, me tradita në sport, kulturë dhe më gjërë.

Por, tradita vazhdon edhe me talentët e moshave që KF Basania ka mbledhur në gjirin e vetë, mes të cilëve është edhe golashënuesi i sotëm, Orges Spahija dhe bashkëmoshatarë të tjerë të tij, që falë punës pasionante dhe profesionale që bëjnë me këtë brez, trajneri Gilman Lika, dhe kolegë të tjerë me po aq emër, si Safet Osja, Ersi Çaku, Gjon Ndreka, Donaldo Lari, Mario Kola, Ridvan Lini, Ardit Gjelaj, Besmir Muçejani, përgatitësi atletik Redis Shahmani, etj, duke pasur në krye një drejtor të përgjithshëm me plot vizion si Ditmar Jubica, pritet të rrisin shkallët e cilësisë sportive drejt majave më të larta të futbollit shkodran dhe atij shqiptar.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img