Thursday, April 25, 2024

(Intervista) Vllaznia e futbollit femra, “Kampion Dimri”. Trajneri Leka i kënaqur me skuadrën, premton fitoren e dy trofeve të vitit

Lexo

Ndonëse Kampionati Kombëtar i futbollit për femra këtë sezon futbollistik ka pasur ngjyra më rivalizuese, dhe kjo për meritë të Tirarës dhe Apolonisë që janë shumë më të forta se vitet e mëparshme, Vllaznia e Shkodrës, si kampione disa vjeçare radhazi e mbylli vitin kalendarik si “Kampione Dimri”. Në prononcimin e dhënë për Veriu Sport, trajneri i skuadrës kampione, Nikolin Leka, shprehet i kënaqur me ecurinë e skuadrës, ndërkohë që i premton tifozërisë shkodrane që Vllaznia e futbollit të femrave do t’i fitojë përsëri edhe këtë sezon të dy trofetë, Kupën e Shqipërisë dhe Kampionatin. Ndër të tjera, trajneri Leka flet edhe për zgjedhjet e SHRF Shkodër, ku njëri nga kandidatët për kreun e saj është presidenti i KFF Vllaznia, Lazër Matija.

Profesor Leka, urime për titullin “Kampion Dimri”!   

Faleminderit. Urime dhe gëzuar festat gjithë medias të Shkodrës që na rrini gjithmonë afër futbollit të fëmrave.

Një fazë e parë që ka qenë ndryshe nga vitet e tjera për vetë rivalitetin që ju ka shoqëruar për disa javë, por në fund e mbyllët me një titull dimri.

Normalisht ishte një fazë e parë e ekipit tonë. Kemi pasur rivalitet, ndoshta jo 100% si duhet të jetë një rival, por përderisa jemi me pikë të barabarta duhet ta quajmë rivale. Vllaznia përveç barazimit në Fier, ndeshjet e tjera i ka mbyllur në mënyrë të përkryer sepse Vllaznia është e formatuar për disa vite si kampione dhe të pretendojmë përsëri për titullin kampion.

Përpos rivalitetit me Apoloninë, sa e ngacmojnë skuadrat e tjera Vllazninë?

Tirana ishte kryesuese për pak kohë pasi akoma nuk kishte luajtur as me ne dhe as me Fierin, por edhe Fieri me gjithë barazimin që jemi ndarë, po të shikosh sekuencat e asaj ndeshje, nuk mund të thuash që është rivale e Vllaznisë në asnjë apekt përpos asaj ndeshje që ishte realizuar në atë mënyrë nga dikush tjetër. Por ne e kemi harruar dhe e kemi lënë pas dore atë punë sepse nuk ka problem për ne ai barazim sepse ne vazhdojmë të përgatitemi, vjen faza e dytë dhe përgatitemi për çdo ndeshje me objektivin titullin kampion.

Ku ishin pikat e forta dhe të dobëta në fazën e parë për Vllazninë?

Unë nuk kam dëshirë të vendos pikat mbi “i” në skuadër sepse ne nuk kemi individ të skuadrës por kemi grup. Grupi punon fort, është i fortë dhe i gjithë grupi ka shkëlqyer gjatë gjithë fazës së parë të kampionatit, pa diskutuar dhe paraqitjet shumë të mira të Champions League.

Besoj që njëra duhet të veçohet, pikërisht fituësja e Topit të Artë si golashënuesja më e mirë Megi Doçi.

Normalisht që Megi ka vite që është golashënuesja më e mirë, është një lojtare kryesore e skuadrës bashkë me lojtaret e tjera sepse si Megin kemi edhe lojtare të tjera në ekip dhe nuk dua ti veçoj sepse janë grup, po nuk ishte grupi nuk mund të dalin individ, grupi bën individin.

Po përgatiteni për Kupën e Shqipërisë?

Javën që vjen fillon Kupa e Shqipërisë. Në dy turet e para Vllaznia nuk merr pjesë për vetë renditjen që ka në klasifikimin në kampionat dhe janë gjashtë skuadrat e fundit që marrin pjesë në turet e para, pastaj vijnë turet e tjera dhe shohim me kë na bie shorti.

Synoni Kupën?

Pa diskutim! Janë dy objektivat kryesore, titulli kampion dhe fitimi i Kupës së Republikës.

Flasim pak edhe për zgjedhjet e Shoqatës së Futbollit Rajonale të Shkodrës që do të jenë në fillim të javës së ardhshme. Presidenti i klubit të futbollit të femrave, Lazër Matija është njëri nga kandidatët për të fituar postin e kryetarit. Si e ka pritur skuadra kandidimin e presidentit Matija?

Normalisht që skuadra e pret mirë sepse dihet që Lazër Matija është presidenti më i suksesshëm në Shqipëri me titujt që ka fituar në kampionatin shqiptar, me paraqitjet e shkëlqyera në Champions League, kështuqë normalisht me atë çfarë ka bërë tek ekipi i Vllaznisë pse jo mos të bëjnë dhe si kryetar i Shoqatës Rajonate të Futbollit.

Mendoni që në qoftëse e fiton atë post do të ndikojë që Matija të lërë pas dore Vllazninë e futbollit të femrave?

Absolutisht Lazër Matija ekipit të femrave do t’i qëndrojë gjithmonë afër, pavarësisht angazhimeve të tjera. Kështuqë në qoftëse zgjidhet kryetar, që shpresoj që të zgjidhet sepse mund të bëjë një punë shumë të mirë, ekipin e femrave normalisht ai nuk e lë në asnjë moment.

Profesor Leka faleminderit dhe suksese në objektivat tuaja!

Faleminderit ju!

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img