Tomas Brdariç(Trajner i Vllaznisë):
“Jemi të zhgënjyer. Problemi ishte që gjërat nuk shkuan si menduam. Pasi shënuam golin, pësuam shumë shpejt. Kjo na nxori jashtë planeve. Tirana ishte pak më e zgjuar dhe pak më e përgatitur në zonën e nxehtë. Kur humb një ndeshje nuk duket mirë. Duhet të përshtatemi me këtë. Jemi në një fazë të kampionatit ku duhet të jemi pak të kujdesshëm me atë çfarë themi. Duhet të analizojmë ndeshjen dhe të punojmë më fort. Askush nuk ka folur për kampion, askush nuk ka folur për diçka të veçantë. Ishim nga play out dhe arritëm shumë shpejt në krye. Sfida është shumë e vështirë për të mbajtur kreun. Unë duhet ti mbroj dhe ti kritikoj lojtarët e mi”.
Orges Shehi (Trajner i Tiranës):
“Pas ndeshjes i kam thënë lojtarëve: “A e kuptoni kush jeni”? Ishte një javë shumë e ngarkuar, për vetë faktin e kundërshtarit me të cilin luanim, një kundërshtar shumë i fortë. Edhe ndeshja me Kukësin ka qenë e mirë. Për shkak të terrenit nuk u shfaqën mirë. Te ndeshja e sotme, falenderoj Vangjelin që vjen pas një periudhe të gjatë pushimi, për shkak të fatkeqësisë dhe futet në lojë. Ndoshta ky modul mund të jetë edhe në vazhdim. Gara është shumë e fortë. Por duke pasur parasysh që ka shumë pikë në lojë do bëjmë maksimumin për të qenë vetëvetja. Pas ndeshjes nuk e pashë telefonin. Kur fitojmë marrim shumë mesazhe, ndërsa kur humbim nuk i bie ndërmend njeriu, madje ka edhe nga ata që kalojnë në ofeza. Do jenë kënaqur shumë ata që janë poshtë, por ne shikojmë hallin tonë”.