Tuesday, April 23, 2024

Zhgënjen Vllaznia, mundet në shtëpi nga Tirana 1-2, pesimizëm për vazhdimësinë në kampin kuqeblu

Lexo

Vllaznia-Tirana 1:2

(Shënues: Dilaver 4′ (p) / Batha 6′ , Kale 51′)

E shtunë, 27 shkurt 2021, ora 13.00, stadiumi “Loro Boriçi” Shkodër

VLLAZNIA: Zogoviç, Gurishta, Adili, Imami, Kruja(Kalaja 70’), Krymi(Cise 81), Jonuzi, Hoxhaj, Demir Imeri(Shehi 90’), Da Silva(Naivedu 70’), Dilaver. Trajner: Th. Brdaric

TIRANA: Bekaj, Toshevski, Vangjeli, Behiratçe, Halili(Gyamfi 70’), Toli, Çelhaka, Batha, Ismajlgeci, Torasa(Vayrynen), Seferi. Trajner: O. Shehi

Gjyqtarë: Laver Alla(Lushnje), Denis Rexha(Tiranë), Edlir Malo(Lushnje), i katërt Blerim Ziri(Fushë-Krujë)

Delegat: Bujar Pregja(Tiranë) – Vëzhgues: Plarent Kotherja(Tiranë)

Atmosferë pragndeshje

Kishin kohë që e kishin planifikuar, dhe momenti erdhi. Banderola gjigande me dekorin kuqeblu e përgatitur nga tifozëria shkodrane përmes grupimit Power 12 është shpalosur në tribunën përballë të stadiumit “Loro Boriçi”. E gjitha kjo paralajmëronte një fitore ndaj Tiranës në kuadrin e javës së 21-të të kategorisë Superiore. Dhe, krahas kësaj, po ky grupim organizoi në këtë pragndeshje edhe mbështetjen e duhur financiare nga fansat kuqeblu për tifozin e thekur shkodran Edmond Spathari që po kalon një gjendje shumë të rënduar shëndetësore. Përpara se të shkelmohej topi nga qëndra e fushës, supersfida Vllaznia-Tirana, apo klasikja e futbollit shqiptar, ka rezervuar një minutë heshtje në nderim të ish presidentit të Tiranës, Metush Seferi i ndarë nga jeta pak ditë më parë.

Pjesa e parë

Më pas një start me gol për kuqeblutë, kur që në minutën e tretë, gjyqtari lushnjar Laver Alla vërshëllen për penallti në favor të Vllaznisë pas pengimit në zonë të sulmuesit vendas Viktor Da Silva. Ekzekutimi i saktë i Dilaver kur kronometri shkon në minutën e katërt fikson shifrat 1 me 0 për Vllazninë. Gol ky që festohet nga kuqeblutë me dedikim ndaj tifozit Edmond Spathari në gjendje shëndtësore aspak të mirë.Vetëm dy minuta kanë në dispozicion kuqeblutë për t’iu gëzuar avantazhit, sepse mjeshtri i goditjeve të dënimit, kapiteni i bardheblu, Idriz Batha, me një të tillë nga balli i zonës kuqeblu e dërgon topin në rrjetën e portjerit Zogiviç.

Barazim 1 me 1, dhe tashmë loja rifutet sërishmi në barazpeshë duke regjistruar raste në të dyja portat respektive. Megjithatë, rastin më ideal për të shënuar golin e dytë e kanë përsëri miqtë, kur Taulant Seferi befason të gjithë kur i vetëm me portjerin Zogoviç e dërgon topin në stratosferë duke shpërdoruar një rast krejt të pastër për gol. Pjesa e parë mbyllet në bazimin 1 me 1 duke lënë në fuqi golat e Dilaver dhe Bathës, përkatësisht në minutat 4 dhe 6-të.

Pjesa e dytë

Ndërkohë pas kthimit të skuadrave nga dhomat e zhveshjes për pushimin mes dy pjesëve të ndeshjes, 6 minuta pasi nisë ky 45 minutash, miqtë nga Tirana gjejnë përsëri rrugën e rrjetës. Protogonist, është Seferi, ndër më të mirët në fushë për këtë ndeshje, që pas ngulmimit në fundoren e djathtë të sulmit bardheblu fut një top në zonë, aty ku Kale, i futur në fushë vetëm dy minuta më parë e dërgon në rrjetë. 1 me 2 për Tiranën, e cila vazhdon të luajë mjaft mirë edhe në minutat e mëpasshme, kur me dyshen e rezikshme Seferi-Kale regjistron raste të tjera të pastra për gol në portën kuqeblu. Minuta këto aspak të mira për Vllazninë, që me të drejtë detyrojnë trajnerin Brdariç të ndërhyjë në ndërrime. Por, edhe pse për momentin aktivizimet e Kalasë, Naivedit dhe Cisesë e rrisin më shumë forcën e presionit në portën bardheblu, goli nuk del në dritë. Kështu, e gjithë ndeshja mbyllet me rezultatin 1 me 2 në favor të Tiranës.

Një fitore kjo e merituar e Tiranës, e cila me tre pikët e marra në “Loro Boriçi” ngjitet në vendin e gjashtë me 29 pikë, duke marrë paksa “oksigjen” por edhe moralin e duhur për të synuar dhe pretenduar rritjen edhe më tej në tabelë. Ndërkohë, për Vllazninë duhet thënë se prej disa javësh vazhdon paraqitjet e saj zhgënjyese, ashtu siç ndodhi edhe këtë radhë duke humbur tre pikë në fushën e saj. Një paraqitje kjo që ka sjellë jo pak pesimizëm në kampin kuqeblu në lidhje me vazhdimësinë e kampionatit duke i dhënë mundësinë rivalëve të saj t’i afrohen në pikë.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img