Irlandë-Ditë e veçantë për shkodranin Richard Ferizaj. Bëhet golashënuesi më i ri në moshë për Bray Wanders. 16 vjeç, 1 muaj e 29 ditë, i jep fitoren ekipit me rezultatin 2-1 dhe merr çmimin si “Lojtari më i mirë i ndeshjes”!

Ecuria e futbollistit shkodran Richard Ferizaj që luan në kampionatin e futbollit irlandez në përbërje të ekipit Bray Wanders është në mënyrën më të mirë të mundshme. Me të dhënat e tij shumë premtuese, talenti shkodran, i cili jeton me familjen e tij në Irlandë, ka marrë vemendjen e plotë të klubit irlandez, i cili ndonëse i ri në moshë, vetëm 16 vjeç i besoi në fillim të këtij viti fanelen e titullarit. Përformanca e tij e shkëlqyer në fushën e lojës, bëri për vete edhe tifozërinë irlandeze, e cila në një votim online të rreth dy muajve më parë, e shpalli si lojtarin më të mirë të ndeshjes në sfidën ku skuadra e tij Bray Wanders luajti në transfertë kundër Longford Toën.

Por, këtë radhë, kemi të bëjmë me një sukses tjetër të një shkalle më të lartë. Kjo u regjistrua mbrëmjen e djeshme, kur skuadra e Ferizajt luajti kundër Treaty United, dhe për shkodranin, kjo sfidë ka një të veçantë që ai do ta mbaj mend gjatë në karrieren e tij sportive.

Richard Ferizaj ishte autor i golit të fitores për ekipin e tij duke vendosur edhe një rekord të ri, si golashënuesi më i ri për ekipin e tij Bray Wanders. Ferizaj, në moshën 16 vjeç, 1 muaj e 29 ditë, thyen rekordin e Andrew Moran që e mbante deri më tash për klubin Bray Wanderers.

Por, nuk mjafton me kaq, sepse për talentin shkodran të skuadrës irlandeze, Richard Ferizaj, ka edhe një të veçantë tjetër, pasi ai vlerësohet me çmimin si “Lojtari më i mirë i ndeshjes”.

Suksesin e Ferizajt e kanë përcjellë në masë mediat irlandeze, ku mes të tjerave, citohet:

“Urime Richard Ferizaj i cili bëhet golashënuesi më i ri i klubeve në ekipin e parë. Rekordi i Andrew Moran në Bray Wanderers është thyer! Sonte Richard Ferizaj shënoi golin e fitores për Bray duke u bërë golashënuesi më i ri i klubeve, duke thyer rekordin e Moranit. Jo shoqëri e keqe për të qenë. Çfarë talenti është Ferizaj! “

Gaspër MARKU

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu