Gjashtë muaj pas goleadës 5-0 kundër Estonisë shtatorin e kaluar, ditën e debutimit të trajnerit Gennaro Gattuso në stol, stadiumi i Bergamos do të presë sërish një ndeshje të Italisë. Një ndeshje shumë të rëndësishme, gjysmëfinalen e play-off-it të Botërorit 2026 kundër Irlandës së Veriut.
Në Bergamo Italia është e pamposhtur. Ka luajtur 4 ndeshje në këtë qytet dhe ka marrë 2 fitore me rezultatin 5-0 (ndaj Maltës dhe Estonisë), dhe dy barazime 1-1 (në miqësoren ndaj Turqisë në nëntor 2006 dhe në sfidën e Nations League ndaj Holandës në tetor 2020).
Bilanci i ndeshjeve kundër Irlandës së Veriut anon nga “axurrët”. Në 11 ndeshje Italia regjistron 7 fitore, 3 barazime dhe vetëm 1 humbje. Italianët kanë humbur 2-1 më 15 janar 1958 në Belfast, duke humbur njëkohësisht edhe mundësinë e pjesëmarrjes në Botërorin e Suedisë.
Në Belfast është luajtur edhe ndeshja e fundit mes Italisë dhe Iralandës së Veriut. Ajo ndeshje u mbyll në barazim 0-0 dhe detyroi Italinë të shkonte në play-off-in e Botërorit të Katarit.



