Zikaltërit humbën një shans të artë për të marrë kreun, në atë që do të ishte një marshim për mbrojtjen e kurorës së kampiones së Italisë, të fituar sezonin e shkuar. Por e mërkura në mbrëmje në Stadiumin “Dall’Ara” të Bolonjës ka rezultuar një ëmbëlsirë me një fund të hidhur që Interi zor se mund ta kapërdijë. Ajo që nisi në mënyrën më të mirë të mundshme, u kthye në një makth në fund. Interi ka patur nevojë për vetëm 3 minuta kohë për të gjetur golin, falë një goditjeje virtuoze të Perishiçit.
Por, përkundër rrjedhës së lojës, Bolonja gjen golin e barazimit në minutën e 28-të, me autor Arnautoviçin dhe me shifrat 1-1 do të mbyllen 45 minutat e para. Ato të dytat do të përcaktohen nga episodi i minutës së 81-të, kur portieri i Interit, Radu, gabon në mënyrë të pabesueshme dhe Sansone thjesht e shtyn topin në rrjetë. Bolonja mund kështu Interin 2-1 në ndeshjen e prapambetur të Serisë A dhe zikaltërit mbeten tanimë dy pikë prapa Milanit, teksa kanë mbetur edhe 4 ndeshje për t’u luajtur.