Dyshja shkodrane drejtuese e Besëlidhjes së Lezhës, Fushaj në presidencë dhe Plori në pankinë, nuk duan të humbin kohë, pasi Kampionati Kombëtar i Kategorisë së Dytë nis shpejt, dhe që në javën e parë të 27 shtatorit do të jenë mysafir në Bushat përballë Basanias vendase.
Dhe, goditja e parë në merkato, vjen pikërisht me një emër potent të futbollit shqiptar, shkodranin Arsid Kruja, futbollistin i cili jo më larg sesa sezonin e kaluar u shpall në formacionin më të mirë të vitit.
Një goditje kjo paralajmëruese për rivalët, se Besëlidhja po vjen, dhe ndonëse është pak vonë në krahasim me të tjerët, ditët dhe javët në vazhdim do të evidentojnë emra të tjerë po aq të njohur dhe rëndësishëm të futbollit shqiptar, me të cilët lezhjanët do të kërkojnë rikthimin e menjëherdhëm në Kategorinë e Parë, dhe më pas të sulmohet Superiorja, aty ku tradita e futbollit lezhjan e meriton.