Kategoria e Dytë-Java e 19-të, Grupi A. Humbin Tërbuni dhe Veleçiku. Basania, fiton derbin bushatas. Fiton edhe Besëlidhja ndaj Naftëtarit në transfertë

Java e 19-të e Kampionatit Kombëtar të kategorisë dytë, grupi A, ku luajnë edhe skuadrat e qarkut Shkodër ka prodhuar plot 15 gola në total.

Tërbuni dhe Veleçiku që janë pjesë e grupit të skuadrave në fazën Play Off, kanë luajtur në transfertë dhe janë mundur respektivisht nga Luzi 2008 1-0 dhe Sopoti, 2-0.

Me interes është pritur derbi bushatas, në mes Murlanit vendas dhe Basanias mysafire. Një derbi, i cili në ndeshjen e fazës së parë të luajtur në fushën sportive të Bushatit është mbyllur në barazim, 1-1, me të vetmen pikë që Murlani ka marrë gjatë të gjithë ecurisë së kampionatit. Këtë radhë, fusha ka folur ndryshe, sepse Basania me rikthimin në pankinë të trajnerit Erjon Mani, kanë fituar me rezultatin e pastër 0-3, ku autorë të golave janë  Vanegas,  Xhahysa dhe Leka.

Me fitore e ka mbyllur këtë javë edhe Besëlidhja, e cila me golin e Gjishtit ka mundur në transfertë Naftëtarin duke i marrë përkohësisht pozitën në renditje Veleçikut.

Në takimet e tjera, Iliria fiton në transfertë me Albanët 2-4, ndërsa, Gramshi-Adriatiku e kanë mbyllur në barazim, 1-1.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu