Dinamo City-Aluminij 3-0
Dinamo City ka siguruar kualifikimin në raundin e tretë të UEFA Conference League, pasi triumfoi me rezultatin bindës 3-0 ndaj skuadrës sllovene të Aluminij në ndeshjen e zhvilluar mbrëmjen e sotme në “Elbasan Arena”. Pas barazimit 1-1 në sfidën e parë, skuadra e drejtuar nga Ilir Daja vulosi kalimin më tej falë golave të Vilës, Qefalijës dhe Perndrecës.
Dinamovitët zhvilluan një paraqitje të shkëlqyer, duke dominuar takimin nga minuta e parë. Goli i avantazhit erdhi në minutën e 23-të, kur Berisha shërbeu për Vilën, i cili dërgoi topin në rrjetë pas disa tentativave të njëpasnjëshme në zonën kundërshtare. Pak minuta më vonë, Klevi Qefalija realizoi një gol spektakolar me të djathtën pas asistit të Ismailit, ndërsa topi, i devijuar, përfundoi në cepin e portës për të dërguar rezultatin në 2-0.
Edhe në pjesën e dytë Dinamo City ruajti kontrollin e lojës dhe administroi mjaft mirë epërsinë. Goli që vulosi fitoren u shënua nga Fabjan Perndreca, i cili realizoi me kokë pas një goditjeje nga këndi, duke i dërguar shifrat përfundimtare në 3-0.
Me këtë fitore, Dinamo City avancon në raundin e tretë të UEFA Conference League, ku do të përballet me skuadrën letoneze të Auda-s.


