“Sot 5 lojtarë të KF.Shkodra në seleksionimin e ekipit kombëtar U-19 :
Albi Shpuza, Daniel Kodra, Ildi Xhakaj, Luis Lera, Alesio Hoxha”.
Ky është postimi në faqen zyrtare të KF Shkodra, ku natyrisht drejtuesit klubit kanë të drejtë të krenohen me prodhimin e tyre që ka marrë vëmendjen e kombëtares U-19. Pesë futbollistë në listën prej 21 futbollistëve të publikuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, nuk janë pak për një klub si KF Shkodra që gjithçka e ka të bazuar në punën private me sportistët.
Në krye të KF Shkodra U-19, prej së cilës kanë mbërritur në kombëtare edhe 5 futbollistët në fjalë, është trajneri Rudi Piraniqi. Një skuadër kjo simpatike që luan prej disa vitesh me sukses në Superligën e moshave. Por, krahas punës pasionante që Rudi bën me ekipin e tij U-19, strukturat përkatëse në FSHF e kanë përzgjedhur atë të jetë në cilësinë e trajnerit të kombëtares Rajonale Veriore.
Ndërkohë, një punë po aq cilësore dhe profesionale bëhet në KF Shkodra edhe me grupmoshat e 17 vjeçarëve të cilët drejtohen nga trajneri Arbion Kopliku, edhe këto konkurues në kampionatin kombëtar të Superiores U-17. Pa lënë në harresë edhe ekipet e tjera të moshave më të vogla me rezultate shumë të mira në kampionatet rajonale amatore.
Një klub, merita e të cilit shkon për kryetrajnerin dhe themeluesin e tij, Taip Piraniqi, i cili më herët në vite ka afirmuar lojtarë cilësorë që sot luajnë me sukses në Superioren e futbollit shqiptar, por edhe në kampionatet e huaja, mes të cilëve spikasin Hysaj, Guri, Vajushi, etj.
Duke u kthyer tek Kombëtarja U-19, në foton që shoqëron shkrimin janë 5 futbollistët shkodranë Albi Shpuza, Daniel Kodra, Ildi Xhakaj, Luis Lera, Alesio Hoxha, të cilët kanë pozuar me trajnerin e KF Shkodrës, Arbion Kopliku. Ndërkohë, që në video janë veprimet e njërit prej tyre, shtatlartit Albi Shpuza ku spikat edhe si golashënues në ndeshjen testuese të organizuar nga stafi teknik i kombëtares U-19 me trajner, Armando Cungun.