Shqipëria e 21 vjeçarëve vazhdon përgatitjet për ndeshjen eliminatore ndaj Republikës Çeke, që do të luhet në transfertë më 6 shtator, në orën 18:00. Trajneri Bushi pasi ka plotësuar grupin është duke zhvilluar nga dy seanca stërvitore në ditë, për të qenë në formë maksimale përpara një transferte të vështirë. Për të folur për gjendjen e skuadrës dhe objektivin në këtë ndeshje të radhës, fshf.org ka zhvilluar dy intervista me Anis Mehmetin dhe Mehdi Çobën, që nuk e fshehin kënaqësinë e të qenit në Kombëtare dhe shprehen se objektivat e kësaj skuadre duhet të jenë maksimale.
Mehdi Çoba, sulmuesi i Vllaznisë, vjen për herë të parë në grumbullim për Kombëtaren U-21, dhe nuk e fsheh gëzimin. “Kënaqësi e veçantë të jesh këtu dhe do të bëj maksimumin për këtë skuadër. Më kanë pritur shumë mirë dhe jam shumë i kënaqur. Me Çekinë do të fitojmë sepse jemi një skuadër shumë e mirë. Lojarët janë cilësorë, duke njohur dhe ekipin më mirë shpresojmë që të marrim maksimumin”, ka nënvizuar Çoba.
Anis Mehmeti, mesfushori i Ëycombe në Angli, është optimist që skuadra do të arrijë të triumfojë në transfertën Çeke, përtej mungesave që ka në përbërje. “Ndjehem shumë mirë dhe skuadra më ka pritur shumë mirë. Po përgatitemi maksimalisht për ndeshjen me Republikën Çeke. Unë besoj se do të marrim rezultat, do të fitojmë. Do të punojmë shumë fort të gjithë këtë javë dhe ishalla kthehemi nga Çekia me fitore. Kjo skuadër është e fortë. Ne jemi shumë lojtarë me kualitet të lartë dhe presim me besim ndeshjen në transfertë. Unë personalisht e ndjej veten shumë mirë, skuadra më ka pritur mirë. Kam pasur ndeshje para dy ditësh por tani jam përqendruar këtu për Kombëtaren shqiptare”, është shprehur Anis Mehmeti.