Duke folur në konferencën për shtyp dhënë sot në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi” në prag të ndeshjes, Vllaznia-Laçi që luhet nesër(e mërkurë) për javën e fundit të Kampionatit Kombëtar, Kategoria Superiore, mesfushori-sulmues i kuqebluve e cilëson këtë seson futbollistik si më të mirin në karrierë. “Të fokusohemi përpara, kemi dy ndeshje shumë të vështira dhe do bëjmë maksimumin. Ky është sezoni im më i mirë në karrierë, e them me plot gojën. Do fokusohemi te ndeshja jonë, ta fitojmë dhe më pas shohim ndeshjet e tjera”, tha Hoxhaj, ndërkohë që më pas vijoi të flasë për duelin e së mërkurës. “Në fund ndeshjet janë shumë të vështira për shkak të ngjeshjes së kalendarit. Po e menaxhojmë shumë mirë situatën, kemi lojtarë që mund të bëjnë mirë nga stoli. Po e shijojmë dhe po bëjmë mirë, jemi në garë për të gjitha trofetë”.
I pyetur për nëse ka ndonjë peng për këtë periudhë që ka luajtur me uniormën kuqeblu, Hoxhaj, tha:”Pengu im më i madh është mos prania e tifozëve, qaj mungesën e tyre më shumë se rastet e humbura. Do na ndihmonin shumë nëse do ishin me ne në stadium. Ne na duhet një fitore me shumë gola, por Laçi nuk është ekip që pëson shumë”.
Menjëherë pas kësaj ndeshje me Laçin vjen finalja e Kupës së Shqipërisë, por Hoxhaj është i mendimit se përqëndrimi është tek përballja e së mërkurës për kampiont. “Ne do bëjmë maksimumin, fillimisht ta fitojmë këtë ndeshje, të mos kalojmë në eufori. Nuk e mendoj finalen e Kupës, kemi kohë për ta përgatitur. Mendoj se në Durrës do luhet ndeshje e ndershme, siç e ka theksuar presidenti i Apolonisë”, përfundoi prononcimin e tij, vlonjati i Vllaznisë, Ardit Hoxhaj.