Vllaznia luan të enjten në transfertë me Bylisin, dhe tre pikëshi për të në këtë ndeshje është shumë i vlefshëm dhe i rëndësishëm për fatet e titullit kampion, dhe jo vetëm. Sepse në rast të kundërt, pozitat e saj mund të lëkunden edhe për katërshën e parë të zonës europiane. Një gjë të tillë e pohon edhe trajneri kuqeblu, Tomas Brdariç, sipas të cilit, në këtë ndeshje do të ishte dakort edhe me një fitore pa lojë të bukur.
“Nuk është normale ajo që kemi bërë deri tani. Kemi shënuar vetëm një herë nga penalltia, por kemi krijuar raste. E gjithë kjo nuk më bën të ndihem mirë. Nesër e kemi objektivin e qartë, duhet të jemi të gjithë së bashku dhe besoj se do të vijë rezultati. Në lidhje me atë që mund të quhet një hakmarrje ndaj asaj fitoreje që Bylisi mori në Shkodër me penalltinë e limitit të takimit të fazë së tretë mendoj se është një tjetër ndeshje. Jemi në fund të sezonit dhe e dini që Bylisi tenton mbijetesën dhe kanë tension të madh. Ne do mundohem të bëjmë lojën tonë, edhe pse e dimë që atje është një terren i vështirë. Shpresoj të japim më të mirën. Tension te Vllaznia? Duhet të mësohemi me presionin, jemi profesionistë. Ata që nuk janë në gjendje të përballen me këtë presion, nuk janë aty ku duhet. Do tregojmë një fytyrë të mirë nesër. Ekipi e di me çfarë do përballet, jemi përgatitur shumë mirë dhe shkojmë për të marrë tre pikët. Sa i përket të titullit, e di që kjo pyetje qëndron, pasi për shumë gjatë kemi qenë në vend të parë. Duhet vetëbesim dhe të japim maksimumin, asgjë tjetër. Nëse do luajmë si në ndeshjet e fundit, vetëm me fat mund ta fitojmë ndeshjen e nesërme”, u shpreh Brdariç.
Në vijim i pyetur për përgjegjësi e trajnerit për përzgjedhjen e futbollistëve nëse Vllaznia dështon në fund të sezonit, Brdariç, tha:” Nuk është koha për këtë pyetje. Të gjithë lojtarët janë marrë pasi kemi biseduar me Matkon dhe Suadin. Tani është koha ta shijojmë, pasi kemi katër ndeshje në kampionat dhe finalen e Kupës së Shqipërisë”.
Në mbyllje, duke folur taktiken si dhe gjendjen e lojtarëve të tij për këtë ndeshje, tekniku kuqeblu, shtoi:”Taktikën e kemi, por nuk e di se çfarë terreni na pret nesër. Nuk është nevoja për lojë të mirë, na duhen pikët këtë herë. Secili lojtar duhet të jetë në maksimumin e tij dhe të punojë për skuadrën. Victor Da Silva është i rëndësishëm për ne, por luajmë me 11 lojtarë dhe nesër do tregojmë pse kemi qenë 28 javë në krye të kampionatit. Kryesore janë pikët, do luajnë 11 lojtarë dhe do të bëjnë më të mirën”.