Nga Prof. Dr. XHEVDET ZEKAJ
Kur vendosa të shkoja në Peshkopi dhe të ndiqja këtë ndeshje të Kategorisë së Parë, kisha disa pikëpyetje me veten time. Të tilla si do të sillej administratori i Korabit, Fehmi Mziu, duke pasur parasysh sa emocional është ai për skuadrën e tij; si do të ishte fusha e lojës, sa do të ishte numri i tifozëve, po niveli i lojës… Isha shumë kureshtar të shikoja nga afër si përjetohet në qytetin e kulturës e traditës ndeshja e Korabit në shtëpi.
Renditja afër kreut i skuadrës dibrane, bashkë me Dinamon, Skënderbeun dhe Flamurtarin, e mbante gjallë ëndrrën e dibranëve për t’u ngjitur në Superiore. Një realitet që e provuan disa vite më parë, po nën administrimin e Mziut. Nga ana tjetër, Flamurtari, në bisedën që pata me drejtorin Ferko, ishte i bindur se kjo skuadër vlen shumë, është e ndërtuar për në Superiore.
Duhet të theksoj që futbollistët e rinj dibran mes tyre kishin dhe Brajan Selmanin, luftarak, i qetë, një mbrotës sulmues, jo vetëm se shënoi golin, por në çdo aksion sulmues të Korabit ishte rrezik për Flamurtarin.
Me Mziun Junior, folëm gjatë për Korabin, ai thoshte se kemi skuadër të re, me vetëm dy veteranë, njëri 28 dhe tjetri 34 vjeç. Synojmë Superioren, luajmë mirë me kundërsulm. Ferko përgjigjej: Jemi skuadra më e mirë e Kategorisë së Parë, më e forta. Luajmë futboll të bukur, brazilianët që kemi në përbërje kanë nivel të mirë, por kemi dhe Liçajn, Ramadanin dhe Pjeshkën.
Ndeshja u mbyll në barazimin 1-1, por për mua rezultati pak rëndësi kishte. Një tribunë normale e stadiumit, një fushë që të lejonte të luaje futboll. Në këtë ndeshje, realisht fusha kishte ngrica vende-vende, ndaj futbollistët rrëshqitnin jo pak. Ishte një ndeshje me emocione, e nivelit superior, me dyluftime luftarake, e mirë luajtur në aspektin tekniko-taktik.
Binte në sy numri i shumtë i futbollistëve të huaj, teksa dihet se në Kategorinë e Parë lejohen 5 të tillë për ekip, çdo ndeshje. Në pamje të parë duken pak si shumë, por brazilianët e Flamurtarit bënin diferencën në fushë. Ishin luks për Kategorinë e Parë, por edhe në Superiore, në një terren më të mirë do të jenë mjaft efikasë.