Kosova shkruan histori – Tre golat e Vedat Muriqit i japin dardanëve fitoren në transfertë me Islanden duke e ngjitur në Ligën B të Ligës së Kombeve

CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v62), quality = 82

Islandë-Kosovë  1-3(Shënues: Orri Oskarssonit 2’/ Muriqi 35’, 45+3’, 79’)

Kombëtarja e Kosovës ka arritur suksesin më të madh deri më tash pas pranimit në UEFA e FIFA, duke u ngjitur për herë të parë në Ligën B të Ligës së Kombeve. Dardanët e vulosën këtë arritje të madhe pas një paraqitjeje të shkëlqyer në dy ndeshjet e ‘play-off’-it ndaj Islandës.

Pas fitores 2:1 në sfidën e parë në stadiumin “Fadil Vokrri”, ekipi i drejtuar nga Franco Foda triumfoi edhe në ndeshjen e kthimit në Murcia të Spanjës me rezultatin 3:1, duke siguruar një fitore të përgjithshme 5:2.

Vedat Muriqi ishte figura kryesore e kësaj fitoreje të madhe. Sulmuesi prizrenas realizoi të tre golat e Kosovës në ndeshjen e kthimit, duke udhëhequr ekipin drejt këtij suksesi historik.

Ndeshja nisi me disavantazh të hershëm për Kosovën, pasi Islanda kaloi në epërsi që në minutën e 2-të me golin e Orri Oskarssonit. Megjithatë, ekipi ynë reagoi fuqishëm. Në minutën e 35-të, Muriqi barazoi rezultatin pas një aksioni të bukur të Leart Paqaradës. Vetëm pak çaste para përfundimit të pjesës së parë, në minutën e tretë të kohës shtesë, Muriqi realizoi golin e dytë pas një asistimi të Milot Rashicës.

Në pjesën e dytë, Kosova vazhdoi të kontrollonte lojën. Portieri Amir Saipi bëri një pritje vendimtare, ndërsa moment i rëndësishëm në ndeshje ishte ai i minutës së 69-të, kur kapiteni islandez Aron Gunnarsson u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë skuadrën e tij me një lojtar më pak.

Kosova e shfrytëzoi këtë epërsi numerike dhe në minutën e 79-të, Muriqi realizoi golin e tretë pas një asisti të Lindon Emërllahut, duke vulosur fitoren 3:1 dhe kualifikimin në Ligën B.

Ky është një moment historik për futbollin e Kosovës, e cila ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në Ligën e Kombeve. Pas debutimit në këtë garë në edicionin 2018/19 nga Liga D, Kosova arriti të ngjitej në Ligën C, ku garoi për tre edicione radhazi. Tani, me këtë sukses të madh, ekipi ynë do të jetë pjesë e Ligës B në edicionin 2026/27.

Me këtë arritje, Kosova forcon edhe më shumë pozitën e saj në futbollin evropian dhe do të përballet me kundërshtarë edhe më të fortë në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.

Urime gjithë djemve të Kombëtares, stafit dhe tifozëve “Dardanët” për këtë sukses të madh!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu