Monday, November 25, 2024

Kthehet me gol pas dëmtimit. Kuksiani i Vllaznisë, Fjoart Jonuzi, i lumtur që i shënoi Bylisit në “Loro Boriçi”

Lexo

Fjoart Jonuzi tanimë përveç lojës voluminoze që bën, me golat e tij po ndihmon skuadrën në arritjen e fitoreve dhe marrjen e pikëve. I ardhur nga dëmtimi, ai ka arritur të shënojë me një goditje të fortë nga jashtë zone. Një gol që ndihmoi ekipin e tij të merrte tri pikë me shumë vlera. Për vetë mesfushorin më me vlerë se goli ishte fitorja e arritur.

Jonuzi, riktheheni me gol, pas atyre dy javëve mungese për arsye dëmtimi. Jeni i kënaqur me paraqitjen tuaj?

Jam i kënaqur për golin dhe për rikthimin në fushë, por të them të drejtën më shumë jam i gazuar me fitoren e arritur. Më vjen keq që e ndërlikuam pak ndeshjen dhe duhet të punojmë te kjo pjesë. Është e pakuptimtë për ne që të rrezikonim atë ndeshje nga 2-0 për t’u barazuar për vetëm pak minuta. Gjithsesi jam i lumtur për fitoren. Frikë për të ruajtur me çdo kusht fitoren apo rënie fizike.

Çfarë mendoni se ndikoi në ato momente të fundit?

Kemi qenë mbrapa me pikët që kemi grumbulluar dhe ky është realitet. Nuk mund të them se kishim frikë dhe u kthyem për ta ruajtur rezultatin, por mund të them se ishim në ethet që na u donte ai trepikësh, u munduam që të ishim të kujdesshëm, por edhe gabuam. Fatmirësisht nuk pësuam në fund, kjo ka rëndësi.

Pra nuk mund të themi se skuadra shfaqi lodhje fizike në fund?

Jo, ndoshta mund të kenë ndikuar te disa lojtarë fakti që kanë luajtur dy ndeshje brenda javës dhe ai takim 120 minuta me Flamurtarin. Por unë mendoj se nuk kemi probleme fizike.

Si e shihni Vllazninë e këtij sezoni?

Normalisht jemi Vllaznia dhe duhet të tregojmë më shumë personalitet e sidomos këtu në Shkodër. Në momentet kur jemi në avantazh duhet ta ruajmë dhe të mos ia ndërlikojmë punën vetes, të tregohemi më të qetë.

Vendi i katërt pas fazës së parë, si e vlerësoni?

Do të isha i kënaqur nëse do të ishim në vend të parë apo të dytë, por kur shef diferencat me dy ekipet që ndajnë vendin e dytë dhe të tretë, mund të them se jam në njëfarë mënyre i kënaqur, pra prapë jemi mirë.

Mendoni se e kanë rritur konkurrencën lojtarët e rinj që po luajnë?

Rivaliteti dhe konkurrenca i bën mirë ekipit dhe lojtarit. Të gjithë kërkojmë të luajnë në formacion dhe të gjithë kërkojnë të japin më të mirën. Kontingjenti duhet, sepse kampionati është i gjatë dhe dëmtime kemi pasur shumë, siç mund të ketë dhe në vazhdimësi. Gjithashtu do të ketë edhe pezullime kartonësh. Konkurrenca është e shëndetshme.

Si e prisni betejën e fundjavës ndaj Erzenit?

Një përballje e vështirë. Nuk ka skuadra të lehta në këtë sezon. Egnatia e tregoi se është një skuadër e mirë edhe këtë javë. Ne do bëjmë më të mirën për të arritur objektivin që kemi për këtë takim, arritjen e një tjetër fitore.

Admir Uruçi

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img