Erzeni-Kukësi 1-1(Shënues: Ademi 25’/Barbosa 90’)
Erzeni-Kukësi, ka qënë ndeshja e dytë e javës së 26-të të Abissnet Superiore që u laujt sot, pas asaj, Bylis-Tirana që u luajt më herët dhe u mbyll në barazim, 1-1.
Sfida e luajtur në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, ku është edhe shtëpija e shijakasve, ishte mjaft emocionuese. Një lojë luftarake, që nga minuta e parë dhe deri në fund, me shijakasit që kaluan në avantazh në pjesën e parë. Në minutën e 25-të të takimit, një harkim i Osmanllarit nga e djathta e sulmit është shfrytëzuar maksimalisht nga Ademi, që ka mposhtur Tafas.
Në pjesën e dytë është Kukësi që tregohet më kërkues. Në minutën e 66-të, Basha fiton një 11-metërsh pas një kontakti me Peposhin, por Taipi gaboi nga pika e bardhë duke goditur shtyllën. Me kalimin e minutave, shijakasit krijuan disa mundësi shënimi, por nuk arritën të konkretizonin, për të mbyllur përfundimisht ndeshjen.
Kur gjithçka po i drejtohej fundit, janë verilindorët që arrijnë të gjejnë rrugën e rrjetës dhe të rrëmbejnë një pikë në këtë sfidë. Pas një harkimi të Hasës, Barbosa tregohet i saktë duke dërguar topin në rrjetë dhe 1-1.
Një befasi për Erzenin, që humbet në limite mundësinë për të marrë maksimumin nga kjo sfidë. Një pikë me shumë vlera për Kukësin, për mënyrën se si u arrit.